Shqiptarët, pse duhet të mblidhen rreth Skënderbeut
Intervistoi: Mimoza Cika Kelmendi
Intervistë me shkrimtarin Ismail Kadare: “Popujt e Ballkanit duhet të lidhen me njëri -tjetrin dhe bashkarisht të ndryshojne imazhin e keq para opinionit botëror”.
A ka ndikuar tranzicioni mjaft i gjatë në Shqipëri, shpesh edhe i ashpër, në dëmtimin e kulturës sonë shqiptare?
Ismail Kadare: Kultura shqiptare mendoj se nuk ka pësuar ndonjë dëmtim të madh, për mua ka zhvillim normal. Nuk ka asnjë shkëlqim dhe une nuk kam pritur ndonjë shkëlqim, vetëm se njerezit nuk i kanë njohur proceset e zhvillimeve në Europë, Ballkan e botë, kanë pritur një zhvillim të madh. Eshtë thënë shumë herë, që në kulturë nuk është vetëm liria që siguron një kulturë, ka disa faktorë. Tani koha e demokracisë po i afrohet kohës së mbretërise së Zogut në 15 vjetet e saj. Dhe po t’i krahasosh të dyja, ajo ka qenë më e frutshme në kulturë se sa kjo e sotmja. Megjithatë këto dy kohët e kanë vënë në mes një periudhë të errët që ishte 40 e ca vjeçare e kulturës komuniste, të keqen e kulturës totalitare dhe tani këto dy periudha lidhen me njëra-tjetrën, janë vazhdim i natyrshëm i kulturës së madhe shqiptare, lidhen me pjesën më të mirë të kulturës që u krijua në kushte të vështira gjatë komunizmit, sepse edhe atëherë u krijua një kulturë dhe mendoj që ky gërshetim do të eci natyrshëm dhe s’ka pse të kërkojë ndarje të tilla artificiale.
Në kulturë nuk ka ndarje si në politikë, nuk ka ndarje si në kufij, nuk ka ndarje si në zyra. Kultura ka ligjet e bashkëpunimit të saj, ligjet e zhvillimit të saj. Kultura shqiptare, si në Shqiperi, si në Kosovë, si në diasporën shqiptare po mësohet si të ecë bashkarisht përpara. Do të bëjë para, do të bëjë prapa disa herë.
Por si do t’i gjykonit vlerësimet që u jepen figurave të njohura gjatë kohës së demokracisë?
Ismail Kadare: Kjo ka qenë e pashmangshme. Kur një popull del nga një fatkeqësi, është e pashmangshme. Kjo quhet revizionizëm i gjërave. Kërkohet të rishikohet gjithçka. Ne shqiptarët, për vetë karakterin tonë që kemi tepër të ngutur dhe ngutja do të thotë shpesh herë mendjelehtësi, kemi qenë të shquar për këto gjera. Popujt e tjerë kanë qenë më të përmbajtur që kanë dalë nga ish-perandoria komuniste. Ne kemi qenë vërtet mjaft të ngutur në disa gjëra.
A mund ta konkretizoni këtë?
Ismail Kadare: Po. Janë bërë përpjekje për ta revizionuar figurën e Skënderbeut. Kanë qenë përpjekje shumë të shëmtuara, sepse vinte ndesh me të gjithë frymën pro perëndimore të Shqipërisë. Skënderbeu është mishërimi i kësaj fryme dhe tamam në kohën kur Shqipëria u miqësua me Europën Perëndimore dhe kërkon të fitojë kohën e humbur, papritur doli një lëvizje në Shqipëri, hileqare do të thoja, anadollake, një vazhdim i lëvizjes së Haxhi Qamilit, këtë herë më e sofistikuar, për të revizionuar Skënderbeun. Dhe kjo nuk u dënua në mënyrën e duhur. Kultura shqiptare e sotme ka treguar një dobësi, edhe mediat po ashtu. Rasti më i fundit është përvjetori i kësaj figure dhe mediat e përmendën shumë pak”.
Çfarë përfaqëson Skënderbeu si figurë?
Ismail Kadare: Skënderbeu është figura më imediate e sotme, më e nevojshme për Shqipërinë. Është figura me të cilën shqiptarët duhet ta kenë flamurin kryesor për të hyrë në Europë. Është figura që tregon se si shqiptarët janë ndjerë europiane nëpër shekuj, sepse edhe kur u pushtuan dhe kur mbeten në një kohë gjysëm anadollake, prapëseprapë ata nuk e braktisen këtë figurë asnjëherë. Pra nuk e braktisën asnjëherë aspiratën europiane, dëshirën për të qenë në Europë dhe ky duhet të jetë një argument i yni përballë të gjithe atyre rretheve, jo dashamirëse disa herë, që kanë qejf ta shikojnë Shqipërinë si një vend jo europian. Por ne duhet të kemi argumentat tona. Gjergj Kastrioti është argumenti i parë, flamuri i parë që plotësisht e hedh poshtë çdo etiketim kundëreuropian të shqiptarëve. Do ta kishin zili shumë popuj në Ballkan ta kishin këtë figurë. Ne e kemi, nuk dijmë ta çmojmë.
Megjithatë, pas Skenderbeut kemi një tjetër figurë në këtë kohë të demokracisë që shqiptarët krenohen me të drejtë. Është fjala për Nënë Terezën.
Ismail Kadare: Po. Shqiptarët kanë dy emblema të sigurta për të treguar që nuk janë ashtu siç paraqiten disa herë. Shqiptarët janë një popull që duhet ta shpallin humanizmin e tyre përballë një propogande, që, për fat të keq i tregon ata shumë të egër, që i tepron veset e shqiptarëve, i thekson, i nënvizon dhe imazhi i popullit shqiptar u dëmtua rëndë nga kjo. Prandaj ne duhet të dijmë, pa u mburrur aspak siç e kemi pasur zakon, pa u mburrur me gjepura e me dokrra, të dijmë të themi për atë që kemi të çmuar dhe të vërtetë. Dhe kjo në Ballkan mund të jetë si ‘ujë i pakët’, por që duhet të shtohet si vlera kryesore që do fitojë Ballkani. Është ndjenja e miqësisë që duhet të kultivohet mes popujve. Shumë armiqësi ka pasur Ballkani, por edhe më shume flitet për armiqësinë e tij, bëhet më e madhe se çka qenë nga një lloj propagande, nga një lloj kurioziteti ose një lloj hobie botërore. Do të thoja që është bërë e modës si sport, që kur të vijë puna që të flitet për popuj grindavecë, apo të egër, janë ballkanasit. Kjo nuk është e vërtetë. Dhe ne si ballkanas, bashkarisht duhet të mbrohemi, bashkarisht ndonëse jemi në ‘thikën e brishtë’ me njëri-tjetrin disa herë. Por kur vjen puna për një imazh të përbashkët duhet të mbrohemi, sepse jemi të gjithë pjesë e kësaj shtëpie të madhe që quhet gadishull ballkanik. Ne duhet të mbrohemi të gjithë dhe të tregojmë se shumë shëmtira kanë ndodhur në botë dhe vazhdojnë të ndodhin ende sot, nuk ndodhin vetëm në Ballkan. Për këtë duhet që, për popujt e Ballkanit, si bazë të shërbejë lidhja me njëri-tjetrin, si shenjë miqësie dhe, nga ky imazh i keq botëror dhe kjo gjë të shërbejë si një stimul për ne të gjithë që të përmirësohemi bashkarisht. Duke u përmirësuar globalisht përpara një opinioni të madh botëror, do të shohim që popujt e Ballkanit nuk janë të paaftë për të ndërtuar jetën e tyre. Ndaj unë e theksoj gjithmonë që të kemi miqësi me të gjithë popujt e Ballkanit, brenda parimeve të mëdha të lirisë që janë kryesore, parimeve të demokracise. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe asnjëherë e keqe.
28 janar 2005.