U padit nga Agron Xhafaj, reagon Alibeaj: Pse s’i vunë prangat në Prokurori?
Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, njëri nga deputetet e paditur nga vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, ka reaguar për herë të parë pas padisë së ngritur nga Agron Xhafaj per audio-përgjimin e publikuar këtë të hënë.
“Kam dy gjëra për t’ju thënë: E para unë, zoti Bardhi dhe Salianji s’kemi bërë gjë tjetër veçse modestisht detyrën tonë si deputet dhe si opozitarë për të bërë transparencë për publikun, ky është detyrim i gjithë qytetarëve shqiptarë.
Së dyti, Agron Xhafaj, një person shqiptar i dënuar në Itali me vendim të formës së prerë troket në derën e prokurorisë dhe si vënë prangat ndërkohë e lë atë të bëjë një padi penale?
E kuptoni absurdin ligjor dhe institucional të kësaj situate? Nëse ka shkuar, akti i parë që duhet të bënte oficeri gjyqësor ti thoshte zgjat duart se do të vë prangat”, – tha Alibeaj teksa shtoi: “Nga ai audiopërgjim rezulton një person me emrin Agron, një numër telefoni që i përket shtetasit Agron Xhafaj.
Rezulton veç kësaj se ai ndodhet në Shqipëri. Rezulton se ai është në pozitat për të ndihmuar në trafikun e drogës. Ku e kemi sharë ne atë? Ne kemi bërë këto fakte. Zëri aty është i zotit Agron Xhafaj”, – tha Alibeaj në “Studio e Hapur në News24.