Ligji antimafi i miratuar nga Kuvendi në 27 prill 2017
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, është miratuar në seancë parlamentare, duke i hapur rrugën marrjes së masave për parandalimin dhe goditja e krimit të organizuar dhe trafikimit, përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Gjatë fjalës së tij në parlament, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço deklaroi se me miratimin e këtij ligji, kemi mundësinë t’ju japim organeve ligjzbatuese një instrument, që siç luftojnë bandat dhe organizatat kriminale duke sekuestruar dhe konfiskuar pasurinë, ashtu do të luftojnë edhe korrupsionin, i cili nuk do të mbetet më peng i demagogjisë.
Ministri Naço theksoi se fenomeni i korrupsionit vlerësohet si një pengesë reale për progresin e vendit, dhe ndërkohë konstatimet e ndërkombëtarëve, duhet të shërbejnë si këmbanë alarmi.
“Masat e ndërmarra kundër korrupsionit, ndër vite, nuk kanë arritur të sjellin efektet e dëshiruara, në hetimin dhe ndëshkimin e praktikave korruptive, përsa kohë korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në kuota të larta. Përpos ndryshimeve të bëra në vitin 2012, në nenin 52 të Kodit Penal, që synon nxitjen e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të drejtësisë në rastet e korrupsionit, si dhe ndryshimet e nenit 75/a të K.Pr. Penale, të sapo miratuara, lind si domosdoshmëri marrja e masave plotësuese, ku përpos sanksioneve penale, të aplikohen masat e tjera që lidhen me konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive që burojnë nga veprimtari kriminale të korrupsionit”, tha z. Naço
Ministri Naço, u ndal në deklaratën e ish-Prokurori të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, z. Edwin Meese, i cili gjatë drejtimit të një konference në Uashington me Ekspertë për Ballkanin mbi korrupsionin, organizuar nga Fondacioni Heritage, deklaronte se: “Lufta kundër korrupsionit duhet filluar me konfiskimin e të gjitha pronave dhe pasurive të paligjshme që politikanët kanë grumbulluar, të cilat ata nuk mund t’i justifikojnë si të vëna përmes të ardhurave të rregullta”.
Ministri Naço bëri me dije se dispozitat e këtij ligji, siç zbatohen për bandat dhe organizatat kriminale, do të zbatohen edhe ndaj veprave penale të korrupsionit për pasuritë e personave të afërm ndërsa theksoi se synimi i këtij projektligji është rritja e përpjekjeve për të dekurajuar në maksimum korrupsionin, nëpërmjet sekuestrimit apo konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme, që burojnë nga veprat penale të korrupsionit.
“Në nenin 21, paragrafi i tretë i këtij Ligji parashikohet se: “Barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi”. Në këtë kuptim, vlera reale e këtij ligji qëndron në faktin se, nuk do të jetë prokurori që do të provojë paligjshmërinë e vënies së pasurisë, por do të jetë individi, i cili duhet të provojë të kundërtën përpara gjykatës me prova dhe fakte konkrete sesi e ka vënë pasurinë e sekuestruar dhe konfiskuar edhe në rastet e korrupsionit”, u shpreh Ministri Naço
Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Naço citoi fjalët e Presidentit Obama gjatë Asamblesë së Përgjitshme së OKB-së, në Shtator 2012 ku deklaroi se : “E ardhmja nuk duhet t’u përkasë të korruptuarve që vjedhin burimet e një vendi. Ajo duhet t`i përkasë studentëve dhe sipërmarrësve, punëtorëve dhe pronarëve të bizneseve, të cilët kërkojnë një prosperitet më të gjerë për të gjithë njerëzit.Nëqoftë se njerëzit nuk mund t`i besojnë qeverisë së tyre, për të bërë punët për të cilat ajo ekziston, për t’i mbrojtur ata dhe për të promovuar mirëqenien e tyre të përbashkët, atëherë çdo gjë tjetër është një çështje e humbur. Kjo është arsyeja pse lufta kundër korrupsionit është një nga betejat më të mëdha të kohës sonë”.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
LIGJ Nr. 70/2017
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 192, DATË 3.12.2009, “PËR PARANDALIMIN DHE GODITJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIKIMIT DHE KORRUPSIONIT NËPËRMJET MASAVE PARANDALUESE KUNDËR PASURISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një deputeti
K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:
Në ligjin nr. 10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Titulli i ligjit ndryshohet si më poshtë:
“Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar.
Neni 2
Në nenin 1, pas fjalës “korrupsion” shtohen fjalët “si dhe në kryerjen e krimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij ligji”.
Neni 3
Në nenin 2, pas fjalës “korrupsionit” shtohen fjalët “dhe krimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij ligji”.
Neni 4
Neni 3 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 3
Fusha e zbatimit
- Dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, që zotërohen plotësisht ose pjesërisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, siç përcaktohet në pikën 2, të këtij
neni, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicie, për:
- a) pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga banda e armatosur, organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, të parashikuara nga kreu XI i Kodit Penal;
- b) pjesëmarrje dhe kryerje e krimeve nga organizata terroriste dhe krimeve për qëllime terroriste, parashikuar nga kreu VII i Kodit Penal;
- c) kryerjen e krimeve të parashikuara në nenet 109, 109/b, 110/a, 128/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a dhe 284/a të Kodit Penal;
ç) pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal;
- d) kryerjen e krimeve të parashikuara në nenet 164/a, 164/b, 183, 244, 244/a, 245, 245/1, 256, 257, 257/a, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e të Kodit Penal, në rastet kur ekzistojnë indicie për përfitim pasuror të paligjshëm.
- Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe ndaj pasurive të personave të përmendur në pikën 1, të këtij neni, në pronësi ose të zotëruara në mënyrë të tërthortë nga:
- a) personat e afërm (bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, bashkëjetuesi), për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta;
- b) personat fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të tërthortë nga personat e përmendur në pikën 1, të këtij neni, ose janë përdorur, kanë lehtësuar apo kanë ndikuar në një formë të caktuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme prej tyre.
- Prezumimi i regjistrimit të rremë të pasurive dhe veprimtarive ekonomike të personave të përmendur në pikën 1, të këtij neni, në emër të personave të afërm, të përmendur në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni, zbatohet kur ka të dhëna të dobishme, të siguruara në rrugë të ligjshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm për paligjshmërinë e origjinës së pasurisë.
- Të dhënat e mjaftueshme që pasuritë ose veprimtaritë e personit fizik ose juridik të përmendur në shkronjën “b”, të pikës 2, të këtij neni, zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të tërthortë, nga personat e përmendur në pikën 1, të këtij neni, nxirren nga marrëdhënia ndërmjet personit fizik dhe juridik me personat e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, dhe nga të dhëna të dobishme, të siguruara në rrugë të ligjshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm për paligjshmërinë e origjinës së pasurisë.
- Masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes.
- Ky ligj zbatohet edhe për pasuritë e personave, të vëna përpara hyrjes në fuqi të tij, me kusht që të ekzistojnë indicie të rëndësishme për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale, në
kohën e vënies së pasurisë”.
Neni 5
Në nenin 4, fjalët “veprimtarisë ekonomike” zëvendësohen me fjalët “veprimtarive ekonomike”.
Neni 6
Në nenin 5, pika 2 ndryshohet si më poshtë:
“2. Verifikimi, hetimi dhe gjykimi, sipas këtij ligji, mbështeten në rregullat procedurale të këtij ligji dhe plotësohen nga rregulla të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale, sipas rastit. Të dhënat e marra nga procesi penal përdoren në procedurën e parashikuar nga ky ligj”.
Neni 7
Në nenin 6 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
- Titulli i nenit ndryshohet si më poshtë:
“Objekti i hetimeve”.
- Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Prokurori ndërmerr, edhe nëpërmjet policisë gjyqësore, hetimet e nevojshme ndaj personave të përmendur në nenin 3, pikat 1 dhe 2, të këtij ligji, për mjetet financiare, pasuritë, veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, nivelin ekonomik dhe burimet e të ardhurave të tyre, si dhe pyetjen e personave që kanë dijeni mbi faktet objekt i këtij ligji dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme. Kur lind nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare, zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe dispozitat përkatëse procedurale”.
- Pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3. Hetimet e përmendura në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, mund të urdhërohen nga prokurori deri në përfundim të seancës për konfiskim.”.
Neni 8
Neni 7 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 7
Kompetenca dhe përbërja e gjykatës
- Kërkesa për marrjen e masave parandaluese, sipas këtij ligji, shqyrtohet në shkallë të parë, nga gjykatat e rretheve gjyqësore ose gjykata e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bazë të kompetencës përkatëse lëndore për veprën penale të kryer, sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.
- Kërkesa për marrjen e masave parandaluese shqyrtohet në shkallë të dytë, nga gjykatat e apelit ose Gjykata e Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas rregullit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
- Zbatohen, për aq sa janë të pajtueshme, dispozitat e paragrafit 1, të nenit 80, të Kodit të Procedurës Penale.
- Kërkesa për marrjen e masave parandaluese, sipas këtij ligji, shqyrtohet në shkallë të parë me një gjyqtar. Ankimi kundër vendimit për marrjen e masës parandaluese shqyrtohet nga gjykatat e apelit ose Gjykata e Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.”.
Neni 9
Në nenin 8, pika 2, fjalët “elementet e tjera që janë mbledhur” zëvendësohen me fjalët “të dhënat e siguruara prej saj”.
Neni 10
Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:
- Titulli i nenit ndryshohet si më poshtë:
“Kompetencat e gjykatës”.
- Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Gjykata, me kërkesë të prokurorit, të palëve ose kryesisht urdhëron hetimet e nevojshme për të zgjidhur çështjen dhe mund të miratojë masat e përcaktuara me ligje të
veçanta”.
Neni 11
Në nenin 11, pjesa hyrëse e pikës 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Me kërkesë të arsyetuar të prokurorit, gjykata vendos sekuestrimin e pasurive, të zotëruara në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në pronësi të plotë ose të pjesshme të personave, sipas nenit 3, pika 1, të këtij ligji, kur ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicie, që tregon se personi është përfshirë në veprimtari kriminale dhe zotëron pasuri apo të ardhura shpërpjesëtimore në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga veprimtari të ligjshme të deklaruara dhe që nuk përligjen prej tyre, si dhe kur”.
Neni 12
Neni 12 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 12
Procedura e sekuestrimit
- Kërkesa për sekuestrimin e pasurisë shqyrtohet nga gjykata në dhomën e këshillimit, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes, në bazë të dokumenteve dhe akteve të paraqitura nga prokurori.
- Vendimi për masën e sekuestrimit është i ekzekutueshëm me shpalljen e tij. Masa e sekuestrimit është e vlefshme për një periudhë gjashtëmujore, duke filluar nga momenti i zbatimit të saj.
- Në rastin e verifikimeve komplekse, me kërkesë të prokurorit ose kryesisht, gjykata mund të vendosë zgjatjen e afatit të zbatimit të masës së sekuestrimit për periudha gjashtëmujore, por jo më shumë se dy vjet nga data e fillimit të afatit të caktuar sipas pikës 2 të këtij neni. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit, e cila vendos brenda 15 ditëve nga marrja e akteve.
- Jo më vonë se 5 ditë përpara mbarimit të afatit kohor të masës së sekuestrimit, të parashikuar në pikën 2 ose 3, të këtij neni, gjykata cakton një seancë të posaçme, duke njoftuar prokurorin, personat e përmendur në nenin 3, pikat 1 dhe 2, të këtij ligji, si dhe mbrojtësin e zgjedhur. Kërkesa e prokurorit për revokimin e sekuestrimit nuk e pengon gjykatën të vendosë konfiskimin e pasurisë kur ajo çmon se plotësohen kriteret e parashikuara në këtë ligj.
- Kur seanca e posaçme, sipas pikës 4, të këtij neni, nuk caktohet, gjykata, me kërkesë të palëve ose kryesisht, konstaton shuarjen e masës së sekuestrimit. Shuarja e masës së sekuestrimit nuk pengon paraqitjen dhe pranimin e një kërkese të re për konfiskimin e pasurisë”.
Neni 13
Pas nenit 12 shtohen nenet 12/a dhe 12/b me këtë përmbajtje:
“Neni 12/a
Sekuestrimi ose konfiskimi i pasurisë së barasvlershme
- Sekuestrimi ose konfiskimi vendoset mbi mjete monetare ose mbi çdo pasuri tjetër në zotërim të personave të përmendur në nenin 3, të këtij ligji, kur, pas marrjes në dijeni për hetimet në ngarkim të tij, personi, kundër të cilit kërkohet të vendoset masa tjetërson, shpërndan, transferon, shpërdoron, fsheh ose zhvlerëson pasurinë, me qëllimin për të shmangur ekzekutimin e masës së sekuestrimit ose konfiskimit të saj.
- Në rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, kur personi i tretë është në keqbesim, pasuria sekuestrohet ose konfiskohet.
- Rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, zbatohen, deri në masën e vlerës së pasurisë, për të cilën është vendosur sekuestrimi ose konfiskimi, edhe kur del që ajo është bashkuar me pasuri të tjera.
- Rregullat e pikave të mësipërme të këtij neni zbatohen edhe kur pasuria e paligjshme është trupëzuar me pasuri të ligjshme dhe nuk mund të ndahet prej saj pa i shkaktuar një dëm thelbësor.
Neni 12/b
Revokimi i sekuestrimit
- Gjykata, me kërkesë të palëve, vendos revokimin e sekuestrimit të pasurisë edhe përpara afatit të parashikuar nga pikat 2 dhe 3, të nenit 12, të këtij ligji.
- Gjykata vendos revokimin e sekuestrimit të pasurisë, duke e zëvendësuar atë me pasuri të barasvlershme, kur palët japin pëlqimin dhe gjykata e çmon të përshtatshme.”.
Neni 14
Neni 13 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 13
Vendimi i gjykatës kur revokohet masa e sekuestrimit
- Vendimi i gjykatës që vendos revokimin e sekuestrimit, sipas nenit 12/b, të këtij ligji, i përcillet Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila njofton pronarin e pasurive të sekuestruara.
- Dorëzimi i pasurive te pronari bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës, që administratori i pasurive ia dorëzon pronarit.
- Kur brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vendimit për revokimin e sekuestrimit, pronari i pasurisë nuk paraqitet, pa shkaqe te arsyeshme, për t’i marrë në dorëzim ato, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe administratori i pasurisë çlirohen nga çdo përgjegjësi.
- Revokimi i masës së sekuestrimit nuk pengon përdorimin për qëllime tatimore të të dhënave dhe provave të siguruara gjatë hetimit.
- Me vendimin e revokimit të sekuestrimit, gjykata mund të vendosë detyrimin ndaj pronarit të pasurisë apo personit që ka në përdorim ose administrim pasurinë, apo pjesë të saj, për të njoftuar administratën tatimore, për një periudhë jo më pak se 5 vjet nga data e njoftimit të vendimit, për akte të zotërimit, blerjes ose pagesave të kryera, të pagesave të marra, detyrave profesionale të administrimit ose kujdestarisë, si dhe për akte apo kontrata të tjera, sipas llojit dhe vlerës së përcaktuar nga gjykata, në varësi të pasurisë dhe të të ardhurave të personit, në çdo rast, për një vlerë jo më të vogël se 2 milionë lekë.
- Njoftimet e parashikuara në pikën 5, të këtij neni, kryhen brenda 10 ditëve nga kryerja e aktit, kurse për aktet e kryera në vitin pararendës, brenda datës 31 janar të çdo viti.
- Personit që nuk respekton detyrimet e njoftimit, brenda afateve të përcaktuara në pikën 6, të këtij neni, pa paraqitur shkaqe të arsyeshme, i konfiskohen, tërësisht ose pjesërisht, sendet e fituara dhe pagesat e marra, për të cilat nuk është respektuar detyrimi i njoftimit.”.
Neni 15
Neni 14 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 14
Ekzekutimi i masës së sekuestrimit
- Vendimi i sekuestrimit zbatohet menjëherë. Sekretaria e gjykatës i dërgon, pa vonesë, dy kopje të vendimit prokurorit që ka paraqitur kërkesën. Prokurori merr masa për vënien në ekzekutim të vendimit nëpërmjet oficerit të policisë gjyqësore dhe administratorit të pasurive.
- Sekuestrimi ekzekutohet:
- a) për pasuritë e luajtshme dhe shumat monetare, sipas rregullave të përcaktuara nga Kodi i Procedurës Civile, në rastet e rizotërimit të aseteve nga debitori ose nga pala e tretë;
- b) për pasuritë e luajtshme ose të paluajtshme në zyrat kompetente për regjistrimin e tyre;
- c) për pasuritë e shoqërive tregtare, përveç mënyrës të parashikuar nga ky ligj për çdo pasuri tjetër të sekuestruar, edhe me anën e regjistrimit të vendimit në regjistrin e shoqërive tregtare;
ç) për kuotat dhe aksionet, me anën e publikimit në regjistrin e shoqërive tregtare dhe shënimin në regjistrat kontabël të shoqërisë.
- Policia gjyqësore, pas urdhrit të ekzekutimit të lëshuar nga prokurori, procedon me marrjen e pasurisë dhe dorëzimin tek administratori i saj edhe kur personat që preken nga masa kanë të drejta reale ose personale për t’i gëzuar ato.
- Policia gjyqësore u njofton masën e sekuestrimit të pasurive personave të përmendur në nenin 3, pikat 1 dhe 2, të këtij ligji. Policia gjyqësore u njofton, gjithashtu, personave të mësipërm, edhe vendimin e gjykatës për shtyrjen e afatit të sekuestrimit.
- Kur masa e sekuestrimit caktohet ndaj pasurisë së paluajtshme ose pasurisë së regjistruar në regjistra publikë, administratori i emëruar njofton menjëherë këtë masë në zyrat pranë të cilave mbahen këta regjistra.
- Kur sendi mbahet pa titull pronësie ose në bazë të një titulli që daton përpara datës së vendimit të sekuestrimit dhe poseduesi i sendit nuk pranon ta dorëzojë atë vullnetarisht, gjykata urdhëron lirimin e sendit. Urdhri i gjykatës ekzekutohet nga policia gjyqësore.
- Inventari dhe përshkrimi i pasurisë së sekuestruar bëhen nga policia gjyqësore dhe dokumentohen në një raport, i cili nënshkruhet nga të pranishmit. Ky raport përmban elementet e parashikuara nga neni 524 i Kodit të Procedurës Civile.
- Gjatë marrjes në dorëzim të pasurisë së sekuestruar nga administratori, policia gjyqësore u dorëzon një kopje të raportit të përmendur në pikën 7, të këtij neni, personave të pranishëm në kohën e inventarit.
- Policia gjyqësore dorëzon pasurinë e sekuestruar tek administratori, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës ligjor dhe, nëse ka, edhe me regjistrat e llogarive të shoqërisë tregtare.
- Administratori i pasurisë, për qëllime të administrimit dhe në mungesë të dokumentacionit të parashikuar në pikën 9, të këtij neni, vë në dispozicion të audituesit ligjor, të caktuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, të dhënat e nevojshme për administrimin e pasurisë, duke i kërkuar hartimin e një raporti. Raporti vihet në dispozicion të Agjencisë”.
Neni 16
Në nenin 15, pika 2, pas fjalëve “për punën e bërë” vendoset pikë dhe fjalët “në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave” shfuqizohen.
Neni 17
Në nenin 16, pika 2, fjalët “shërbimit përmbarimor” shfuqizohen.
Neni 18
Në nenin 17 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
- Në paragrafin e parë, fjalët “administrimi jo të zakonshme” zëvendësohen me fjalët “përtej veprimeve të administrimit të zakonshëm”.
- Pas paragrafit të parë shtohen dy paragrafë me këtë përmbajtje:
“Administratori, nëpërmjet Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, i paraqet prokurorit kërkesë të argumentuar kur çmon se duhet të kryhen veprimet juridike të parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni. Gjykata, me kërkesë të prokurorit, autorizon veprimet e kërkuara kur e çmon të domosdoshme për ruajtjen e vlerës së pasurisë.”.
Neni 19
Në nenin 18, pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:
“4. Gjykata thërret kryesisht Kryeadministratorin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për të marrë informacion për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe për çdo të dhënë tjetër që e konsideron të dobishme për vendimin e konfiskimit. Kryeadministratori i Agjencisë mund të delegojë një nëpunës në varësi të tij për t’u paraqitur përpara gjykatës.”.
Neni 20
Neni 19 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 19
Kalimi i të drejtave reale për pasuritë e sekuestruara
- Për pasuritë të cilat dëmtohen, u bie vlera në mënyrë të ndjeshme ose dalin jashtë përdorimit, kryesisht ose me kërkesë të palëve, gjykata, vendos kalimin e të drejtave reale tek të tretët, nisur nga parimet e miradministrimit të pasurisë. Të drejtat reale nuk kalohen te personat e parashikuar në nenin 3, pikat 1 dhe 2, të këtij ligji. Gjykata vendos pasi dëgjon palët dhe ekspertin vlerësues.
- Gjykata kur vendos revokimin e sekuestrimit, urdhëron kthimin e pasurisë së sekuestruar, ose kundërvlerën e saj pronarit, sipas parashikimeve të këtij ligji”.
Neni 21
Në nenin 20 bëhen ndryshimet e shtesat e mëposhtme:
- Në pikën 1, fjalët “në çdo lloj cilësie a burimi të ligjshëm” zëvendësohen me fjalët “nga çdo burim i ligjshëm”.
- Pika 2 ndryshohet si më poshtë:
“2. Nëse nëpërmjet administrimit të pasurisë së sekuestruar nuk përfitohen fonde të mjaftueshme për përballimin e shpenzimeve, sipas pikës 1, të këtij neni, ato parapaguhen nga shteti nëpërmjet Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, me të drejtën e kthimit të tyre nga personi, të cilit i sekuestrohet pasuria, edhe në rastin e revokimit të sekuestrimit ose të konfiskimit”.
- Pas pikës 3 shtohet pika 3/1 me këtë përmbajtje:
“3/1. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara nuk është përgjegjëse për pagimin e detyrimeve të subjekteve të përmendura në nenin 3, pikat 1 dhe 2, të këtij ligji, të maturuara përpara vendimit të sekuestrimit, lidhur me:
- a) shpenzimet e mirëmbajtjes dhe administrimit të zakonshëm të pasurisë;
- b) pagesat e prapambetura të energjisë elektrike, ujit, telefonisë etj.; si dhe
- c) taksat ose detyrimet tatimore të prapambetura.”.
- Në pikën 4, fjala “frutat” zëvendësohet me fjalën “frytet” dhe fjala “pasurisë”, në fund të fjalisë së dytë të kësaj pike, zëvendësohet me fjalën “asaj”.
Neni 22
Në nenin 21 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
- Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Konfiskimi i pasurisë vendoset me kërkesë të prokurorit, i cili i paraqet gjykatës arsyet ku bazohet kërkesa. Gjykata vendos pas kryerjes së hetimit gjyqësor dhe pasi dëgjon diskutimin përfundimtar të palëve. Gjykata mund të vendosë konfiskimin edhe në përfundim të seancës së posaçme, të parashikuar në nenin 12, pika 4, të këtij ligji”.
- Pika 3 ndryshohet si më poshtë:
“3. Personat e përmendur në nenin 3, pika 1, të këtij ligji, kanë barrën për të provuar se veprimtaritë dhe pasuritë e sekuestruara, të zotëruara pjesërisht ose plotësisht prej tyre janë fituar nga burime të ligjshme”.
- Pas pikës 3 shtohen pikat 4 dhe pika 5 me këtë përmbajtje:
“4. Personat e përmendur në nenin 3, pika 2, shkronja “a”, të këtij ligji, kanë barrën për të provuar që pasuritë, për të cilat kërkohet konfiskimi, zotërohen me titull pronësie vetëm prej tyre, janë përfituar nga burime të ligjshme dhe nuk janë në pronësi të tërthortë të personave të përmendur në nenin 3, pika 1, të këtij ligji.
- Personat e përmendur në nenin 3, pika 2, shkronja “b”, të këtij ligji, kanë barrën për të treguar që të dhënat e siguruara gjatë procedimit pasuror janë të pamjaftueshme për të vërtetuar se veprimtaritë ose pasuritë e tyre:
- a) zotërohen tërësisht ose pjesërisht, në mënyrë të tërthortë, nga ana e personave të përmendur në nenin 3, pika 1, të këtij ligji; ose
- b) janë përdorur, kanë lehtësuar ose kanë ndikuar, në një formë të caktuar, në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga ana e personave të përmendur në nenin 3, pika 1, të këtij ligji”.
Neni 23
Në nenin 22 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
- Në pikën 1, fjalët “Kodit të Procedurës Civile” zëvendësohen me fjalët “Kodit të Procedurës Penale”.
- Në pikën 2, fjalët “jashtë vendit” zëvendësohen me fjalët “jashtë shtetit” dhe fjala “avokati” zëvendësohet me fjalën “mbrojtësi”.
- Në fund të pikës 4 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Prokurori kryhen çdo hetim të nevojshëm për verifikimin e këtyre pretendimeve”.
- Në pikën 5 bëhen këto ndryshime:
Në fjalinë e parë të pjesës hyrëse fjalët “disa pasuri i janë transferuar apo janë regjistruar” zëvendësohen me fjalët “pasuria është transferuar ose regjistruar” dhe fjalët “këtyre veprimeve juridike” zëvendësohen me fjalën “tyre”. Në fjalinë e dytë të pjesës hyrëse lidhëza “kur” zëvendësohet me lidhësen “përderisa”.
Neni 24
Neni 23 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 23
Kohëzgjatja e gjykimit të kërkesës për konfiskim
- Brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës për konfiskim nga prokurori ose nga fillimi i seancës së posaçme, sipas nenit 12, pika 4, të këtij ligji, gjykata vendos për konfiskimin.
- Në raste komplekse, gjykata, edhe kryesisht, mund të vendosë në një afat të mëvonshëm, por në çdo rast brenda një viti nga afati i parashikuar në pikën 1 të këtij neni”.
Neni 25
Neni 24 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 24
Pranimi i kërkesës për konfiskim
- Gjykata vendos konfiskimin e pasurisë kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme:
- a) ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, për pjesëmarrje të personit në veprimtari kriminale, të parashikuara në nenin 3, pika 1, të këtij ligji;
- b) rezulton se pasuria është, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të plotë ose të pjesshëm të personave të përmendur në nenin 3, pika 1, të këtij ligji;
- c) nuk provohet se pasuria ka prejardhje të ligjshme apo personat e përmendur në nenin 3, të këtij ligji, nuk arrijnë të përligjin zotërimin e pasurive ose të ardhurave, të cilat janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre.
- Në çdo rast, personi nuk mund të përligjë pasurinë, duke deklaruar si burim të saj të ardhura ose riinvestime, që rrjedhin nga mospagimi i taksave dhe tatimeve.
- Në rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, gjykata vendos pranimin e kërkesës për konfiskimin e pasurisë edhe kur akuza ose procedimi penal në ngarkim të personit të përmendur në pikën 1, të nenit 3, të këtij ligji, pushohet ose ai deklarohet i pafajshëm, me përjashtim të rasteve kur në vendimin e pushimit ose të pafajësisë deklarohet se:
- a) fakti nuk ekziston;
- b) fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale;
- c) del se i pandehuri nuk e ka kryer veprën penale.”.
Neni 26
Pas nenit 24 shtohet neni 24/a me këtë përmbajtje:
“Neni 24/a
Refuzimi i konfiskimit
Kur gjykata nuk vendos konfiskimin e pasurive të sekuestruara, zbatohen dispozitat e nenit 13 të këtij ligji.”.
Neni 27
Në nenin 25 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
- Në pikën 1, fjala “avokatit” zëvendësohet me fjalën “mbrojtësit” dhe fjalët “i dokumentuar rregullisht” zëvendësohen me fjalët “i dokumentuar sipas ligjit”.
- Pika 4 shfuqizohet.
Neni 28
Neni 26 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 26
Elementet e vendimit të gjykatës
Vendimi i gjykatës për marrjen e masës parandaluese përmban:
- a) gjykatën që ka dhënë vendimin;
- b) kohën dhe vendin e shpalljes së vendimit;
- c) emrin e prokurorit;
ç) pretendimet përfundimtare dhe kërkesat e palëve;
- d) llojin e masës parandaluese dhe kohëzgjatjen e saj, nëse masa është caktuar me afat;
- dh) llojin e pasurisë me të gjitha të dhënat, që shërbejnë për identifikimin e saj, përfshirë edhe vendndodhjen, ose çdo gjë tjetër që vlen për ta identifikuar atë;
- e) parashtrimin e përmbledhur të faktit dhe shkakun ligjor të masës parandaluese;
ë) masën e shpenzimeve procedurale, llojin e tyre, si dhe të dhëna për personin, të cilit i ngarkohen ato”.
Neni 29
Në nenin 27 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
- Në të gjithë nenin fjalët “në Kodin e Procedurës Civile” zëvendësohen me fjalët “në Kodin e Procedurës Penale”.
- Pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:
“4. Kur prokurori paraqet ankim kundër revokimit të sekuestrimit ose refuzimit të kërkesës për konfiskim, ekzekutimi i masës së ankimuar pezullohet deri në marrjen e vendimit nga gjykata e apelit”.
Neni 30
Në nenin 28 bëhen këto ndryshime:
- Pika 4 ndryshohet si më poshtë:
“4. Vendimi dhe urdhrat për kryerjen e veprimeve të posaçme i përcillen pa vonesë prokurorit që procedon, i cili mbikëqyr veprimet e ekzekutimit”.
- Pika 5 shfuqizohet.
- Pika 6 ndryshohet si më poshtë:
“6. Policia gjyqësore mban procesverbal për veprimet e ekzekutimit, i cili i dërgohet gjykatës nëpërmjet prokurorit”.
Neni 31
Në nenin 29 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
- Në pikën 3, fjalia e dytë shfuqizohet.
- Pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:
“4. Kur vendimi i formës së prerë që ka vendosur konfiskimin prishet nga gjykata më e lartë dhe pasuria i rikthehet zotëruesit të mëparshëm, me vendim të formës së prerë, ai ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim sipas legjislacionit në fuqi”.
Neni 32
Në nenin 32 bëhen këto ndryshime:
- Titulli ndryshohet si më poshtë:
“Përdorimi i mjeteve monetare të sendeve të konfiskuara”.
- Në fund të shkronjës “a” shtohen fjalët “dhe trafikimit”.
- Shkronja “c” ndryshohet si më poshtë:
“c) që përfitohen nga rimarrja e kredive personale. Nëse procedura e rimarrjes së tyre nuk është ekonomike ose kur pas verifikimeve të bëra nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara për aftësinë paguese të debitorit, rezulton se ai nuk ka aftësi paguese, kreditë personale anulohen sipas procedurës së parashikuara në nenin 30 të këtij ligji.”.
Neni 33
Në nenin 35 bëhen këto ndryshime:
- Në pikën 1, fjalët “si dhe për marrjen e vendimeve për destinacionin e pasurive” zëvendësohen me fjalët “si dhe për dhënien e rekomandimeve për destinacionin e pasurive”.
- Në pikën 2, fjalët “Kryetari i Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor” zëvendësohen me fjalët “Njësia e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”.
Neni 34
Në nenin 37 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
- Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligji shërbejnë për ngritjen e fondit të posaçëm për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimin ligjor. Fondi i posaçëm dhe masa e tij përcaktohen në ligjin vjetor të buxhetit.”.
- Në pikën 2 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Në shkronjën “a”, pas fjalëve “Prokurorisë së Përgjithshme” shtohen fjalët “Prokurorisë së Posaçme”. Në shkronjën “c” fjalët “dhe të dhunës” zëvendësohen me fjalët “dhe të trafikimit”. Pas shkronjës “c” shtohet shkronja “ç” me këtë përmbajtje:
“ç) dëmshpërblimin e viktimave të krimit të organizuar dhe të trafikimit në masën e përcaktuar me vendim gjyqësor.”.
Neni 35
Dispozitë kalimtare
- Ky ligj zbatohet për kërkesat e marrjes së masave parandaluese të paraqitura nga prokurori në gjykatën kompetente pas hyrjes në fuqi të tij.
- Për procedimet pasurore në fazën e hetimit, ky ligj fillon të zbatohet me hyrjen e tij në fuqi.
- Për pasuritë e vëna para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që kanë lidhje me veprat penale të reja që shtohen në nenin 3, pika 1, të tij, zbatohen parashikimet e pikës 6, të nenit 3, të këtij ligji.
- Deri në krijimin e gjykatës së kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, çështjet për marrjen e masave parandaluese kundër pasurisë do të gjykohen nga Gjykata për Krimet e Rënda.
- Me krijimin e gjykatës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar çështjet në gjykim për marrjen e masave parandaluese kundër pasurisë transferohen në këtë gjykatë dhe në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, sipas kompetencës lëndore për veprën penale të kryer, në bazë të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.
- Me krijimin e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar çështjet në hetim për marrjen e masave parandaluese kundër pasurisë transferohen në këtë prokurori dhe në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, sipas kompetencës lëndore për veprën penale të kryer, në bazë të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.
Neni 36
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R I: Ilir META
Miratuar në datën 27.4.2017