Bujar Nishani: Çfarë tregoi në të vërtetë përgjimi i Habilajve dhe Xhafajve?
Kryeministri i Shqipërisë nuk bëri asnjë surprizë. Marrja në mbrojtje e vëllait trafikant droge të Ministrit të Brendshëm dhe inkurajimi për Ministrin e Brendshëm të përfshirë në aferën e protektorit të vëllait trafikant madje edhe duke ndryshuar ligjet e rëndësishme penale të shtetit, konfirmoj atë që shumë individë, shqiptarë dhe të huaj e dinin prej kohësh dhe që pak të tjerë dyshonin ta besonin. Kryeministri shqiptar konfirmoj modelin politik dhe sjelljen qeverisëse; të shtetit që dominon shoqërinë përmes grupimeve kriminale të trafikut të kokainës.
Prej kohësh qeverisja në Shqipëri ka ndalur. Institucionet janë të gjitha në kaos. Shërbimet publike inegzistente dhe paraja publike në grabitje, tani pa maska.
Debati nuk ka më mundësi të adresohet mbi to.
Trafiku i kanabisit që nuk ka të reshtur çdo ditë në brigjet italiane, kufirin grek dhe atë të Mali të Zi nuk përbën më një lajm skandaloz. U mësuam me to !
Marrja në mbrojtje e trafikantëve të kokainës dhe larja e mëkatit të qeveritarëve protektor të krimit të organizuar familjar është sot identikiti i qeverisjes në Shqipëri.
Ligjërimi i kryeministrit shqiptar në mbrojtje të vëllait trafikant të ministrit të tij ishte “mot a mot” i njëjtë me atë të të gjitha rasteve të autokratëve anembanë botës kur u janë zbuluar dhe denoncuar aferat korruptive dhe kriminale gjatë pushtetimit të tyre :…. “Armiqtë e huaj dhe opozita shpifin për ne që të na marrin pushtetin”.
Për kryeministrin shqiptar, vëllai trafikant i ministrit të brendshëm ka bërë një gabim në rininë e hershme i shtyrë nga “veset e kapitalizmit të poshtër” që sot personifikohet tek deputetët evropian që nuk e duan Edi Ramën.
Për kryeministrin, vëllai ministër i trafikantit të kokainës nuk e ka fallcifikuar ligjin penal shqiptar në interes të vëllait trafikant sepse atë ndryshim të ligjit e kanë votuar të gjithë deputetët besnik të kryeministrit, qeveria e të cilit prodhon frekuentisht ministra të brendshëm të lidhur me trafikantë droge.
Kryeministri shqiptar tashmë përveçse vetëshpallet prokuror e gjykatës, u del garant shqiptarëve si ekspert high tech për një provë kriminale që në fakt rrëzon atë vetë si kryeministër.
E nuk kaloj as 24 orë nga përpëlitja e kryeministrit për të fshehur trafikantin dhe vëllain e tij ministër kur Dëshmitari me zë, figurë dhe mendje më të kthjellët se vetë kryeministri e demontoj atë tërësisht në sytë e opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtar.
Edhe këtë herë kryeministri shqiptar me ligjërimin e tij nuk i zhgënjeu bashkëpunëtorët e vet.
Ligjërime të tilla të kryeministrit shqiptar në këto pesë vite të pushtetit te tij për bashkëpuntorë të lidhur me krimin kanë qëlluar të jenë të shpeshta.
Më të fundit ato në mbrojtje të Habilajve dhe lidhjes së tyre me Ministrin e Brendshëm (të ikur tashmë) dhe ajo e trafikantit Agron Xhafaj dhe lidhjes së tij me Ministrin e Brendshëm (në detyrë ende).
Por të gjitha këto qëndrime të Kryeministrit kanë padyshim një qëllim dhe një synim !
Nuk bëhet fjalë aspak për të mbuluar veprimtarinë krimimale të trafikut prej Habilajve dhe Xhafajve, Jo !
Ata nuk i dhimbsen atij.
As edhe të lidhjeve të tyre me Ministrat e njëpasnjëshëm të Brendshëm, Jo !
Qëllimi i betejës që kryeministri po i bën opinionit publik shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtar është të mohojë ende faktin se Si dhe me Kë ai i vodhi zgjedhjet politike.
Me Kë dhe Si po e qeveris Shqipërinë.
Me Kë dhe se Si po i mban të shantazhuar dhe kërcënuar shqiptarët !
Përgjimet autentike të Habilajve dhe Xhafajve nuk ishin për tu treguar shqiptarëve se këta bënin trafik droge.
Atë e dinte i madh e i vogël në Shqipëri.
As, se në këtë veprimtari kriminale ata garantohen dhe shpërblejnë financiarisht kupolën e shtetit, duke nisur me ministrat e brendshëm të vendit !
Këtë ska polic e prokuror që nuk e di.
Ato përgjime u dhanë faktin dhe provën, grup-faktet dhe grup-provat atyre që donin “të dinin” se sa grupe kriminale veprojnë në Shqipëri për të vjedhur zgjedhjet ?
Se sa anëtarë kanë këto grupe kriminale në përbërjen e tyre gjatë vjedhjes së votave ?
Se si vidhen votat dhe si prodhohet maxhoranca qeverisëse në Shqipëri nga zgjedhjet “konkuruese” ?
Këto përgjime autentike dhe reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë, tregoj se me Çfarë dhe me Kë, u duhet të përballen shqiptarët.
Kërcënimet e Kryeministrit dhe përfundimet ligjore të tij e mbyllën përfundimisht debatin ligjor dhe institucional.
Prokuroria e shtetit e mori porosinë se cili duhet të jetë konkluzioni i hetimit të regjistrimit të vëllait trafikant të ministrit.
Në fakt nuk ka asnjë të papritur as në këtë rast.
Ky ishte qëllimi në të vërtet i dërgimit në zyrën e Prokurorit të Shtetit të të përzgjedhurës së kryeministrit, madje edhe duke grisur publikisht Kushtetutën e Republikës.
E bëri atë pikërisht për shkak të këtyre ditëve të zeza që po kalon dhe atyre që do të vijnë në përballjen me ligjin.
Por dëshmitari “i hodhi në erë” të gjitha përpëlitjet dhe koordinimet në dukje sharlatane por në thelb penale.
Ndryshimet ilegale të ligjit penal shqiptar nga Ministri i Brendshëm si shërbim i parë shkuan në garancinë për bllokimin e ekstradimit të vëllait trafikant.
Por përtej asaj, ato më tej injoruan ndër sy të të gjithëve, Konventën Evropiane për ekstradimet, ku Shqipëria është palë dhe për më keq akoma, minuan rëndë marrëveshjet e ekstradimit që Shqipëria ka nënshkruar me Italinë, SHBA dhe Britaninë e Madhe, duke i bërë një karshillëk ballkanik këtyre partnerëve të pazëvendësueshëm për shqiptarët.
Dëshmitari X, tani nuk është më vetëm prova e aktivitetit kriminal të vëllait të ministrit por edhe dëshmitar dhe prova e pakundërshtueshme e përfshirjes së Kryeministrit në mbrojtje të trafikantit Xhafaj dhe protektorit ministër.
Pas dëshmitarit me zë e figurë, Kryeministri dhe Ministri Brendshëm mund të vijojnë të qëndrojnë në zyrat e tyre me çdo çmim që po ja ngarkojnë mbi kurriz Shqipërisë.
Por barra që do bjerë nga këputja e këmbëve nga kjo peshë e papërballueshme do bëjë dëm të madh.
Kryeministri nuk bëri asnjë surprizë në mbrojtjen që bëri.
Sepse në të vërtetë ai mbron të gjithë USHTRINE dhe ushtarët e vjedhjes së zgjedhjeve, vjedhjes së votave, vjedhjes së pushtetit, vjedhjes së demokracisë shqiptarëve.
Këtë vjedhje ata do vazhdojnë ta bëjnë për aq kohë sa do ti lejojnë, por moralin e tyre nuk na e imponojnë dot.
Atdheun nuk na e marrin dot!
Fjalën e kanë shqiptarët.