Albspirit

Media/News/Publishing

Audio-përgjimi i vëllait, ish-ministri i Drejtësisë: Xhafaj s’mund të jetë më në qeveri

Publikimi i audio-përgjimit nga Partia Demokratike, ku jepej biseda mes vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, për trafik droge, ka rrëmbyer vëmendjen e politikës ditën e sotme.

Një reagim ka ardhur edhe nga ish-ministri i Drejtësisë në mandatin e kaluar qeveritar të drejtuar nga Edi Rama, Ylli Manjani, i cili thotë se pas përgjimit që bëri publik PD, nuk ka më vend për komente.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet të marrë të pandehur Agronin dhe Ermalin, me gjithë rrjetin që pëmendet aty! Pavarësisht vendimit të Italisë! Fatmiri nuk mund të jetë më anëtar i qeverisë! Rama dhe Rilindja e tij nuk mund të qeverisin dot! Nuk kanë asnjë fytyrë e moral! Nuk gjetën dot një ministër të Brendshëm, të pa përfshirë në histori krimesh e trafiqesh!!!”, shkruan Manjani në Facebook.

Ai shton se nuk i ndihmon më askush dhe as “miqtë” e huaj, pasi faktet janë ulëritëse.

Sipas tij, sa më shpejt ta kuptojnë këtë gjë aq më mirë për ta dhe akoma më mirë për vendin.

“Është koha për të shpalosur një alternativë normaliteti dhe reformash agresive! Rilindja nuk është më alternativë por pengesë!”, thotë në mbyllje Ylli Manjani.

Partia Demokratike publikoi sot një material përgjimi audio ku sipas saj vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj bisedon me një bashkëpunëtor në trafikun e drogës.

Sipas selisë blu, materiali i përgjimit tregon se vëllai i ministrit, shtetasi Agron Xhafaj vijon ende të merret me trafik droge i pashqetësuar nga policia.

Në bisedën audio të zbardhur nga selia blu, personi që sipas PD është vëllai i ministrit dëgjohet kur thotë se “Më kanë nxjerrë emrin. Se po na sulmojnë shumë ore. Shiko edhe vëllanë”.

Një tjetër frazë që dëgjohet në materialin e përgjimit është “Ata në Itali janë zbërthyer komplet”.

Në fund të videos, shfaqen momentet kur sipas selisë blu personi që bisedoi me vëllanë e Xhafajt, shkon me urdhrin e tij për t’u furnizuar te trafikantët i pashqetësuar nga policia.

Please follow and like us: