Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergji i lirisë, i lavdisë dhe i dinjitetit kombëtar

Anton Çefa

Është aq larg nesh – më se gjashtë shekuj nga lindja e tij, sa ta kundrojmë si Hero, me ato më të lartat virtyte njerëzore, por sidomos me ato virtytet aq të fisme, që e kanë shquar gjithnjë popullin tonë; por është edhe aq afër nesh, i kohëve e ditëve tona, sa ta kundrojmë gjithnjë si Hero, me ato më të lartat virtyte njerëzore dhe sidomos me ato më të fismet virtyte të “racës” sonë. Të tillë e ka ruajtur kujtesa popullore, të tillë e ka gdhendur populli në këngët, legjendat e gojëdhanat e veta, në veprat e ndryshme të artit aplikativ dhe të tillë e ka shkruar historia.

Qe koha kur një pjesë e mirë e trojeve tona ishte pushtuar nga turqit. Populli lëngonte nën thundrën e tyre për lirinë e humbur. I duhej një bir për ta udhëhequr në luftën kundër tyre. I duhej dhe e krijoi. Po, e krijoi në nënvetëdijen e tij para se të lindte: gojëdhëna thotë, siç na e ka dhënë Frang Bardhi, që e ëma, Vojsava, pau në ëndërr një dragua që në njërin krah kishte të vijëzuar një shpatë, me të cilën do të luftonte për të mbrojtur Arbërinë. 1). Një tjetër gojëdhënë shkon edhe më tej: Skënderbeu, kur lindi, e kishte të vijëzuar shpatën në krahun e tij. 2).

Shqipëria vërtet e lindi birin e saj, atë që do ta çlironte dhe do ta mbronte, sepse do ta donte siç don një bir nënën e tij. E krijoi atë prej dheut dhe prej qiellit të saj, prej baltës dhe ajrit të saj, prej kockës dhe frymës së saj; ajo e lindi atë njeriun e madh, Heroin, tek i cili do të shkëlqenin tiparet më dalluese të tharmit tonë etnik. E lindi për të na treguar çfarë jemi dhe për të na paraqitur para botës luftëtarë të lirisë, trima dhe guximtarë, fisnikë dhe dinjitozë.

Njeriu është strukturë e disa botëve: botës lëndore, anatomisë e fiziologjisë, mishit e gjakut; botës njohëse, ku mpleksen aftësitë e tij për ta shpjeguar veten dhe realitetin rrethues, tokën dhe universin, lëndën dhe idenë; botës emocionale, aftësisë për ta ndjerë realitetin së brendshmi, për ta dashur dhe për t’i vlerësuar shfaqjet e tij, për të ndjerë dhimbje dhe kënaqësi, për të shijuar bukuritë dhe për të urrejtur çoroditjet e tij e të tjerëve; dhe botës së vullnetit, përpjekjeve për të vepruar dhe për ta shndërruar realitetin ku gjendet, në përshtatje me qëllimet e idealet e veta, për të krijuar bukuritë dhe për të zhdukur shëmtitë e saj e të vetes.

Nga kjo mpleksje e larmishme vetish lëndore e shpirtërore të njeriut, çfarë ka spikatur më tepër krijimtaria popullor tek Heroi ynë ?

Edhe pse i larguar nga vendi i tij dhe nën trysninë e një mjedisi krejt të huaj, edhe pse nën peshën e një edukate e kulture krejt të ndryshme nga ajo e vendit të tij; ai jo vetëm nuk do ta harrojë, por do ta dojë ashtu siç e do shqiptari vendin e tij. Në kushtet e një emigracioni të detyruar, ku e pati përplasur fati dhe, duke mos pasur as mundësinë ta shfaqë, do ta ruajë thellë në zemrën e tij mallin përvëlues dhe atë ndjenjën më magjike që përjeton njeriu, dashurinë e dhimbshme për atdheun, dhe dëshirën e flaktë për t’i shërbyer atij – çka përbën shtratin ku rritet një prej idealeve më humane të natyrës njerëzore, ideali kombëtar.

Sa ndryshim me ca vezirë e pashallarë shqiptarë që arritën në rangjet më të larta të pushtetit në Perandorinë Turke, të cilët jo vetëm që nuk u kujtuan për vendin e tyre, por përkundrazi erdhën me hekur e zjarr për të shtypur kryengritjet popullore, që shpërthenin herëpashere! Dhe, për çudinë tonë më të madhe, ca shqiptarë “shkencëtarë”, na i lavdërojnë duke i ngritur në qiell dhe ca të tjerë, për turpin tonë, na i ofrojnë si heronj, duke sulmuar Heroin e vërtetë, Kastriotin e Madh. Nuk mund t’i mohohet që qenë të mëdhenj si administratorë dhe u bënë të njohur në botën e atëhershme; por nuk mund të pohohet edhe që kishin zemër shqiptare. Përkundrazi.

Në një këngë të mbledhur në fshatin Kodrali të Deçanit (Kosovë), rapsodi tregon që kur ushtarët shqiptarë që kishte me vete në Nish ia kujtojnë Shqipërinë, ai nuk mund ta fshehë përmallimin.

“Veni jonë-o asht n’Shqipni-e,

shqipja asht-o nana jon-e

mos gabo me u ba i huj-e!

Skënderbeu u përmallue,

Për vendlindje tuj kujtue.” 3).

 

Shumë udhëtarë të huaj që janë përshkuar nëpër vendin tonë e kanë vërejtur dhe vënë në dukje lidhjen e ngushtë shpirtërore të shqiptarit me vendlindjen, mallin e thekshëm dhe dashurinë e pakufishme për të. Po mjaftohem vetëm me dy shembuj:  “Kurrë s’kam parë dashuri më të madhe për vendlindjen!”, shkruan në fund të viteve ’40 të shek. XIX udhëtari anglez Mac-Ferlane për banorët e një fshati shqiptar në rrethinat e Shkupit, të cilët autoritetet e vendit kërkonin t’i shpërngulnin me forcën e bajonetave.” 4). Dhe Hobhouse, shoqëruesi i Bajronit në vendin tonë, thotë: “Asnjë vend i ri, asnjë pamje e re s’mund t’ua fshijë atyre (shqiptarëve, A. Ç.) kujtimet dhe dashurinë për malet, miqtë dhe për fshatrat e tyre” 5).

Qe koha kur malet tona qeveriseshin me Kanunin e tyre të kohëve më të lashta, Kanun të cilin e vuri në jetë dhe e pasuroi edhe vetë Heroi ynë; qe koha kur populli ynë e kishte formësuar që heret ligjësinë shpirtërore të jetës me atë pasuri morale aq fisnike, aq të dalluar nga popujt e tjerë dhe aq të vlerësuar nga të huajt, atë ligjësi që i kishte themelet tek burrëria, nderi, besa, trimëria, miqësia, dashuria e pakufishme për liri dhe atdhe, dhe gatishmëria për t’u flijuar për të. Është kjo pajë shpirtërore që e karakterizon Heroin tonë dhe e bën atë dëshminë më të gjallë të virtyteve tona etnike, e shquan atë në jetësimin, ruajtjen dhe lartësimin e vlerave morale, që përftojnë personalitetin autentik e origjinal shqiptar.

Në kushtet e luftës, ajo që del më në pah, natyrshëm, është aftësia e tij luftarake. Ai ishte një strateg i madh dhe luftëtar i pashok, me të gjitha cilësitë e një luftëtari, trim i çartur e guximtar.

Gjashtë shekuj më parë, kur lindi, jetoi e luftoi Skënderbeu, populli ynë jetonte ende në një qytetërim me mbeturina të theksuara mitologjike e pagane, prej të cilit do të shkëputej shumë vonë, a edhe nuk do të shkëputej kurrë plotësisht. Qe koha kur vatra shqiptare këndonte këngët e trimave legjendarë, Mujit e Halilit, dhe shokëve e bashkëluftëtarëve të tyre; prandaj rapsodi dhe tregimtari popullor shpesh e kanë trajtuar Heroin me ato veti fizike që janë karakteristike për këngët legjendare. Skënderbeu fluturon me kalin e tij nga një mal në tjetrin, pret katër copash me shpatën e tij shkëmbinj të mëdhenj për të nxjerrë ujë për ushtarët e tij të etur, bën kërdinë mbi armiqtë me shpatën e tij.

“S’ka pasë si Skanderbegju. Ai ka qanë me fletë nan sqetull. Mustaqet i kishte katër pllamë më njan’ anë e katër më tjetrën. Kur luftonte Skanderbegju, iu bajshin sytë xhak, ene qitte duhm prej gojet” – thuhet në një gojëdhënë të mbledhur në fshatin Macukull të rrethit të Matit. 6).

Aftësitë luftarake dhe cilësitë e tjera të personalitetit njerëzor që lidhen me to, ia kanë vënë në dukje popullit tonë të gjithë të huajt, që janë përshkuar nëpër vendin tonë në kohëra të kaluara. Po përmend këtu mjekun e njohur anglez Holland që shkruan: “Shqiptarët gëzojnë famën më të lartë ushtarake në Perandorinë Turke, në More, në Siri dhe në provimca të tjera” 7). “Zotësia ushtarake, thotë një Anonim, i është e lindur kësaj race, ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm”8). Dhe Çabej: “Natyra e ushtarit është një trajtë e përbashkët karakteri, një atribut konstant i këtij kombi” 9).

Gjithsesi, ajo që e dallon Heroin tonë në hullinë luftarake të personalitetit të tij është thjeshtësia – sa është komandant aq është edhe ushtar i thjeshtë; jo vetëm pse lufton si ushtar i thjeshtë, por kryesisht sepse sillet  si ushtar dhe si njeri i thjeshtë.

Edhe pse lavdia e tij pati kapërcyer kufijt e Shqipërisë, ai u shqua gjithnjë për sjelljet e tij modeste, plot thjeshtësi. Ai nuk e njihte mburrjen dhe kotësinë e të dukurit, që i brejnë aq shumë vetëdijet e shqiptarëve të sotëm dhe dëmtojnë veprimtarinë kombëtare.

Tek Skënderbeu bie në sy dashuria e trajtimi vëllazëror ndaj të tjerëve, ushtarëve dhe popullit të thjeshtë. Në një perlë të folklorit arbëresh, këndohet: “Hajin bukë si dy vëllezër/ Skënderbeu e Miloshini”10), duke u shpërfaqur thjeshtësia e këtij strategu të madh në marrëdhënie me luftëtarët të tij, dashuria vëllazërore dhe respekti e konsiderata ndaj tyre.

Bujaria dhe zemërbutësia përbëjnë tipare tjera të vlerta të figurës morale të Skënderbut. Në veprën “Skanderbegu mbas gojdhanash”, botuar në Shkodër në vitin 1926, e para dhe më e plota vepër e kësaj natyre, historiani, Atë Marin Sirdani, që nuk u përmend asnjëherë gjatë 50-viteve të diktaturës, sepse kishte të veshur zhgunin françeskan, si Fishta, Gjeçovi, e të tjerë, na jep disa gojëdhëna që tregojnë shumë raste në të  cilat Skënderbeu ua ka falur jetën dhe i ka lënë të lirë ushtarët armiq të zënë robër ose si ua fali jetën Mojs Golemit dhe Hamza Kastriotit, që e patën tradhtuar. Gjithashtu, ai shkruan: “Kishte formue Skanderbegu nji trupë të zgjedhun ushtrije prej ma se dy mi shqyptarësh, të cilt për dishiplinë, trimni e besniki s’kishin shokë në botë. Shpesh e shpesh u gjindte në mjes të tyne e u kujdeste me dijtë deri punët e nevojët ma të vogla të tyne. Disa herë hante në tryezë më ta, e mbas ndonji ngadhnije (ngadhnjimi, fitorje, A. Ç.) i u falte atij qi kishte diftue ma tepër trimni edhe i ipte me pi me qelqen e vet.”11).

Mënçuria karakteristike shqiptare e shoqëron Heroin tonë në çdo veprim. Në shumë gojëdhëna tregohet se si ai ua punon armiqve dhe del fitimtar, edhe pse rrethanat nuk i kishte në favor.

Urtia e maleve tona, jo vetëm në sjellje, por edhe në qëndrimet e veprimet e peshuara mirë, mbështetur në mënçurinë dhe përvojën e pasur jetësore si dhe në taktin e tij të përmbajtur, e ka karakterizuar gjithnjë. Me këtë cilësi të lartë sa mendore sa morale, ai pati fituar edhe të drejtën për të bërë pleqërime sipas ligjëve të Kanunit, deri në atë shkallë sa që Kanunin e trojeve kastriote, të quajtur “Kanuni i Arbërisë”, tradita popullore e lidhi me emrin e Skënderbeut, sepse ishte pikërisht ai që, në përputhje me kushtet e reja shoqërore, ekonomike e politike, bëri ndryshimet e nevojshme. “Kanuni i Skandërbegut” u mblodh dhe u kodifikua nga Dom Frano Illia dhe u botua në vitin 1993.

Gojëdhëna tregon që Skëndërbeu dhe Leka diskutonin normat kanunore dhe shpesh kishin edhe kontradikta. Në një rast, ata diskutuan çështjen e vlerës së njeriut lidhur me marrjen e gjakut. Skënderbeu i dha të drejtë Lekës, edhe pse kishte tjetër mendim, që “Çmimi i jetës së nierit asht nji, si për të mirin si për të keqin”, sepse “Sejcili mbahet i mirë dhe i thotë vedit: ‘Jam burrë’ e i thonë: ‘A je burrë!”… “Prandej gjaqet i la Leka si nja-nja: del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit. Shpirt për shpirt, se dukën e falë Zoti” 12).

Gojëdhëna të tjera flasin gjithashtu për pleqërime në bazë të kanunit që Skënderbeu bante me Kokë Malçin, një plak i mënçur i Kurbinit, dhe me pleq të tjerë. Heroi ynë këshillohej me të dhe pleq të tjerë të urtë jo vetëm për çështje kanuni, por edhe për çështje lufte.

Besnik i ngulët i zakoneve e traditave, gjithnjë e kudo, në çdo rast dhe për çdo gjë, në çdo sjellje dhe në çdo veprim, ai do t’u përmbahet atyre. Në këngën arbëreshe “Martesa e Skendërbeut”, këndohet: “Mblodh në Krujë Skendërbeu / bujarët dhe peshkopët, / me ta për t’u këshilluar / se në ç’ vend ta merrte nusen”. Bujarët e peshkopët e këshillojnë ta marrë nusen napulitane, të tjerë nga Pulja a Siqelia a vise të tjera, por përgjigjja e tij është:

“E di vetë se ke do të marr

Vashën e dua shqiptare

Nga gjuha dhe zakonet” 13).

 

Dhe mori Donikën, të bijën e Gjergj Arianitit, një prej personaliteteve kryesore historike të asaj kohe.

*   *   *

Me cilësitë e rralla fizike dhe sidomos me pajën e fisme shpirtërore, me meritat e tij të shkëlqyera në fushën e luftës dhe në veprimtaritë organizative për funksionimin e shtetit, me sjelljet e tij të shkueshme, të dashura e plot takt në marrëdhënie me të tjerët, dhe me shumë cilësi të tjera, Skënderbeu pati fituar në popull dhe ndër ushtarët nderimin, bindjen dhe besimin e të gjithëve dhe, mbi të gjitha, dashurinë e admirimin e mbarë popullit.

Kështu duhet shpjeguar legjendarizimi dhe idealizimi i Heroit nga populli; por nëse trajtimi në krijimtarinë popullore me elemente të legjendës shpjegohet nga fakti se ndërgjegjja artistike e popullit, në kohën kur jetoi Skënderbeu dhe pak më vonë mbas vdekjes së tij, luhatej mes legjendës dhe historisë, pra jemi në fazën e parë të kalimit nga kënga legjendare tek kënga historike; idealizimi buron nga admirimi i përgjithshëm popullor për Heroin.

 

Referenca

1.Frang Bardhi: “Skënderbeu”, Tiranë 1957, f. 73

2.Për gojëdhënat dhe këngët historike jemi mbështetur:

-Atë Marin Sirdani: “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar” “Shpresa”, Prishtinë, 2002.

3-Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë-Instituti i Kulurës Popullore:   “Epika historike 1”, f. 77-78 (fragment}.

4 –  Mac Ferlane, Ch.: “Turkey and its Destiny. The Results of Journeys made in                 1847”,  f. 70.

5-Hobhouse, J. C. “A Journey through Albania and other Provinces of Turkey    …”, f. 70-71.

6-Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, vepër e cituar, f. 127.

7-Holland, H. “Travels in the Ionian Isles, Albania, Thesaly, Macedonia, etc.               during   the years 1812-1813. London, 1815, f. 113.

8-Anonymi descriptio Europae Orientalis në. v. 1308. Cituar smbas Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” MCM, Tiranë, f. 27.

9-Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 27.

10- Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, vepër e cituar, f. 89.

11-Atë Marin Sirdani, vepër e cituar, f. 332.

12-   Kanuni i Lekë Dukagjinit, kodifikuar nga Atë Shtjefen Gjeçovi, Gjonlekaj Publishing Company, NY, 1989, f. 169.

13- Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, vepër e cituar, f.97.

Please follow and like us: