Viron Kona: Çaste
Një udhëtar e nisi rrugën i vetëm,
po i dukej e gjatë dhe pa mbarim,
ec e shiko orën, mjedisin përreth,
eh, sa i mërzitshëm ky udhëtim!
Diku me të u bashkua një tjetër,
të dy ia nisën për qejf muhabetit,
por, ngaqë e kthyen në politikë,
ngritën zërat dhe ia nisën sherrit…
Kur panë nga larg që po vinte një i tretë,
shpresuan që ai sherrin do t`ua ndante,
por, çuditërisht, ai kish mendje tjetër:
si thoni, ia marrim të tre një kënge? 1)
Dy të parët u bashkuan si me zor n’këngë,
por shpejt ajo i bëri për vete me tingujt e saj,
tashmë dukeshin ndryshe, si të tjerë njerëz,
jo ata, që pak më parë ishin grindur e sharë.
Një erë e lehtë e përhapte këngën në pyll,
zogjtë kërcenin nëpër degë e cicëronin,
gjethet dhe bari fëshfërinin e mbanin iso,
krojet ujë kaltër, jehonin, gurgullonin.
U shfaqën buzë pyllit dhe kafshë të egra,
mbanin vesh këngën n`shkurre e shtigje,
muzika i tërhiqte,sikur ua zbuste egërsinë,
dukej dhe ato kalonin çaste të magjishme.
Të tre udhëtarët të shkrirë me natyrën,
atë rrugë të gjatë thuajse s`e ndjenë fare,
kalohet, thanë, m`mirë me këngë e miqësi,
sesa me grindje politike dhe me sharje…
1). Në Labëri thonë: “Po u bën bashkë tre lebër, ia marrin këngës”. Kurse në Përmet thonë: “Kur një njeri udhëton i vetëm, ai është vetëm; kur udhëtojnë dy, ata grinden; në qoftë se janë tre, ata do të këndojnë”.