Diplomohen në Izrael specialistë shqiptarë në fushën e teknologjive të pastra
Eltjana Shkreli nga Shqipëria dhe Admir Shala nga Kosova ishin midis specializanteve nga 21 vende të ndryshme të botës.
Dy specialistë shqiptarë, Eltjana Shkreli nga Shqipëria dhe Admir Shala nga Kosova, ishin midis specializantëve nga 21 vende te ndryshme të botës, në fushën e teknologjisë se lartë pranë Weitz Center for Sustainable Development, në Fakultetin e Bujqësisë të Hebrew University në Rehovot, Izrael.
“Diplomohen dy specializante nga Shqipëria dhe Kosova pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Izraelit, MASHAV, në fushën e teknologjisë të lartë”, shkruhet në faqen në Twitter të Ambasadës së Shqipërisë në Izrael.
Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Bardhyl Canaj, ishte i pranishëm gjatë ceremonisë.
Eventi u organizua nga MASHAV, Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim e Izraelit dhe u zhvillua në datat 22 prill-16 maj, me temën “Teknologjitë e pastra – Teknologjia mjedisore, inovacioni dhe sistemet e menaxhimit si një mjet për zhvillimin ekonomik rajonal dhe lokal”.
Investimet në teknologjinë e pastër janë rritur ndjeshëm. Tregjet për teknologjitë e energjisë së pastër u rritën nga më pak se 7 miliard dollarë në vitin 2001 në mbi 188 miliardë dollarë në vitin 2010.