Bedri Blloshmi: Fabrikimi i vdekjeve, rasti i Blloshmit dhe Lekës
12 qershor 1977. Për 24 orë isha një i dënuar me pushkatim me akuzën për sabotim. Të nesërmen gjykata e Librazhdit e la në fuqi dënimin me vdekje, me të njëjtën akuzë, për vëllain tim, Vilson Blloshmi, dhe kushëririn tim, Genc Leka. (Ata dolën para skuadrës së pushkatimit më 17 korrik 1977). Mua, përfundimisht, më dënuan me 25 vjet burg. Hyra në qeli më 1 prill 1976 dhe, falë ndryshimeve politike, dola nga burgu i Burrelit në 29 mars 1991. Plot 15 vjet burg.
Pas meje erdhi në burgun e Spaçit për të dytën herë dhe xhaxhai im, Hasan Blloshmi, i cili vdiq i sëmurë në burg. Ndërsa familja ime për 10 vjet rresht do degdisej në internim. Kjo familje e përbërë prej 21 personash, nga të cilët 1 u pushkatua dhe dy të tjerë u dënuan me burgim të rëndë.
Kur dola, isha betuar të gjej eshtrat e këtyre të dashurve të mi, që të varroseshin siç e meritonin.
Kërkova për më shumë se një vit e gjysmë përrua më përrua dhe pllajave të shkretuara të Librazhdit. Më në fund i gjeta. Mes eshtrave të zhveshura nga mishi, gjeta të mallkuarin plumb të oksiduar. Pasi ia arrita kësaj, u vura të rëmoj në arkiva e kudo gjetkë, për të gjetur gjithë ç’kishin lënë të shkruar, si: poezi, letra, përkthime, studime, vëllai im Vilsoni dhe miku më i mirë i tim vëllai dhe kushëriri ynë, Genc Leka.
Deri tani ka dalë e plotë në dy vëllime Vepra e tim vëllai dhe është gati për shtyp edhe Vepra e Genc Lekës.
Ajo çfarë më mbeti nga kërkimet e mia nëpër arkiva, përtej krijimtarisë së shkruar nga dora e tyre, janë dhe dokumente nga dosjet e tyre në arkivat e Sigurimit, nga dosja hetimore dhe gjyqësore. Mendova që edhe këto t’i hedh në shtyp, pasi të dilte Vepra e tyre letrare. Dosjet operative që po botoj, i kam siguruar në vitin 1997, nga një miku im i cili nuk jeton më. Ato tregojnë se si mund të fabrikohet vdekja e një fajtori pa faj.
Pjesë nga këto dokumente arkivore po i sjell në këtë libër.
2.
Për fat, botimi i veprës letrare foli më mirë se unë për vlerat e tim vëllai dhe të tim kushëriri. Shqipëria gjithmonë ka patur djem të zotë, por shpesh atyre u është prerë koka në kërcu. Jeta dhe vepra e tim vëllai dhe e tim kushëriri e dëshmojnë këtë.
Më ka prekur veçanërisht pritja që i bëri media promovimit të Veprës së tim vëllai: të nesërmen të gjitha gazetat pa përjashtim kishin shkrime vlerësuese, intervista me profesorë të universiteteve… Kisha realizuar kështu dëshirën më të madhe të një krijuesi: botimin e veprës së tij. Të ishte gjallë vëllai im dhe të shihte: së paku për një ditë vepra e tij, fotografitë e tij, vjershat, përkthimet e tij kishin pushtuar gjithë shtypin shqiptar. Edhe televizionet e përcollën me dashamirësi dhe seriozitet këtë ngjarje.
Ai, sa ishte gjallë, nuk kishte botuar asnjë rresht nga shkrimet e tij.
3.
A do ta arrij këtë vlerësim në opinionin e lexuesve dhe me botimin e këtyre dokumenteve arkivore? Ndoshta gaboj, por një mendje më thotë se kjo nuk do të jetë e mundur. Madje mund të më merret për keq botimi i këtyre dokumenteve arkivore.
Por do t’i botoj. Ashtu siç nxora nga dheu eshtrat e tyre, ashtu siç nxora nga arkivat librat e tyre, ashtu duhet të nxjerr në dritë të diellit se si u trilluan lloj-lloj shpifjesh, se si u bënë një sërë provokimesh, se si u përndoqën. Do t’ju bëj të njohur mekanizmin e dënimit të tyre me vdekje, me pushkatim. Çdo urdhër në fund mbante firmën e një sigurimi.
Një shtet i tërë me shefa e funksionarë të partisë e të ekzekutivit, me funksionarë të lartë e me kryetarë vendorë Sigurimi, me oficerë Sigurimi, me spiunë dhe provokatorë, me drejtues të partisë e të ekonomisë në fshatra, në miniera e në ferma u janë vënë në gjurmë hap pas hapi, në çdo ditë, në çdo vit vëllait tim dhe kushëririt tim. Kështu i përndiqnin mizorisht për vite me radhë derisa i pushkatuan.
Pse ndodhi kjo?
Pse shteti paguante kaq funksionarë, oficerë, agjentë e hafije për të vrarë dy njerëz që tashmë publiku i njeh: dy njerëz pa asnjë precedent penal a civil, me jetë të rregullt, familjarë, të martuar, që e nxirrnin jetën duke punuar me kazmë në ferma a në miniera dhe që, pas këtyre punëve të rënda, shkruanin poezi, përkthenin, bënin studime? Çfarë rreziku përbënin ata për shtetin? Ç’e keqe mund t’i vinte shoqërisë prej tyre?
Dokumentet arkivore që po botoj, hedhin dritë edhe mbi atë që shteti e dinte që po vriste dy njerëz të pafajshëm, ndaj i duheshin hafijet që të shpifnin akuza për ta, i duhej një hetuesi që torturonte dhe shfytyronte njerëz, i duhej fabrikimi i një akuze për të shpënë dy njerëz në pushkatim. Shteti është vënë i gjithi në punë për ta arritur me çdo kusht atë që nuk është, por që ai e do që të jetë: dy njerëz të pafajshëm do t’i paraqesë me faj si armiq të shtetit. Vilsoni së pari provoi hetuesinë e Tiranës. Duart e xhelatit e torturuan pa kurrfarë mëshire. Kjo i kushtoi paralizimin e dorës së majtë. Kështu ai doli në gjyq me një dorë të gjymtuar.
Shefi i partisë për Librazhdin mbledh gjithë krerët vendorë dhe ia imponon akuzën hetuesisë dhe gjykatës
Hetuesia e Përgjithshme e shtetit dërgon ekspertët e saj në ndihmë të hetuesisë së Librazhdit.
Gjykata e Lartë e shtetit bëhet vegël e fabrikimit të akuzës.
Presidiumi i Kuvendit Popullor bëhet vegël e së keqes.
Ministri i Brendshëm jep urdhërin me shkrim për datën, ditën, orën e pushkatimit dhe vendin e caktuar
Një shtet i tërë ngrihet në këmbë për të ndëshkuar me marrje të jetës dy të pafajshëm. Këto dokumente akuzojnë pikërisht këtë shtet që bëhet vrasësi gjakftohtë i qytetarëve të vet, një shtet në shërbim të vdekjes.
Kjo që thashë më lart, mendoj se përbëjnë vlerën kryesore të botimit të këtyre dokumenteve arkivore: sjellin të dhëna për një pjesë të historisë së shtetit tonë.
4.
Mendoj se vlerat historike ndërthuren me atë që i përket së sotmes, me anën morale të problemit: a duhen dënuar krimet e komunizmit dhe veglat e tij?
Për kryerjen e një vrasjeje të llojit që po paraqes, për vrasjen e dy të pafajshmëve, shtetit, veç veglave të strukturave të tij zyrtare, i duheshin dhe veglat që vepronin në fshehtësi në interes të tij: bashkëpunëtorët e Sigurimit, siç i kanë quajtur dje e vazhdojnë t’i quajnë edhe sot spiunët e rangut më të ulët, agjentët, rezidentët, minjtë e birucave etj.
Me këta mund të renditim dhe ekspertët e besuar që punonin me porosi për shtetin. Myzafer Xhaxhiu, Koçi Petriti dhe Diana Çuli, janë ekspertët që sot mbajnë varur në gjoks dekorata, dhënë edhe nga ambasadat e huaja. Ata bënë analiza letrare për krijimet e tim vëllai dhe të tim kushëriri.
Dalja e disa prej këtyre në faqet e këtij libri do t’u dhembë atyre në mënyrë të veçantë, por edhe një opinioni më të gjerë që deri më sot nuk ia ka dalë të marrë një vendim përfundimtar: të ndëshkohen apo jo veglat e komunizmit.
Për ne që e kemi paguar me jetën e të dashurve tanë, kjo odise: t’i ndëshkojmë, të mos i ndëshkojmë spiunët dhe autorët e krimeve të komunizmit, duhet të kishte marrë fund me kohë. Duke marrë anën e spiunëve, shoqëria shqiptare është treguar një vrasëse gjakfohtë e kujtimit të atyre që i vrau komunizmi. Më lart e thashë me plot gojën që ata i vrau shteti. Dhe ashtu është. Po përgjegjësia e individit ku shkon, a falen krimet dhe ata që kanë qenë pjesë e një krimi?
Në këtë klimë, spiunët e vazhduan me shumë përfitim zanatin e vjetër në kohën e re. Nga që ata u ndanë në të dy kampet politike, sa më shumë i sulmonte shtypi i një pale, aq më shumë i merrte në mbrojtje kampi tjetër. Sot të jesh në gojën e shtypit, është baraz me një reklamë falas. Kështu spiunët e panë veten të vlerësuar për shërbimet që kishin bërë dhe që i bëjnë ende. Sot ata i gjen kryetarë partie në rrethe, deputetë, ministra, ambasadorë etj.
Rasti i Diana Çulit është shumë kuptimplotë: denoncimi prej shtypit i një krimi që ke bërë në diktaturë, të ngre më shpejt e më lart në karrierë. Ndërkohë që shtypi e sulmonte, ajo punonte si këshilltare e ministrit të kulturës dhe me ndikimin e saj te drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve e vuri emrin e vet ndër ata që duhet të marrin çmimin Nobel në letërsi. Një vit më pas ajo u bë deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Përkrahja vazhdon, ajo kandidoi sërish për deputete. Mund të bëhet dhe minister? Pse jo?
Në faqet e këtij libri dëshmohet se sa kriminale, po dhe sa e neveritshme ka qenë puna e spiunit. Spiuni nuk kallëzonte në fshehtësi të vërteta mbi njerëzit a ngjarjet, ai provokonte me qëllim, fabrikonte akuza e shpifje në shërbim të shtetit që e paguante sit ë tillë. (Edhe pse kishte dështuar me T.O., Sigurimi nuk hiqte dorë nga qëllimi i tij, në mos ishte, duhej sajuar ajo që i nevojitej.)
Por nëse shteti i sotëm shqiptar, partitë dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë mendimin se pa një lidhje me Sigurimin (babai i D. Çulit ka qenë funksionar i Sigurimit), nuk ke garanci për një karrierë të mirë në shtet, kjo është punë e tij.
Detyra ime ka qenë të gjej eshtrat e të dashurve të mi, të gjeja librat e tyre nën pluhurin e arkivave dhe të nxjerr në dritë mekanizmin e shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tij për ndëshkimin e tyre. Me këtë qëllim po i botoj këto dokumente.
5.
Së fundi, dua të bëj disa falënderime.
Falënderoj punonjësit e arkivave që më ndihmuan të gjej shkrimet e dokumentet që flasin për njerëzit e mi.
Falënderoj Presidentin Berisha për dekoratën “Martir i Demokracisë” dhe titullin “Mësues i popullit” dhënë Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës.
Falënderoj shkrimtarin Ismail Kadare për letërkëmbimin me familjen tonë dhe për ato që ka shkruar për dy poetët e Librazhdit.
Falënderoj Presidentin Moisiu që nxiti realizimin dhe mori pjesë në përurimin e përmendores në Librazhd, kushtuar dy poetëve, 30 qershor 2007.
Falënderoj shtetin shqiptar, Ministrinë e Kulturës, për financimin e përmendores dhe financimin e botimit të veprës së Vilson Blloshmit dhe të Genc Lekës, në veçanti u shpreh mirënjohjen ministrave Bujar Leskaj, Ylli Pango dhe Ardian Turku.
Falënderoj skulptorin Sadik Spahija, autorin e përmendores, regjizorin Namik Ajazi për dokumentarin, poetin Sadik Bejko për studimin dhe përgatitjen e botimit të veprës së Vilson Blloshmit e të Genc Lekës.
Falënderoj Bashkinë e Librazhdit, e cila iu dha emrin e Vilson Blloshmit e Genc Lekës dy shkollave 9-vjeçare të qytetit, veçanërisht kryetarin, z.Shaqir Kuka për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”.
Falënderoj shumë njerëz në zyrat e shtetit shqiptar, “Botimet Almera” dhe shtëpinë botuese “55”, Kryetarët e Bashkisë së Librazhdit për kujdesin e treguar në realizimin e punëve më sipër dhe për mirëmbajtjen e përmendores.
Falënderoj ata dhjetra njerëz që më kanë dhënë kujtime, foto e dokumente mbi vëllanë tim Vilson Blloshmi, si dhe ata krijues, poetë, shkrimtarë e gazetarë që kanë shkruar për tim vëlla dhe kushëririn tim, Genc Leka.
6.
Siç del nga falënderimet më sipër, veç njerëzve të veçantë, shteti shqiptar dhe strukturat e tij mua më ka ndihmuar. Edhe një herë e them se i jam mirënjohës për sa është bërë për dy të dashurit e mi, vëllanë Vilson dhe kushëririn Genc. Por, me sa duket, shoqëria shqiptare edhe mbas 20 vjetësh mbetet e ndarë: të shkëputet nga veglat e krimit të komunizmit a të mos shkëputet. Kam bindjen se kjo do të ndodhë. Mendësia europiane, ku duam të integrohemi, historikisht ka qenë e prerë në këtë pikë: krimi duhet ndëshkuar.
Por le të kthehem atje ku e fillova. Me punën time modeste kam dashur të ndihmoj në zbardhjen e një krimi: u dënuan me vdekje dy të pafajshëm, vëllai dhe kushëriri im, xhaxhai im vdiq në burg. A duhet të kërkoj drejtësi për ta?
Kam mbi 10 vjet që fle e zgjohem me këto dosje të personave që kanë dorë në vrasjen e njerëzve të mi. Nuk i kam prekur ata as edhe me një fjalë, as edhe me një veprim. Po a nuk kam të drejtë t’i shpall publikisht në këtë libër sipas dokumenteve të arkivave? Nuk kam të drejtë të denoncoj krimin e të kërkoj drejtësi?
O Zot, më jep fuqi të rrefej këtë skenar të mistershëm, më jep forcë të flas për këtë të vërtetë të tmerrshme të cilën lexuesi më në fund do ta mësojë. Për një të vërtetë të tmerrshme, ku vetë kriminelët shkelën ligjet e kohës së tyre.