Dritëhijet e nobelistit antishqiptar
Kush ka qenë me të vërtetë Ivo Andriç. I lindur në Vishegrad të Bosnjes nga një familje kroate. I konvertuar në serb dhe i bendosur në Beograd pas Luftës së Dytë Botërore. Një idhtar i jugosllavizmit, por edhe një antishqiptar… Por mbi të gjitha një shkrimtar i jashtëzakonshëm, fitues i çmimit Nobel më 1961. Kryevepra e tij e botuar së fundmi në shqip nga botimet ‘Dritan’ është “Ura mbi Drin”. Një roman ekselent për të njohur mirë Bosnje-Hercegovinën. Historia e kësaj ure të Vishegradit, të ngitur në kohën e sundimit osman, tregohet nga Andriç përgjatë katër shekujsh (nga 1500 deri në kohën e Luftës së Parë Botërore). Përmes saj autori shfaq një Bosnje romantike, por njëkohësisht me dramat e përditshme, me gëzimin dhe vuajtjet e njerëzve. Natyrisht, botimi i këtij romani, që dikur qarkullonte si libër i ndaluar pas një përkthimi të dobët të bërë në Prishtinë, është një ngjarje kulturore. Por ai ka përkuar edhe me një polemikë të fundit. Pak ditë më parë, një nga njohësit më të mirë të Ballkanit e të Mesdheut, studiuesi boshnjak i letërsisë frenge, librat e të cilit janë edhe në shqip, Pedrag Matvejeviç ka bërë një portret të shkrimtarit në gazetën “Le monde”, ku natyrisht, e ngre lart jo vetëm shkrimtarin, por edhe njeriun e diplomatin. Këtë gjë e ka kundërshtuar flakë për flakë studiuesi nga Kosova Muhamedin Kullashi. Ka hije mbi njeriun dhe diplomatin, pretendon ai. Duke i kujtuar Matvejeviçit se Andriç është përpunuesi i një teze të rrezikshme, asaj të pastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova drejt Turqisë…Madje, duke e akuzuar ish profesorin e tij se një fakt të tillë e lë qëllimisht në harresë. Kush ka të drejtë?
Nga Predrag Matvejeviç
Ndonjëherë duhet të ndodhë ndonjë tragjedi që letërsia të kapë majat e saj. Këtë gjykim kemi pasur mundësi ta dëgjojmë shumë shpesh gjatë vetëshkatërrimit të Jugosllavisë. Nuk janë përkthyer kurrë aq shumë shkrimtarë para fundit tragjik të këtij ish-shteti. Librat e Ivo Andriçit (1892-1975) të cilët ishin pothuaj të panjohur para se të merrte çmimin ‘Nobel’ në vititn 1961, u përkthyen jo vetëm në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në vendet arabe e në Turqi, (tani, së fundi, kryevepra e tij “Ura mbi Drin” është përkthyer edhe në shqip) ku ky autor u cilësua si një nga shkrimtarët që ka shkruar shumë për Perandorinë Osmane. Qysh prej dhjetra vjetësh, veprat e tij të cilat kanë njohur një shtrirje të gjerë, janë shfaqur te publiku evropia si një derë e mrekullueshme e letërsisë së ngjarjeve ballkanike, të cilat janë shumë të vështira për t’u kutuar.
Kush është Ivo Andriç dhe kujt periudhe i përket? Ai ishte një katolik kroat me origjinë, serb i adoptuar me prejardhje boshnjake dhe jugosllav për sa i përket pozicioneve të tij kryesore. Kjo larmi i madhe, e cila vë nbë dukje pikat kyçe të letërsive kombëtare, meriton pak vëmendje. Gjatë jetës dhe veprës së Ivo Andriçit, e panjohura e madhe ishte vetë Andriçi.
Ai nuk u besonte as njerëzve më të afërt. Nuk u përgjigjej pyetjeve që i bënin kureshtarët. Nuk bindej lehtë nga të tjerët. Nuk i rrëfehej askujt dhe nuk e shprehte vuajtjen.
Qëndronte larg ngjarjeve dhe ideologjive. Bindjet e tij nuk kishin nevojë për prova. Provat e të tjerëve i dukeshin të pabesueshme. Tribunat nuk i shkonin për shtat dhe ishin shumë të panjohura për të. Andriç përpiqej t’i jepte një kuptim shumë të thellë ideve që kishte. Ai nuk kënaqej me kuptimet e të tjerëve.
Detyra e tij: Diplomat i Qeverisë Mbretërore ndërmjet dy luftrave dhe personalitet i shquar pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo detyrë i mundësonte sigurinë, por ai nuk ndjehej i kënaqur. Nuk përfitoi nga detyra e tij për të qenë një shkrimtar me emër. Merrte shumë më pak se sa jepte. Mbrojtja që i jepte vepra e tij nuk i mjaftonte. Andri ka njohur jo vetëm frikën, por edhe “frikën për të pasur frikë”. “Sikurse një personazh i një tregimi të tij, ai frikësohej nga do hap i gabuar që mund të hidhte. Pavarësisht nga të gjitha, hapi i tij ishte dinjitoz. Ai ecte drejt dhe pa lënë që të tradhëtohej as shqetësimi e as përpjekja e tij”.
Romani “Kronika e Travnikut” i cili është shfaqur në një botim të ri në Francë, është një nga më të njohurit pas “Ura mbi Drin”. Andri hedhe një vështrim mendjehollë dhe të zhgënjyer mbi Bosnjen gjatë periudhës së Napoleonit. Në qytetin e Travnikut, vendqëndrim i vezirit turk, konsujt francezë dhe austrikë përballen me hierarkinë osmane. Atmosfera e zymtë e vendeve boshnjake ka pësuar shpesh transformime dhe shrregullime gjatë gjithë historisë. Autori i shmanget me një shije të rafinuar letërsisë që i përket folkloreve të vjetra. Janë të paktë shkrimtarët si Andriç që e kanë zëvendësuar romani historik me atë që quhet romani i historisë.
Së pari, historia është një korrnizë ose një dekor i thjeshtë i cili shërben si pëlhurë në fund të ngjarjes e të tregimit.
Së dyti ajo është lënda dhe substanca e lëndës romaneske.
Toltoi ishte i pari që tek vepra “Lufta dhe Paqja” ka dhënë një shembull madhështor të kësaj mënyre veprimi. Margarita Yourcenar, Gombrouicz si dhe disa romancierë të tjerë modernë janë përpjekur shumë rrallë ta bëjnë këtë ndryshim. Andriç është cilësuar paraardhësi i tyre.
Edhe botimet e reja, të bashkuara me titullin “tregime” janë treguese të talentit të Andriç. Fillimisht ato tregojnë se librat e mëdhenj të këtij autori, sidomos romanet, nuk janë gjë tjetër veçse vargu i tregimeve që janë bashkuar. Pastaj këto tregime shfaqin një mënyrë të shkruari që e bën tërësinë e lëndës në një thjeshtësi e cila është vetë dija. Njohja e thellë e traditave të vendeve lindore që ka zënë vend në Bosnje prej shumë shekujsh e ka ndihmuar këtë autor të arrijë ëndrrën ëndrrën e vjetër të Gëtes. Kjo ëndërr kishte të bënte me: “ndërtimin e një divani perëndimor e lindor”. Teksa mori çmimin Nobel, Andriç pohoi se ka provuar të bashkojë fatalitetin e “Një mijë e një netëve” me analizën psikologjike moderne. Në tregimet e tij ai zëvendësonte një pejsazh me një krahasim të thjeshtë ose me një metaforë të bukur.
Ky shkrimtar ka futur shumë thjeshtësi në një epokë të retorikave gjëmuese dhe premtimeve të rreme.
Shkrimtari i madh ka jetuar me dëshirën për ta lënë të tregojë lirisht. Puna e shkrimtarit e ka lënë që të gjejë fjalën e duhur. E ka bërë këtë gjë kur ka shkruar: “Fjalët më të mira janë ato që gjenden në kotësi”.
Gjuha ishte një nga dhuntitë e tij më të çmuara. Andriç ishte i bindur se “vetë gjuha të shpie drejt gabimit dhe boshllëkut”. Shkrimtarët e brezit të tij i ndiqnin me dëshirë lëvizjet moderne të letërsisë. Megjithatë ai mendonte se një libër i mirë ishte lëvizja më e mirë.
Ai është shkrimtari i vetëm i llojit të tij. Është shumë e vështirë të thuash se deri ku arrinte zgjedhja, apo fat i tij. Nacionalistët kroatë e akuzuan për tradhëti ndaj kombit të tij. Nacionalistët serbë u përpoqën ta bënin krejtësihst serb pa marrë parasysh ndryshimet që vinin nga origjina e tij dhe më pas.
Nacionalistët boshnjakë, me besim mysliman i kujtonin vuajtjet që kish kaluar popullsia e krishterë gjatë pushtimit turk, duke harruar kështu origjinën e tyre sllave. Jugosllavët e vërtetë që ndoqën shembullin e tij ishin të paktë në nujmër dhe shumë të pafuqishëm për të mbrojtur pasionet prej të cilave mund të dënoheshin.
Përveç një maske, çfarë mbeti nga ky njeri që duhet të mbante barrën rëndë të gjeniut? Çfarë mbeti nga ky shkrimtar ballkanas i cili mund të ketë qenë më i madhi i këtyre shekujve të fundit?
Njëriu që ndërtoi urat. Shkrimtari që i përshkroi me një pasion të madh. Psalti i Bosnjes që parandjeu tragjedinë jugosllave, vdiq në kohë. Fati nuk desh që ai të jetonte për të parë atë që nuk duhet t’a shihte. Kur të takohen përsëri të gjithë ata popuj që kanë jetuar sëbashku dhe kur të flasin me njëri-tjetrin për të gjitha vlerat e përbashkëta, atëherë Andriç do të zërë në shpirtrat dhe në gjuhët e tyre një kuptim më të madh se ai që ka patur kur nuk kishte vdekur. Për këtë nuk lind nevoja për një Shtet të përbashkët. Vlerat që gjenden këtu nuk njohin kufij.
Nga Muhamedin Kullashi
Në shtojcën e fundit javore për letërsinë të së përditëshmes franceze Le Monde, të premten, më 22 prill u botua një artikull i gjatë me titull “Andrici, romancier i historisë”. Autor i artikullit është Predrag Matvejeviç, profesor i letërsisë frënge dhe eseist që tani jeton në Romë. Në vitet shtatëdhjetë ishte profesori im i letërsisë në Universitetin e Zagrebit. Në këtë dhjetëvjetëshin e fundit jemi takuar disa herë në Paris në tubime e tryeza kushtuar luftrave të ish-Jugosllavisë. Në këto ndërhyrje ai mbronte një pikëpamje kritike sa ndaj nacionalizmit serb, po aq dhe ndaj atij kroat. Këto kritika i zhvillonte nga pozicioni i “jugosllavizmit” që synonte të vërë në pah interesat e përbashkëta politike e kulturore të popujve jugosllavë. Sa i takon qëndrimit ndaj shqiptarëve të Kosovës, ai pranonte dhunën që e ushtron rregjimi serb, por nuk e mbështeste kërkesën për pavarësi. Në një tubim, në prill të vitit 1999, të organizuar nga Instituti katolik i Parisit, ku ishim në të njëjtën tryezë, ai nuk u pajtua as me ndërhyrjen e NATO-s. Ndryshe nga Matvejeviç, Nikolla Kovaç, serb nga Sarajeva, profesor i letërsisë frënge dhe Ambasador i Bosnje-Hercegovinës në Francë, me këtë rast mbështeti ndërhyrjen e trupave aleate kundrejt trupave serbe. Pas tubimit, Matvejeviç më shpjegoi se nuk mund ta mbështeste ndërhyrjen ushtarake për shkak se kjo është në kundërshtim me bindjet e tij paqësore dhe shtoi, se vazhdon të ketë simpati për shqqiptarët. Ç’është e vërteta, Matvejeviç asnjëherë nuk ka shprehur ndonjë aversion për shqiptarët, shpesh i ka ndodhur t’i thotë disa fjalë të mira. Deridikund.
Mirëpo, pasi lexova artikullin kushtuar Andriçit, u befasova. E dija që e do letërsinë e Andriçit dhe ka shkruar për të disa ese. Matvejeviç ka lindur dhe ka kaluar rininë e vet në Mostar. E dija që i pëlqente thurja imagjinare e Andriçit për historinë dhe veçantitë e botës boshnjake. Por ky artikull nuk është elozh vetëm për talentin letrar të Andriçit. Pjesa kryesore e artikullit është një portret për personalitetin e tij. Portret që vijëzon tipare të rralla njerëzore. Më habiti ky konstatim:
“Ai qëndronte larg ngjarjeve dhe ideologjive”. Sado që disa rreshta më tutje, ai përkujton se Andriçi “kishte qenë diplomat në qeverinë mbretërore, midis dy luftrave”. Edhe më të çuditshme m’u dukën këto fjali: “Sikurse një përsonazh i një tregimi të tij ai frikohej nga çdo hap i gabuar që mund të hidhte. Pavarësisht nga të gjitha, hapi i tij ishte dinjitoz. Ai ecte drejt pa lënë që të tradhëtohej as shqetësimi e as përpjekja e tij”.
E dija se Matvejeviçi e njeh fort mirë elaboratin e Andriçit. Njëherë, në një tubim në Sarajevë, ndjeu nevojë të më thoshte se në elaboratin e vitit 1939, Andriçi e shikon pushtimin dhe ndarjen e Shqipërisë, si dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës për në Turqi, vetëm si njërin nga opcionet e mundshme, madje si një të keqe, “një e keqe më e vogël”. Në ç’masë kjo mund të zbusë karakterin thelbësor të një dokumenti, që i drejtohet si qeverisë së M. Stojadinoviçit, i cili nënshkroi pakte miqësore me Musolinin dhe Hitlerin? Njeriu i cili u preokupua me gjetjen e rrugëve për pushtimin e një vendi fqinj, e veçanërisht me faktin se këtë pushtim e shikonte si rrethanë e cila do ta lehtësonte dëbinim e shqiptarëve të Kosovës në Turqi, përshkruhet në këtë artkull si njeri me virtyte të rralla. Matvejeviçi kujton në këtë artikull se Andriçin e sulmuan sa nacionalistët kroatë, aq edhe ata serbë e ë-muslimanë. Secili për hesapet e veta. le të themi se Matvejeviç këtu dëshiron të restaurojë portresin e Andriçit nga goditjet që ka marrë nga këto nacionalizma. Por si t’ia bëjme me një nagazhim të tij rreth dëbimit të shqiptarëve në Turqi? Lidhur me këtë nuk e ka sulmuar asnjë nga nacionalizmat e përmendur. Matvejeviçi që dëshiron të mbrojë një pozicion jonacionalist, sikur harron këtu plotësisht sa elaboratin qa edhe “objektin” (shqiptarët) që ai kishte parasysh. Cilësia jonacionaliste e pozicionit të Matvejeviçit bëhet problematike pikërisht përballë manyrës së paraqitjes së figurës së Andriçit: brenga për të heshtur angazhimin e turpshëm të shkrimtarit jugosllav, bëhet më e rëndësishme se kërkesat e ndërgjegjes profesionale të kritikut letrar. Në këtë mënyrë, thyhet pretendimi për një qasje objektive e komplekse ndaj këtij shkrimtari që mori çmimin Nobel për letërsi në vitin 1961. Kështu, epërsia e interesit jugosllav, ose më saktësisht, mbrojtja e kulturës jugosllave, të cilën Andriçi duhet ta përfaqësojë, bëhet në dëm të një të vërtete faktike, e cila ka të bëjë me ideologjinë dhe me praktikat shtetërore të “pastrimit”. Meqë Matvejeviçi identifikohet me idealin e një kulture jugosllave, brenga për mbrojtjen e saj e bën të heshtë çeshtjen dhe implikimet që dalin nga elaborati, për personalitetin e Andriçit. Kështu, Matvejeviçi reagon sipas një refleksi klasik nacionalist: për mbrojtjen e interesit të bashkësisësë vet imagjinare, kulturore, ai mjegullon një fakt kompromentues që është bërë në dëm të të tjerëve, ndaj atyre që nuk u takojnë kësaj bashkësie. Këtu shtrohet çeshtja parimore, që prek aspektin etik e profesional të nagazhimit kulturor: nëse kultura duhet të ketë një dimension universal, atëherë është brenga për të vërtetën ajo që duhet të mbizotërojë n kërkimet e saj. Domethënë, në një analizë kritike që ushqehet me vlerat e përbashkëta të njerëzimit, e jo thjesht me mbrojtjen e interesave të bashkësisë së vet. Ndryshe nga Andriçi, Miroslav Kerlezha, bashkoi talentin letrar me qëndrime kritke ndaj kulturës së vet si dhe me brengën për interesat e të tjerëve. Në shkrimet e veta ai sulmoi sa propagandën e mediave dhe të intelektualëve, aq edhe territorin shtetëror jugosllav ndaj shqiptarëve, qysh nga vitet njëzet të shekullit të kaluar.
Nga shembujt e heshtjes dh etë mjegullimit të anëve “të pakëndshme” të veprimtarisë së një shkrimtari, si ky i Matvejeviçit, dobia e vërtetë mund të jetë që ne vetë të kemi një qëndrim kritik ndaj kulturës sonë. Si dhe pse ka ndodhur që një shkrimtar me talent të madh letrar të merret me planet e pastrimit etnik të të tjerëve, si dhe pse një kritik letrar me talent, e fsheh atë aktivitet të shkrimtarit që e do, këto pyetje duhet të na shpien te kërkimi i një horizonti nga i cili mund të jetë legjitime kritika.