Ermela Kripa: Koha për deeuroizimin e ekonomisë
Euroizimi/dollarizimi është një fenomen karakteristik i vendeve në zhvillim që përbën zgjidhjen më të mirë për mbrojtjen e pasurisë së publikut të gjerë, atëherë kur kemi zhvlerësim të kursit të këmbimit për shkak të paqëndrueshmërisë makroekonomike. Ky fenomen është zhvilluar ndjeshëm në Shqipëri pas viteve 1990, kjo për shkak të një sistemi makroekonomik të paqëndrueshëm apo nivele të larta të inflacionit. Gjithashtu, në vendet e vogla dhe të hapura ndaj tregtisë së lirë, siç është edhe Shqipëria, niveli optimal i euroizimit është më i lartë se në vende të tjera. Sipas studimit të fundit të bërë në janar të 2018-s nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ky nivel për Shqipërinë është 10% më i lartë se norma e lejuar. Përdorimi i euros si zëvendësuese e monedhës lokale, apo si një mjet pagese për vite me radhë në tregun shqiptar, kryesisht në atë bankar por jo vetëm, ka sjellë si përfitime, ashtu edhe kosto. Te disa prej kostove të euroizimit mund të përmendim: humbjen e seniorazhit si burim i të ardhurave reale dhe uljen e efektivitetit të politikës monetare e cila mund të rritë ndjeshmërinë financiare. Për më tepër, Autoriteti Monetar nuk ka më mundësi për të zhvlerësuar monedhën apo për të financuar deficitin buxhetor duke krijuar inflacion, që në disa raste do të ishte i nevojshëm.
Ndërkohë, një prej përfitimeve kryesore të euroizimit është ulja e nivelit të inflacionit. Qëndrueshmëria monetare përbën një nga elementet më të rëndësishme për të siguruar rritjen dhe zhvillimin e një vendi. Gjithashtu, përdorimi i euros apo i dollarit çon në stabilizimin (uljen) e normave reale të interesit. Një tjetër avantazh i euroizimit është edhe ulja e rrezikut të monedhës së huaj krahasuar me monedhën vendase. Pra, euroizimi përbën një mjet sigurie të rreziqeve të ndryshme të portofolit të investimeve. Në drejtim të stabilitetit financiar, euroizimi rrit ekspozimin e sistemit financiar dhe të operatorëve ekonomikë ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe ndaj situatave të stresit të likuiditetit në valutë.
E megjithatë, edhe pse në Shqipëri është arritur stabiliteti makroekonomik, një pjesë e mirë e agjentëve ekonomikë ende vazhdojnë të operojnë në monedhë të huaj duke kërkuar në to mbrojtjen e investimeve të tyre. Nga ana tjetër, agjentët ekonomikë vazhdojnë ende të përdorin monedhat e huaja edhe për arsye të optimizimit të portofolit të tyre të investimeve.
Sipas studimit të FMN-së, disa prej faktorëve që e kanë ndikuar këtë nivel të lartë të përdorimit të euros në Shqipëri lidhen me faktin që vendi ynë është një treg i vogël dhe i hapur, niveli i lartë i remitancave ndaj GDP-së, si dhe fakti që Shqipëria nuk ka një treg të zhvilluar financiar.
Megjithatë niveli i euroizimit në Shqipëri është tejet i lartë, ndaj është e nevojshme që aktualisht të merrem masa për kontrollin dhe uljen e tij.
Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një strategji gjithëpërfshirëse të deeuroizimit, me mbështetjen teknike të FMN-së, e cila është në linjë me rreziqet e stabilitetit financiarë që rrjedhin nga niveli i lartë i euroizimit, ndërkohë që stabiliteti makroekonomik ruhet nëpërmjet politikave të shëndosha dhe të qëndrueshme.
Ndaj sipas BSH, qasja për deeuroizimin duhet të jetë gjithëpërfshirëse ku edhe autoritetet e tjera të vendit mund të identifikojnë dhe të ndërmarrin masa të caktuara që cilat nxisin publikun dhe agjentët ekonomikë të rritin shkallën e përdorimit të monedhës kombëtare në transaksionet e tyre. Për këtë qëllim, është realizuar Memorandumi i Bashkëpunimit ku Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare janë angazhuar që brenda fushave përkatëse të kompetencës dhe në mënyrë sa më të harmonizuar, të identifikojnë veprimet e nevojshme në drejtim të deeuroizimit më të përgjithshëm ekonomik, duke përfshirë edhe komunikimin me publikun.