‘Vëllai i ministrit është në burg’, Edi Rama gënjen haptas në Itali
Edi Rama këtë herë ka vendosur të gënjejë haptas. Të paktën sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, si La Stampa dhe mediat e tjera.
Rama u prit me protesta sot në Torino, ku ka prezantuar librin e tij ‘Kurbani’. Forcat e policisë që ishin aty shoqëruan 5 të rinj shqiptarë që me pranga në duar akuzuan Ramën për mbrojtjen që po i bën Saimir Tahirit dhe vëllait të Fatmir Xhafës.
Protesta ka të bëjë me mosekstradimin e vëllait të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt që është i lirë në Shqipëri, pavarësisht se është i dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg në Itali për trafik droge.
Pasi të rinjtë janë nxjerrë jashtë, Rama ka vendosur të gënjejë për të dalë nga situata ku ishte përfshirë.
Gazetarëve që ishin të pranishëm gjatë incidentit i ka gënjyer. La Stampa shkruan se Edi Rama iu përgjigj me një batutë të rinjve që protestonin, ndërsa për mediat aty u shpërnda lajmi i rremë, sipas të cilit vëllai i ministrit tashmë është në burg.
‘Mosmarrëveshja zgjati disa sekonda, Rama u përgjigj me disa rreshta’, shkruan La Stampa që më pas citon në ligjëratë të drejtë kryeministrin e Shqipërisë.
‘Nuk janë aktivistë, por kontestues që ndjekin kudo kryeministrin, duke ngritur pyetje pa asnjë bazë. Vëllai i ministrit të brendshëm është në burg, i arrestuar nga policia’, shkruan La Stampa duke thënë se, ky shpjegim u ka ardhur nga Rama dhe njerëzit e tij.
Por kush është në burg, cili vëlla? Edi Rama e di shumë mirë që vëllai i ministrit të tij, Fatmir Xhafës nuk është në qeli, por i lirë.
Edhe Saimir Tahiri nuk është në qeli, sepse pas marrëveshjes me Edi Ramën për të lënë mandatin, ishte garancia se ai nuk do të përfundonte në burg, por do të ishte në ‘arrest shtëpie’.
Kështu që Edi Rama sot përhapi një tjetër gënjeshtër, thjeshtë për t’u hedhur hi syve njerëzve që ishin të pranishëm, pasi ai e di shumë mirë se cila është e vërteta.
http://www.lastampa.it/2018/05/13/cronaca/salone-del-libro-primo-ministro-albanese-contestato-nella-sala-blu-l9ZrJf59inSs0yKtJvod6H/pagina.html