Skënder Minxhozi: Rama mban Xhafajn dhe zgjedh luftën
Ka qenë një vendim i vështirë ky i sotmi për Edi Ramën. Përballë një audiopërgjimi që implikonte vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj, i cili ka edhe një dënim ende të pakonsumuar në Itali për trafik narkotikësh, parashikimet për qëndrimin e kryeministrit ishin thuajse të pamundura.
Me një kthesë nga ato që është mësuar t’i ofrojë në vite para publikut, Edi Rama i ka lënë vend elokuencës së njohur dhe mesazheve të ashpra ndaj opozitës, duke njoftuar moslargimin e Fatmir Xhafajt nga posti. Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se ka inicuar një ekspertizë të përgjimit, nga i cili siç u shpreh, del se kemi të bëjmë me një manipulim. Duket pikërisht ky element, pra ekspertimi i përgjimit audio, faktori bazë i qëndrimit të ashpër të Edi Ramës ndaj opozitës dhe kërkesa insistuese për “burg shembullor” për ata që e kanë kurdisur këtë zallamahi kolektive. Pa harruar edhe gjestin e Agron Xhafajt, i cili deklaroi vetëdorëzimin pranë autoriteteve italiane për të vuajtur dënimin.
Nga aspekti politik, zhvillimet më të fundit brenda maxhorancës shënojnë triumfin e kompaktësimit, në vend të lëshimit të një komponenti delikat të qeverisjes, siç është kreu i ministrisë së brendshme. Pas ikjes së Saimir Tahirit, largimi i Xhafajt do të kishte qenë një thikë me shumë presa për shumicën qeverisëse, pasi së pari do të triumfonte idea se dikasteri në fjalë është drejtuar “tradicionalisht” nga persona të lidhur me narkotrafikun, e së dyti, pasi politikisht qeveria do të dilte tejet e dobësuar nga një ikje tjetër e bujshme.
Opozita u investua me mish e me shpirt ndaj aferës Xhafaj. E bënë këtë ata që në asnjë rast s’kanë pranuar ta venë veten para drejtësisë për akuzat që kanë pasur mbi shpinë. Më i pari Lulzim Basha, i cili nuk hoqi dorë nga postet dhe imunitetet as kur u akuzua nga Kushtetuesja për Detin, as kur prokuroria i vuri në dorë dosjen 220 milion euro të rrugës së Kombit dhe as kur në bulevard shtriheshin katër të vdekur, ndërkohë që ai ishte ministër i brendshëm. Kapja pas përgjimit të vëllait të Xhafajt shënon apogjeun, momentin kulmor të luftës opozitare. E djathta ka hedhur gjithë çfarë kishte në xhepa tek largimi i Fatmir Xhafajt e dihet që kur luan në këtë mënyrë dy janë mundësitë: ose të fitosh gjithçka, ose të humbësh gjithë çfarë ke!
Shpërthimi i skandalit më të fundit me vëllain e ministrit të brendshëm përbënte një shkëmb të rrezikshëm nënujor për Edi Ramën. Ende pa mbyllur vitin e parë të qeverisjes, ai drejton vërtetë i patrazuar nga zhurma e opozitës, por sheh sesi skandalet e lidhura me drogën po krijojnë një unazë të rrezikshme zjarri rreth pushtetit të tij, i cili ka numrat, por duhet të ketë edhe imazhin, moralin dhe fuqinë e duhur për të avancuar drejt pjesës së mbetur të mandatit. Rama e ndjen këtë rrezik në rritje, së bashku me humorin gri të një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare, për shkak të krizës ekonomike, papunësisë dhe mosbesimit të një pjese të shqiptarëve ndaj të ardhmes së afërt.
Një rënie e bujshme në rradhët e ekzekutivit në këtë moment, do të krijonte një masë kritike tejet të rrezikshme për balancën e fuqisë mes pozitës dhe opozitës. Nëse kryeministri ja arrin të demostrojë me prova se opozita luajti një lojë të pisët me audiopërgjimin, kjo do ta fuste edhe më thellë këtë të fundit në spiralen e krizës ku ndodhet prej vitesh, duke i dhënë maxhorancës një kartë të fortë morale në dorë për të vijuar punën.
Dalja publike e Ramës kundër audiopërgjimit shënon një zhvillim me rëndësi në përballjen aktuale mes pozitës dhe opozitës. Ajo përbën një akt konfrontimi total mbi një element të fortë besimi, siç është pastërtia e zyrtarëve të lartë të shtetit. E parë kjo edhe në dritën e avancimit të reformës në drejtësi, e cila po fillon të presë kokat e para në sistemin e drejtësisë.
Goditja e Fatmir Xhafajt, për gjithçka përfaqëson emri dhe figura e tij në raport me reformën dhe imazhin që ai ka tek të huajt, do të ishte një rënie e zhurmshme dhe me kosto të lartë për qeverinë. Rama ka vendosur sot t’i thotë “ndal” këtij procesi. Në pritje për të parë provat konkrete se ka pasur ose jo të drejtë. Tani sfida është hedhur: njëra palë do të dalë e pastër, e tjetra gënjeshtare. Kjo luftë s’mund të ketë më dy fitues.