Zaev dhe Tsipras bien dakord për emrin e ri të Maqedonisë
Pas samitit të Sofjes mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, gjatë punimeve të të cilit janë zhvilluar edhe takime dypalëshe si ai mes kryeministrave Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev, për zgjidhjen e ngërçit disavjeçar mbi emrin e Maqedonisë.
“Besoj se kemi përshkuar pjesën më të madhe të distancës, por kemi ende për të përshkuar. Nuk jemi ende në pozicionin për të folur mbi një marrëveshje”, – u shpreh kryeministri grek, Alexis Tsipras.
“Kemi diskutuar një zgjidhje “specifike” për mosmarrëveshjen e emrit, që do të ishte e pranueshme për të dyja palët, por duhet të zhvillojmë bisedime më të thella në vendet tona respektive”, – tha Zaev pas takimit.
Zgjidhja “specifike”, siç raporton gazeta “Koha” bazuar në burimet e saj diplomatike në Shkup, duket se është “Ilindenska Republika Makedonija”, e cila shihet si e pranueshme nga të dyja palët.
Megjithatë, deri në zyrtarizimin e saj do të duhet ende kohë, pasi duhet siguruar edhe miratimi nga palët opozitare të të dyja vendeve.