Albspirit

Media/News/Publishing

Ditënetët e librit hapin siparin në Muzeun Historik Kombëtar

Përgjatë katër ditëve Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i pushtuar nga librit. Shtëpi Botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë zënë hapësirat e tyre për të sjellë botimet më të fundit, në festën e librit.

Janë Ditënetët e librit, organizuar nga KlikEkspoKlik, të cilat përgjatë katër ditëve do të sjellin një maratonë aktivitetesh me në fokus librin. Festivali nderoi me çmim në hapje zv/ministrin e Kulturës së Kosovës Rexhep Hoti për kontributin e dhënë në kulturën shqiptare, studimet mbi veprat e Kadaresë dhe lirizmin në vargje.

Më tej të pranishmit ndoqën një mbrëmje kushtuar poezisë së Kosovës. Aktorë si Laert Vasili, Justina Aliaj recituan vargje nga poetë të njohur të Kosovës. Pandeli Koci njohës i mirë i kësaj letërsie tha se duhet të ketë më shumë mbrëmje të tilla për të njohur njëri tjetrin. Në ceremoninë e hapjes ishte e pranishme dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e cila e cilësoi këtë festival një risi më shumë për qytetin.

“Në gjithë këto vite kemi pritur si për Godonë, që të mbërrinte diçka e rrallë dhe e rëndësishme: ndarja së bashku e një kohe të pasur kulturalisht. Mbushja e kësaj kohe me emocion, mendime, ide, diskutime librash. Takime që të japin shpresë e të bëjnë të ndjehesh i vlefshëm, ku nuk flitet veç për përfitime të shpejta, zgjidhje praktike, kënaqësi që treten pa lënë shenjë. Kemi dashur të krijojmë grupime, shoqëri që i bashkon Shenjti i pazëvendësueshëm, Libri. Të krijojmë kushtet për një atmosferë mikëpritëse për njerëzit që e duan librin, si për ata që e shkruajnë, ashtu dhe për ata që e lexojnë”, tha Kumbaro.
Ndërsa Elona Agolli presidente e festivalit u shpreh se “ky event i bën brezat më të ndjeshëm ndaj mbrujtjes me librin e botimet, e duke e parë së bashku këtë domen nga këndvështrimi i krijuesit, autorit, përkthyesit, mbartësit fillestar të vlerës”.

“Sfondi Historik i Vitit Mbarëshqiptar të Skënderbeut, thërret ‘Ditënetët e Librit’ që përmes nismave me ‘libër e penë’, të kontribuojë në promovimin dhe përçimin e trashëgimisë kulturore e të traditave, të përbashkojë diasporën dhe shqiptarët përtej kufijve në një kuvend virtual vlerash, duke kultivuar ndërgjegje e krenari për thesaret e shqiptarëve të këtej e përtej Drinit. Gjatë ditëve të festivalit, të pasionuarit do të kenë mundësi t’i prekin këto vlera shqiptare, të shtrëngojnë duart e bashkëbisedojnë me mendjet që i kanë krijuar e trashëguar ato, teksa këtu Kosova mbërrin mes vargjesh poetësh të dashur të pamoshë dhe përmes personalitetesh, që na nderojnë me praninë e tyre e që bartin me vete kontribute me peshë në nismat kulturore përbashkuese”, tha Elona Agolli.

Në datat 16 deri në 20 maj, “Klik Ekspo Group – UFI Member”, lëviz objektivin drejt librit. “Ditënetët e Librit” është festivali ndërkombëtar, që mëton të bëjë bashkë dhe fuqizojë trinomin “autor – botues – lexues”, në një ngjarje të rrallë kulturore dhe edukative, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.

Libri dhe botimet në një mobilizim gjithëpërfshirës në mbarë Ballkanin, rajonin e dashur me karakteristikat e përngjashme e veçantitë, përfaqësuar në këtë pikëtakim përmes shkrimtarëve, botues, industrialistë, përpunues të fjalës së gdhendur në letër, sipërmarrje gjithashtu që kanë lidhje direkte dhe indirekte me fushën e pamatë të botimit e të librit.

Please follow and like us: