Basha: Fatmir Xhafaja të largohet menjëherë si ministër i Brendshëm
Në emër të opozitës Lulzim Basha, ka ripërforcuar sot kërkesën sipas së cilës “Fatmir Xhafaja të largohet menjëherë si ministër i Brendshëm dhe të hetohet”. Këtë kërkesë Basha e bëri në përfundim të një takim me drejtuesit e partive aleate. Sipas Bashës, “Në një javë fakte dhe prova të qarta janë bërë publike për Xhafajn. Prej ditësh është pritur dorëheqja ose shkarkimi i tij por ai hesht dhe i fshihet përgjegjësisë. Është fakt që Agron Xhafaj është kapur dhe dënuar nga drejtësia italiane, me 7 vjet e 2 muaj heqje lirie për trafik ndërkombëtar droge. Është fakt se ai i ka ikur drejtësisë, duke zgjedhur të mbetet në arrati. Është fakt që ai nuk ka vuajtur asnjë ditë dënim as në Itali as në Shqipëri. Është fakt që ai jeton dhe ka aktivitet në Shqipëri, duke ndryshuar emrin nga Agron në Geron. Në bazë të këtyre fakteve ligji shqiptar kërkon arrestimin e tij dhe verifikim pasurive të tij dhe vëllai të tij Fatmir Xhafaj. Fatmir Xhafaj ka manipuluar Kodin e Procedurës Penale për të favorizuar vëllanë e tij, i cili ka vazhduar rolin e drejtuesit të trafikut të drogës. Fatmir Xhafaj pengon zbatimin e ligjit të Antimafies, duke mos lejuar hetimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive. Agron Xhafaj nuk është thjesht i dyshuar por është i dënuar me vendim të formës së prerë por Fatmir Xhafaj ka penguar dhe pengon arrestimin dhe ekstradimin e tij. Të hetohet Fatmir Xhafaj, për mosarrestim, falsifikim ligji dhe mos-hetimin e pasurisë. Fatmir Xhafaja të largohet menjëherë si ministër i Brendshëm”, u shpreh midis të tjerave Basha.
Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Prej një jave fakte dhe prova të qarta janë bërë publike për aferën Xhafaj. Prej ditësh shqiptarët pavarësisht prej bindjeve politike kanë pritur që Fatmir Xhafaj të jepte dorëheqjen ose të shkarkohej.
Por Fatmir Xhafaj hesht dhe i fshihet përgjegjësisë së tij ligjore dhe politike.
- Është fakt se Agron Xhafaj është kapur në një operacion ndërkombëtar kundër një organizate kriminale të trafikut të drogës i cili është zhvilluar nga Policia Italiane dhe DEA, agjencia amerikane e luftës kundër drogës.
- Është fakt se Agron Xhafaj është dënuar në Itali me vendim të formës së prerë të konfirmuar nga Gjykata e Lartë e Italisë me 7 vjet e 2 muaj heqje lirie, për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal që kryente trafik ndërkombëtar të drogës.
- Është fakt se Agron Xhafaj i ka ikur drejtësisë, ka patur dijeni për të gjitha proceset, ka patur edhe avokat mbrojtës I cili ka ndjekur të gjitha shkallët gjyqësore, por ka zgjedhur që të mbetet në arrati gjatë gjithë procesit të gjykimit dhe dënimit.
- Është fakt se Agron Xhafaj nuk ka vuajtur asnjë ditë dënim, as në Itali dhe as në Shqipëri.
- Është fakt se Agron Xhafaj ka qenë dhe është në Shqipëri me identitet të ndryshuar nga Agron në Geron Xhafaj.
Të gjitha këto janë fakte.
- Në bazën e këtyre fakteve, ligji shqiptar kërkon që Agron Xhafaj të arrestohet dhe të vuajë dënimin që ka marrë.
- Në bazë të këtyre fakteve, ligji shqiptar anti-mafia kërkon që pasuritë e tij dhe të vëllait Fatmir Xhafaj të hetohen.
Fatmir Xhafaj si Kryetari i Komisionit të Ligjeve ka manipuluar përmes falsifikimit ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, për të shtuar një nen i cili e bën të pamundur ekstradimin në Itali të Agron Xhafajt.
Fatmir Xhafaj si Ministër i Brendshëm, është sic e ka thënë vetë “pikëtakimi me njerëz të pushtetshëm mes krimit dhe pushtetit”, i cili ka mundësuar përmes pushtetit të tij që i vëllai i tij Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë nga drejtësia italiane:
- Ti shpëtojë ekstradimit në Itali dhe vuajtjes së dënimit Italian në Shqipëri dhe
- të vazhdojë trafikun e drogës dhe të jetë një nga kokat e trafikut të drogës sic e panë dhe e dëgjuan dje mbarë shqiptarët.
Fatmir Xhafaj si Ministër i Brendshëm pengon zbatimin e Ligjit Antimafia i cili thotë:
- Se pasuritë e atyre që dyshohen për pjesëmarrje në organizata kriminale ose trafik droge sekuestrohen, hetohen dhe nëse rezulton që janë produkt i aktivitetit kriminal atëherë konfiskohen.
- Se edhe pasuritë e familjarëve përfshirë vëllezërit e atyre që dyshohen për pjesëmarrje në organizata kriminale ose trafik droge sekuestrohen, hetohen dhe nëse rezulton që janë produkt i aktivitetit kriminal atëherë konfiskohen, (në këtë rast vetë Fatmir Xhafaj dhe pasuritë e tij).
Në këtë rast Agron Xhafaj nuk është thjesht i dyshuar për pjesëmarrje në organizata kriminale ose trafik droge.
Agron Xhafaj është i dënuar me vendim të formës së prerë nga Drejtësia Italiane për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafik nërkombëtar droge.
Por Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm, ka penguar dhe pengon zbatimin e Ligjit Antimafia ndaj vëllait të tij dhe atij vetë.
Ky është rasti I vetëm në botë ku Ministri i Brendshëm përgjegjës për zbatimin e Ligjit Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia.
Në këtë situatë duhej që ndaj vetë Fatmir Xhafës të kishte nisur një hetim i gjithanshëm nga Prokuroria.
- Fatmir Xhafaj duhet t’i nënshtrohet së pari hetimit të ligjit antimafia për pasuritë si familjar i personave me aktivitet mafioz.
- Së dyti, duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, si rezultat i të cilave, vëllai i tij Agron Xhafaj i dënuar për trafik ndërkombëtar droge nga drejtësia Italiane me 7 vjet e 2 muaj nuk ka bërë asnjë ditë të vetme burg, as në Itali dhe as në Shqipëri.
- Së treti, duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, si rezultat i të cilave Agron Xhafaj i ka shpëtuar vuajtjes së dënimit.
- Së katërti, duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, që mundësojnë vazhdimin e aktivitetit kriminal të Agron Xhafaj.
Por as Ministria e Brendshme, as Policia, as Prokuroria e kapur nga dyshja Rama-Xhafa nuk vepron dhe nuk do të veprojë sa kohë Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm, eprori politik i Policisë që kryen verifikimet dhe hetimet dhe padroni politik i Arta Markut dhe Donika Prelës.
Prandaj Fatmir Xhafaj duhet të largohet menjëherë nga Ministër i Brendshëm.
Shqipëria nuk mund të përballojë dot të shkojë nga një ministër i brendshëm i drogës tek një ministër tjetër i brendshëm i drogës.
Fatmir Xhafaj refuzoi që vetingu në polici të fillonte nga ai vetë dhe tani është e qartë pse nuk e pranoi këtë.
Tani është momenti që të largohet si Ministër që t’i nënshtrohet ligjit anti-mafia.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë të kalojmë nga afera Tahirit, te afera Xhafaj. Ne nuk mund të kalojmë nga droga e Tahirit, tek droga e Xhafajt, e kështu me radhë.
Heshtja ndaj drogës dhe krimit, ndaj politikanëve të lidhur me krimin ndihmon vetëm krimin dhe politikanët e lidhur me të, jo Shqipërinë.
Ky nuk mund të jetë kurrë fati i Shqipërisë.
Në emër të Partisë Demokratike, në emër opozitës, kërkoj largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt nga detyra e Ministrit të Brendshëm.