Ilir Levonja: Midis teatrit dhe piramidës
Eshtë sot një nga lajmet më të pakta të ditës, megjithëse mbrëmë qe një show i radhës mes Erionit dhe Edi Ramës. Kjo, mos prishja e piramidës, ish muzeut të Enver Hoxhës, në zemër të Tiranës. Një nga paradokset e radhës të shqiptarëve, kur mendon se ka më shumë se një vit debate prishja e Teatrit Kombëtar. Një vit debate se si strategji është hedhur me kohë, bashkangjitur atyre metodave të mos dhënies së fondeve të mjaftueshme për mirëmbajtje etj. E bëjnë qëllimisht siç edhe po veprojnë përshembull me hekurudhën, që kur të vij momenti t’i shesin vetëm emrin drejt një privatizimi ku thelat e rryshfetit të kënaqin palët. Këto krijesa më antikombëtare të sojit shqiptar. Sot të gjithë janë përfshirë tek ethet mes ministrit të brendshëm dhe të vëllait, tek një video etj. Ndofta për t’i dhënë pak frymëmarrje ngjarjeve të tjera të para pak ditëve, scoopeve tona me Sajmirin, Izetin a drejtësinë e përdorur dhe miliarderët e saj nga objektet e qiradhënë dhe çështjet e kapakosura për ca pako eurosh a dollarësh. Në fakt kur i mendon dy objekte, Piramidën dhe Teatrin. Ku për të parën lali Eri u shpreh se do i japim fund rrënimit të saj. Dhe Edi Rama që kishte përfituar idenë nga i biri për qendër argëtimi për fëmijët. A ku di unë se çfarë…, por shoh një vendimmarrje telefonatash mbi objektet që duam apo nuk duam ne kanë brenda edhe gjakun edhe historinë tonë.
Objekti i parë është një vepër e re nga dashuria e çmendur e shqiptarëve me dështimin. Që për kohën i ka kushtuar bash sa një varfëri njëqind vjeçare dhuratë nga ”zoti” për ne. Pra aq shumë sa fare mirë me ato para mund tu kishim bërë dhuratë shqiptarëve nga një shtëpi pushimi falas në tokat e bregdetit. Dhe po të më pyesnin mua, duhej të mbeste ashtu, muzeu i diktatorit, pikërisht për këtë…, dështimin kombëtar. Madje të pasurohej totalisht edhe me viktimat e diktaturës së proletariatit për t’i dhënë vetvetes qartësinë në botën e humbur prej errësirës dhe idiotësisë. Një muze po për Enverin me të gjithë mitologjitë e tia të nevojshme dhe të panevojshme. Të jeni të sigurt se edhe nga ana komerciale kultura muzeale do kishte më shumë sy e këmbë. Dhe ndofta historia për herë të parë do të fliste me zërin e saj për shqiptarët. Jo me zërin e atij që e do dhe atij që nuk e do. Por me zërin e së vërtetës.
Por nuk ndodhi… gjatë gjithë kësaj kohe ka kaluar në fije të perit me mendimin për t’u rrënuar. Për t’u prishur… nga ana tjetër gëloi si sallon panairesh e plot zhurmash të tjerash.
Deri sa sot, kastës së pinjollëve u duket të nxitojnë ta shpëtojnë dhe jo më përmes strategjive të tri p-ve. Kjo çudi qeveritare e partneritetit me privatin. Që na truall dhe bëj çfarë të duash…, por përmes fondeve qeveritare që në rastin e teatrit kombëtar, nuk i ka.
Objekti i dytë, daton herët, në planet e rregullimit të kryeqytetit tonë nga arkitektët italianë. Ka brenda vetes si të thuash abc-ën e artit skenik. Me firot, me absurdin e ideologjisë, sekretarin e partisë etj. Me drejtorët partiakë. Me arrestimet, ndëshkimet, përzëniet. Me të gjitha gjërat njerëzore, deri tek flirtet dhe intimitetet e tjera. Apo butaforitë e pleniumeve dhe kongreseve. Megjithatë ka formëzuar shkollën e artit tonë. I ka kaluar nga vrimat e çelsit, e çelsave të përgjimit, luftës së klasave etj…, plot korifej të fjalës. Duke i dhënë kështu historinë e parë të artit tonë njomëzak skenik. Aq sa një pedagog historie ka me se t’i mbushi planet e punës. Mjaft e vetëm me karrocat shëtitëse të Europës, por tashmë edhe me pionerët tanë. Dhe janë një batalion karakteresh, arritjesh…, sa të vjen pështirë të mendosh se mbi ato, do kalojë pshurrja e ”patriotëve” si Edi Rama dhe lali Eri. Apo të tri p-të e famshëve të gradaçielave që po i dalldis shqiptarët e rrugicave me avlli e skela rrushi. Një pedagog nuk ka përse t’u thojë më studentëve, aty ku sot është pesëmbçdhjetëkatshi, ka qënë teatri. Jo, jo aspak… por ka mundësinë t’i çojë atje e t’i flasi për artin e Naim Frashërit, Pitarkës, Pelingut, Roshit, Prosit etj. Se janë me shumicë, por dalldia dhe marria jonë e gradaçielave, u hedh pluhur e plehra përditë.
Janë një batalion, ku një tufë zyrtarësh partiakë a ca shushunja tenderash, janë gati t’i varrosin shtatë pashë nën dhe’ për ca dollarë më shumë. Ca qeveritarë që shohin rrënimin vetëm tek piramidat e gjeniut të dështimit, dhe, kurrë një herë tek galeria e pafund e artistëve tanë. E arritjes sonë. Neve, koha na afron përjetësinë, na pasuron katedrën, ne prapë, jo e jo…Koha na ofron pasurinë, ne prapë, jo e jo. Koha na ofroi njerëzit, gjeninë tonë, na ofron platformën, ne prapë jo e jo… Shikoni sa progres pra, kanë bërë, apo kemi bërë ne shqiptarët. Në vend të historisë, zgjedhim rrëninim, shpërbërjen, shfarosjen e saj.