Albspirit

Media/News/Publishing

INSTAT dhe Zyra Federale e Statistikave Zvicër, projekt për regjistrat vendorë

Projekt i ri midis INSTAT dhe Zyrës Federale të Statistikave Zvicër për ngritjen e regjistrave vendorë

3.2 milionë franga zvicerane do të mbështetin ndryshimet në statistikat vendore për të gjitha bashkitë e Shqipërisë

Statistikat vendore do të përjetojnë përmirësime të mëdha në katër vitet e ardhshme përmes projektit të ri të financuar nga Zvicra – SALSTAT. Lançimi u njoftua nga Drejtoresha e INSTAT-it Delina Ibrahimaj dhe përfshiu një prezantim nga Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Federale të Statistikave së Zvicrës Georges-Simon Ulrich.

“Vendimet e mira bazohen në evidencë, dhe evidenca bazohet në të dhëna, fakte dhe shifra. Të dhënat e besueshme janë gurët e qoshes për vendim-marrjen e bazuar në evidencë. Këtu në Shqipëri, është veçanërisht në nivel vendor ku të dhënat konkrete dhe të besueshme mbeten të rralla”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf Good gjatë lançimit. Ai përmendi që priste nga projekti i ri “një sistem të dhënash modern, të integrua, të aksesueshëm, dhe miqësor për përdoruesit në nivel vendor”.

“Përdoruesit e vërtetë të regjistrave statistikorë do të jemi ne prodhuesit e statistikave, bashkitë, qeverisja qendrore dhe vendore, institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe kjo i shërben një qëllimi të vetëm: sigurimi i shërbimeve më të mira publike për komunitetet ku jetojmë”, tha Drejtoresha e INSTAT Delina Ibrahimaj.

“Statistikat e besueshme janë gurët e qoshes së demokracisë. Ato janë shenja dalluese në një botë komplekse dhe japin informacion objektiv për të udhëhequr politikat”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Federale të Statistikave së Zvicrës Georges-Simon Ulrich. Ai shtoi se politikanët dhe qeveria detyrohen të jenë më transparentë kur statistikat e besueshme janë të disponueshme.

Lançimi i projektit u përshëndet edhe nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, i cili tha se “pa dyshim INSTAT është tashmë një institucion i pavarur”. Ai krahasoi gjendjen e tanishme kur si qytetar ai mund t’iu besojë statistikave të prodhuara nga INSTAT me gjendjen disa vite më parë kur shifrat e rritjes ekonomike vendoseshin nga udhëheqësit e qeverisë pa u bazuar në fakte.

SALSTAT do të ndërtojë statistika të bazuara mbi regjistra në nivel bashkie dhe do të mbështesë përmirësimin e censusit kombëtar. Deri tani censuset në Shqipëri kryhen mbi bazën e anketimeve që janë të kushtueshme dhe konsumojnë shumë kohë, ndërsa në vend të kësaj projekti do të punojë për të krijuar census të bazuar mbi regjistrat. Kjo do të thotë që informacioni qendror dhe vendor mund të ingetrohet në një sistem i cili lejon më shumë informacion të saktë dhe si rezultat edhe vendim-marrje më të mirë.

Ende në Shqipëri mungojnë regjistrat e besueshëm për popullatën, familjet, ndërtesat dhe banimin dhe kjo e bën të vështirë për bashkitë dhe kryebashkiakët që të bëjnë politika dhe të marrin vendime më efektive dhe më efiçente. Projekti do të shërbejë për të ndërtuar një sistem statistikash të besueshëm duke ndërtuar regjistra statistikorë multifunksional në linjë me metodat ndërkombëtare. Ai do të sjellë përvojën e Zvicrës në statistika të bazuara mbi regjistrat në nivel vendor dhe INSTAT do të koordinojë dhe mbështesë bashkitë në grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave. Bashkiët pritet të bëhen më të afta për të kryer punë statistikore moderne dhe të saktë si rezultat i projektit.

SALSTAT është pjesë e projektit më të gjerë ‘Bashki të Forta” – financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) – dhe ekspertiza do të sigurohet nga Zyra Federale e Statistikave Zvicër.

 

Please follow and like us: