Sotir ATHANASI: Lili, moj Lili dhe zonjusha Jalldiz
Nga cikli: Takim i autorit me personazhet e tij
[PARAMNEZI*]
I.
– Kjo histori zë fill degada vite larg, nisi rrëfimin e tij shkrimtari.
Lagja jonë përcolli me dhimbje mbytjen në lumë të një të riu i sapokthyer nga ushtria. Thuhej se shkak qe bërë një femër të cilën e donin njëkohësisht dy shokë. Kuptohet: ajo do të zgjidhte njërin. Tjetri, këtë veprim e quajti si ujdi pas shpine. Nuk duroi më dhe e mbylli jetën në kataraktin rrëzë Dajtit. Qe rasti i dytë në lagjen tonë.
I treti mund të rregjistrohej shoku i bangës sime, Moisiu. Është për të qeshur, por e vërtetë. Ai s’kishte mbushur tetë vjeç. E donte Lilin dhe m’a kishte thënë edhe mua. Madje të dy së bashku i bëmë një letër asaj. Lili, jo se nuk e pëlqente Moisiun, por se ai, nga padurimi, nuk pati kujdes kur ia dha. Letra ra në dorë të zonjushës. Ajo me atë zëmërim që vjen pas një lëndimit, a një veprimi të turpshëm, letrën e lexoi pa pikën e mëshirës për shokun tim Moisi, në mes të klasës. Kur ra zilja e pushimit, Moisiu që kishte shumë sedër, mori rrugën e njohur nga e gjithë lagja, për në lumë.
Unë, që ia njihja ndjejshmërinë e ndoqa pas dhe…rrugës i sajova një gënjeshtër. Ajo doli aq bindëse, saqë kur e kujtoj tani, më duhet të pranoj se, duhet të ketë qënë krijimi im i parë treguar me gojë.
– Dëgjo, i thashë. Unë zonjush Dizin, (shkurtim i emrit Jalldiz) e kam dashur në shkollën foshnore. Po. Dhe të më besosh. Asaj i vinte i fejuari me pajton nga Tirana (se mëhalla jonë ndodhej në hyrje të Laprakës). Mënyra se si ai hidhej nga karroca, për mua kishte Fisnikërinë e Princit të Kaltërt. Ajo rrinte ulur me ne në lëndinën karshi Fushës së Aviacionit dhe na tregonte përralla të bukura. Ai përkulej t’i kapte dorën dhe me gjurin e mbështetur mbi bar, ia puthte atë, përpara se t’i thoshte:
– Princesha ime, Dizi! Të dua, përjetë. Sidoqë të vijë puna: t’a dish!
Një mëngjes, unë mbërrita i pari në shkollë. Dhe jo pa qëllim. Se doja të bëja gjestin e Princit të Kaltërt.
Ajo më priti krahë hapur, por unë nuk iu hodha si përherë. Jo. Ia kapa dorën, ia putha dhe i thashë:
– Princesha jonë Dizi! Të dua përjetë. Sidoqë të vijë puna: t’a dish!
Ajo u shkri së qeshuri dhe më rrëmbeu në kraharor si të isha djali i saj dhe më puthi.
Atë natë e pashë në ëndërr zonjushë Jalldizin. Ashtu siç kishte ndodhur edhe në mëngjes që më puthi. Kur ia tregova mamasë çfarë kisha parë në gjumë, ajo u mërzit. Nuk donte të ma shkoqiste spjegimin e saj. Këmbëngulja ime e theu.
– Ka shumë të ngjarë që në vend të zonjush Jalldizit t’u sjellin një tjetër. Pra do të ndahesh nga ajo. Për këtë të paralajmëron ëndërra.
Gjithë atë javë zonjushë Dizin e shihja në dritë të syve. Edhe ajo më kqyrte me ëmbëlsi besnikërie. Por unë e kuptoja që në shikimin e saj diç kishte. Se ata që duhen, ia kuptojnë brengën sho-shoqit, që me shikim. Kështu kam dëgjuar të thonë të rriturit. Dhe kjo duhet të jetë e vërtetë. Ajo një gjë e kishte dhe unë nuk guxoja t’a pyesja time më, se babai kishte mbushur vitin në udhën e gjatë për te Zoti. Mamasë ia përsërisnin shpesh gratë që vinin dhe e ngushëllonim me fjalët:
- Mjerë ai që iku, pa ti, sidoqë të vijë puna, me bukë a pa bukë, fëmijët do t’i rrisish.
Dhe, ashtu siç bëjnë të rriturit që duhen dhe këmbejnë vetëm me sy, edhe ne të dy, domethënë unë dhe zonjush Dizi, nuk ia ndanim vështrimin njëri-tjetrit
Vështrimi i saj për mua mbase do të thoshte: mos u trëmb i dashur! Nuk do t’i them askujt. Por mua më shqetësonte e ardhmja e saj. Se nuk thonin kot: “puna e mbarë”. Që do të thoshte se kishte edhe punë jo të mbara. Princi i saj i Kaltër, nuk i tha kot: “…Sido që të vijë puna”. Pra, zonjushë Dizit, mund t’i vinin punët jo mbarë.
Javën që pasoi, niste muaji i ri dhe zonjushë Dizin e zëvëndësua me një tjetër. As e bukur, aspak fisnike, një nursëze. Pa le, po kishte një emër që të vinte për të vjellë: Mahmudie. Një fytyrëvrazhdë tek e cila vajta pas një jave. Se e hoqa veten si të sëmurë. Në të vërtetë ashtu isha. Në trup s’ndjeja gjë. Por në shpirt ama…Koka më mbeti në jastëk. Qaja gjithë natën deri sa më zinte gjumi pa kuptuar. Mamaja kujtonte se e gjithë mërzitja më vinte nga dhimbja për babanë. Kjo edhe qëndronte. Por atë për zonjushe Dizin e kisha të freskët dhe në ato kohëra flitej shpesh për plagë nga që vitet pas çlirimit, numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Mua më habiste një gjë që e dëgjoja nga të rriturit. Pa u mbyllur ende plagët e luftës, pse u dashkan të hapen të rejat?
– Jalldizi, (O Zot, sa emër i bukur!) siç na tha drejtori “Jalldizi pra, ishte familje borgjeze dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me moralin tonë socialist”.
Këto fjalë unë nuk i kuptoja. Por, për të rriturit, ato që tha drejtori, hapnin plagë të reja. Kurse për mua, borgjezët, (sipas gjykimit tim kishin emra të bukur: Jalldiz, fytyrë edhe më të bukur (si e Dizit) dhe zemrën shumë të madhe që nxënte aty jo vetëm dashurinë e Princit të saj të Kaltër, por edhe dashurinë time të një…mistreci.
Më kujtohet, në grupin paralel, një zonjushë që ishte e thyer në moshë, në prag të pensionit, sapo gjarpëri kafshoi një vajzë të vogël, ajo thirri me alarm zonjushën tone, Dizin.
Të dy grupet u bashkuan dhe zonjusha jonë shqeu një shami mëndafshi dhe i lidhi vogëlushes krahun në llërë që gjaku të mos shkonte në zemër.
Se ishte dora e majtë. Pastaj ia thithte helmin në vendin ku dukej kafshimi dhe e pështynte atë. Në fund e mori përpara duarve dhe doli me vrap në rrugën kryesore. jëqind metra më tutje ishte abulanca.
Kur u kthye, Princi i saj i Kaltër, sapo u hodh nga pajtoni dhe e pa të bërë me njolla gjaku, u alarmua. Por zonjushë Dizi e qetësoi:
– Asgjë, i dashur, asgjë. Ndihmova një vogëlushe që e kafshoi gjarpëri në kopshtin tonë të vogël botanik.
– Ia bënë gjilpërën ‘Antivipera’?
– Po, edhe pse s’qe e nevojshme.
– Pse?
– Sepse helmin e gjarpërit unë ia kisha nxjerrë duke ia thithur me gojë.
– Je e sigurtë që s’të ka kaluar ndonjë pikë?
– Plotësisht i dashur.
Princi i saj i Kaltër, u bind.
Kurse mua fjalët e drejtorit për shkakun e largimit të Zonjushë Jalldizit, më dukeshin si kafshimi i jo vetëm të të gjithë gjarpërinjve, por edhe të nepërkave të krejt “rruzullit të botës”, (sa për të përdorur një shprehje të zakonshme nga ato të drejtorit tonë). Por, për to, s’kam dëgjuar se ka ‘antivipera’. Shkurt, helmimi ishte i sigurtë.
Kjo më bënte të vuaja dhe kafshoja duart e mia të pazonja për t’i zhbërë ato fjalë që tha drejtori për zonjushën tonë, Dizi…
Kështu, se e i rrashë shumë larg e larg, nuk më kujtohet ku mbaronte e vërteta dhe ku niste trilli artistik që portugezët prandaj e quajnë Paramnezi. Dhe unë, s’bëra keq që u shtyva deri në atë gjuhë për të sjellë tek ju fjalën e përshtatshme, por Moisiu ama u bind dhe ne të dy, që nga ai çast, nisëm t’a heqim veten si personazhe të braktisur nga të dashurat.
Mua për arsye shtetërore, Moisiu për tradhëti në dashuri, por pa dashje.
Se Lili ishte e besimit mysliman, kurse Moisiu, si dhe unë, ortodoks.
Po JALLDIZI ç’besim kishte? Derisa më donte, unë kisha bindjen se borgjezët, nuk duan të dinë për doktrinën fetare, siç e kishte quajtur fenë drejtori ynë.
II.
– Qe fund jave, vazhdon të tregojë edhe në këtë pjesë të dytë kolegu im shkrimtar.
Po në atë holl në mbrëmje, si edhe tani, veshi më zuri një rast tjetër që trupi i njeriut rikthehej në origjinën e tij alimentare*). Shkurt bëhej fjalë për “edukimin ushqimor” në fëmini. Tingëllon disi i çuditshëm, ë? Po kur t’u them se një kuadër i nomenklaturës, u sëmur dhe mjekët tanë, edhe pas analizave, nuk i nxorrën asgjë, e shpunë në Hungari. Kjo duhet të ketë ngjarë në fillim të viteve ’60-të. Atje e panë dhe i vunë një dietë ushqimore me ‘bukë misri e kos’. Pas dhjetë ditësh e nxorrën nga spitali të “shëruar”. Diagnoza?
RIKTHIM NË ORIGJINËN ALIMENTARE*)
Unë, nuk mund t’a kuptoja pse duhej gërmuar në portugalisht, për të gjetur si i thonin ushqimit?!
Kaq më duhej mua që ngjajshmërisht, të provokoja dikë të këndonte dhe të shihja edhe ndikimin te Moisiu që, në tregimin e parë, u njohëm me humbjen e kujtesës së tij.
Se unë për vete, me çdo femër që mund të njihesha, kërkoja tiparet e asaj borgjezeje me emrin aq të bukur, Jalldiz.
Sy e vetull zezë. Portret të hijshëm, të cilën kur e gjeta, sa nuk fluturova nga gëzimi. Tani më duhej edhe një këngë.
Përzgjodha refrenin e treshes vlonjate për time shoqe:
O mbi qepik,
mbi qepikun e syrit tënd!
O po do të rri,
Do të rri e të pushoj.
Sikur edhe vetëm një herë në muaj t’ia këndoja këtë këngë asaj, e kisha të garantuar harmoninë. Por unë nuk mbeta vetëm me një miklim të tillë aq të domosdoshëm. Përdorja edhe një tjetër…stil, të cilin, të tjerët kur e dëgjonin e krahasonin me: ‘prerjen e artë të mekanikës’. Për shëmbull: Në mëngjes, ajo patjetër që do të më shtrëngonte kollaron, por vëmëndjen e kishte të më ngrinte (e fiksonte me sapun vetullat, të cilat më binin mbi sy). Unë do t’a puthja lehtë në faqe. Ajo do të më pyeste:
– E ke qindëshen në xhep, se ku i dihet me kë takohesh?
Por le t’i lëmë këto kolpo e katekule të miat në kohën e diktaturës dhe le të përpiqemi të provokojmë ngërçin e Moisiut.
I kisha bërë një eimel moderatorit Ardit Gjebreja në TV-KLAN ku i kërkoja të ndërmjetësonte që kanali të transmetonte në një kohë të caktuar përpara ose pas lajmeve, këngën që kishte brenda vargjet: ‘Lili, moj Lili’ e kënduar nga shqiptari i Kosovës, Shkëlzen Jetishi. (Xeni). Dhe, o Zot! Përgjigja e imelit erdhi përpara se të lëshohej në eter melodia. Unë qëndroja si mbi gjëmba. Kënga, në qoftëse i mbaj mënd mirë fjalët, buçiti:
Lili, moj Lili,
Si ma pate hallin,
Unë të kam dashur, moj Lili,
Si dy sytë e ballit.
Efekti qe i menjëhershëm. Moisiu u ngrijt më këmbë me mallëngjimin shpërthyes:
– Kjo këngë është e imja. Për Krisht, po ju them. Nuk më besoni? Po sytë e mi të përlotur, nuk i shini? Po…dhe ai nuk mundi të përfundojë fjalën se e mbytën ngashërimet. Mbase donte të thoshte: Mirë zëmrës se është thellë në kraharor, po buzën që po më dridhet, nuk ma shihni?
Të gjithë mbetëm pa fjalë.
– Mirë pra, – na u drejtua ne Moisiu: -Ajo këngë është bërë për mua. Se autori, – dhe ai m’u drejtua mua padrejtësisht a metaforikisht, ngaqë e dinte se isha shkrimtar, – autori, miqtë e mi, e kujton shumë mirë letrën që unë i bëra Llilit, që në simestrin a parë, të vitit të parë shkollor. Apo harrove? Unë pohova me krye se s’desha t’a ndërpres. Ai vazhdoi:
– Na ndanë demek, besimet tona fetare. Dhe që të më harronte, familja e Lilit u transferua në kënetën e Durrësit. Vonë, do të kuptoja se ishin pasojat e LUFTËS SË KLASAVE dhe çdo gjë mori tatëpjetën që e di vetëm djalli…
Pasoi një heshtje e dhimbshme. Por, më tronditësja ende ballë s’kishte bërë. Moisiut i ra sinjali i celularit. Përkitas me të hyri kronisti i TV-KLAN. Ai i tha:
– Ju mos quheni Moisi?
Moisiu, disi i befasuar, ende pa fshirë mirë lotët, u përgjigj:
– Më duket se akoma s’e kam harruar emrin, që mbaj. Se vetëm ky më ka mbetur bashkë me një kujtim të largët sa vetë jeta ime.
Kronisti vazhdoi: – Në celularin tuaj zotni, ka një mesazh për ty!
Moisiu e nxorri aparatin nga xhepi dhe ia la në dorë. Sytë i bënin xixa.
Djali lexoi formulën e mesaxhit: JENI I FTUAR NË EMISIONIN E DJELA SHQIPTARE. KA NJË MESAZH PËR TY. PËRSHËNDETJE! ARDIT GJEBREA!
Moisiu u hutua dhe sërish ktheu kryet nga unë. Mua, më takonte që diç t’a përgatisja nga çfarë do të vinte më pas. Prandaj ia bëra me shenjë të drejtohej nga ekrani. Se, ajo që shihnim, nuk kishte të bënte aspak me krijimin tim, tashmë. Jo. Ajo i përkiste tërësisht regjizores së Klanit Vera Grabocka dhe moderatorit Gjebrea.
Në fillim perdia u zbardh dhe nën një kolonë zanore u dallgëzua dhe ne ndjemë një zë spikerje që, si në një recital tërësisht të veçantë, do të shqiptonte dhimbshëm:
– Eh! Kujtimet e mia, zonja dhe zotrinjt e mi të azilit…!?
Zëri tregonte mplakje dhe rikthim në vitet e largëta të fëmijërisë, përpara se të shfaqej një vogëlushe, shtatë vjeçare. Ajo, me grykësen e zezë të shkollës dhe me dy bishtaleca që i binin mbi çantën prej meshini të librave, tregonte gëzimin e saj në ditën e parë të shkollës.
Moisiu klithi:
– Lili, kjo është Lili, shoqja ime e fëmijërisë. Për Krisht, që nuk gënjej! Për Krisht, po ju them! Pse s’flet ti shkrimtar! Apo nuk do të tregosh se ti je ai që gërmove albumet e mia?
Unë thjesht buzëqesha. Se pjesërisht kisha gisht në gjithë këtë. Por le të shohim vazhdimin. Sfondi i ekranit sërish u dallgëzua dhe kurioziteti ynë qe fqinjësuar me të befasishmen. Dhe ajo nuk vonoi të shfaqet:
Ishte një vogëlush me uniformë marinari, (veshje tejet e parapëlqyer për kohën). Djali dukej që ishte çapkën. Se në çastin e shkrepjes së aparatit, dora e tij e pranuar fillimisht, mbi supin e vajzës, preku gërshetin e saj, tinëzisht. Ajo, si llasticë që ishte, ktheu kryet.
Gjest që fliste për një mostolerim të hapët dhe që…ishte fiksuar në foto.
Holli shpërtheu në të qeshura.
Detari Moisi, me gjestin e tij, sikur donte të vërtetonte thënien se: “Marinarët në çdo port, kanë nga një dashnore”. Nga të qeshurat, nuk u morën vesh batutat. Veçse, jam i sigurt që dikush e tha. Se, shumë zëra, si në kor përsëritën: Ndalu beg, se ak hendek!
Dhe vërtetë. Hendeku i fëmijërisë, mbi besimin apo mbi mostolerancën e llasticës Lili, s’ishte asgjë përpara LUFTËS SË KLASAVE.
Lili, si qindra familje, jo vetëm fëmijërinë, por edhe rininë e dekada deri në fillimet e viteve ’90-të, e kaloi internimeve.
Kur shkuan kronistët e televizionit Klan dhe i treguan pikërisht këtë fotografi të ruajtur me kujdes nga shoku i tij në vitin e parë të shkollës, ajo shpërtheu në të qara. Një kamera e fshehtë kishte filmuar të gjithë bisedën dhe ne po e shihnim dhe dëgjonim me veshët tanë, ashtu si edhe spektatorët në sallë, të mbytur në lot.
Ajo tha: O Zot i madh, Moisiu!
Moderatori pohoi me krye se lotët i kishin zënë grykën e si asnjëherë, nuk nxirrte dot as edhe një fjalë. Asnjë. Për Krisht, po ju them, se m’u ngjit edhe mua ky betim i bukur, bindës.
– Dhe më thoni se është i gjallë ky njeri?
Moderatori ende s’e kishte marrë vetën. Ai pohoi me krye.
– Pse s’thoni se do të çmëndem sapo t’a shoh?
Se vdekjen e kam thirrur dhe ajo, si të qe ministreshë, nuk më është përgjigjur.
Kurse kjo fotografi do të më nxjerri nga ky azil dhe do të më shpjerë në çmendinë.
Salla, si me komandë, fshinte sytë e përlotur. Moisiu u ngrijt e doli përballë ekranit:
– Nuk do të çmëndesh se edhe unë nuk u çmenda kur dëgjova atë këngën që e kam kënduar me mijëra herë në San-Miguel të Argjentinës dhe njerëzit më merrnin për të luajtur.
Befas mrekullia teknologjike ndau në dy pjesë ekranin. Fjalët e Moisiut, punë sekondash bashkë me figurën e tij. Ne dhe tok me ne, gjithë teleshikuesit e soditëm dhe mund të themi plot gojën e ndjemë. Në anën e djathtë të tij, pamë një grua të thinjur tërësisht dhe ato gërshetat mbi krye si kurorë, si për të freskuar dy sytë e lodhur nga një pritje skajshëm të gjatë, a si për të kurorëzuar qëndresën e një heroine e cila, nuk pret aspak fundin për t’u larguar nga kjo botë. Përkundrazi: sikur përgjon shpresën se një ditë ajo është nisur dhe mepatjetër do të vijë.
Kronisti me mikrofonin e tij në dorë, iu drejtua moderatorit Gjebrea:
– Taksia është përjashta e bashkë me të edhe mjeti i xhirimit. Si thua? Të nisemi me Moisiun për te Lili që e ke në sallë?
– Edhe pyet? – u përgjigj Gjebrea.
Ekranin e zuri tanimë portreti simpatik i këngëtarit nga Kosova: Shkëlzen Jetishit.
Dhe ne dëgjonim nën zërin e tij kaq të ëmbël tingujt e asaj kënge tiranase, me rrefrenin kaq të bukur, kaq të ndjerë, kaq të dhimbshëm:
Lili, moj Lili,
Si ma pate hallin.
Unë të kam dashur moj Lili,
Si dy sytë e ballit.
Fjalët ngjanin se i thuheshin një zogu të bukur që vetëm largohet dhe luteshin më kot, t’a ndalnin. Por ai kërkonte strehën e tij në ndonjë beden kështjelle. Fqinjësisë dhe strehës në të I shkonte mbase edhe zëri i tij. Se dëshironte përjetësinë.
* * * * * *
Por, nuk mbaron këtu ky tregim. Ka diçka tjetër që do të më gëzonte jo vetëm mua si autor, por jam plotësisht i bindur që edhe juve, miqtë e mi. Qe çasti më i papërfytyruar.
Diçka që tejçonte çdo fantazi sado të çartur të qe. Në qoftë se do të kisha mundësi të njihja mendimin tuaj, lexues të dashur, se për çfarë bëhet fjalë dhe të bindesha se e dini, apo edhe se, në fund të fundit, e merrni me mend, do të ndjehesha shkrimtari më i lumtur në botë. Besomëni. Për Krisht, po ju them. Dhe s’bëj aspak shaka. Edhe me betimin. Se na ndodh jo rrallë që përvetësojnë gjuhën e personazheve, ashtu si policët e rrugores, që herë – herë, lënë mënjanë gjuhën e akademisë, për të përdorur atë të trafikut.
Po e ul nga retë. Nga që ashtu më ngjau se zbriti. Dhe mos e merrni për ëndrrën e një nate vere. As trazim fantazmagorik, ju siguroj që jo.
Për Krisht e përsëris. Mbase, diç tokësore po lëshohet si në përralla, miqtë e mi. Ato përralla që kam dëgjuar në shkollën foshnjore.
Konkretisht:
Nga shkallët e hotelit po zbriste një zonjë e shkuar zonjave. Kishte kapur për dore një fëmijë të vogël dhe, po të mos e dëgjoje t’i fliste shqip vogëlushit, mes iguri do t’a merrje për një aristokrate londineze. Jo vetëm nga veshja e asaj rrobe mbrëmjeje, bordo. As atyre flokëve të krehura mënjanë, ku, ngjyra e argjendtë, aq shumë, o Zot, i shkonte! Apo, edhe atij tualeti të lehtë, por tejet ndriçues për portretin e një ikone. As. . .
Nuk do ju torturoj më. Boll u befasova unë. U ngrijta nga vëndi si somnambul dhe I dola përpara. Ata i mbërrita dy shkallare përpara fundit. Zonja i foli pesë a gjashtë vjeçarit:
– Arbër! Hapi rrugën zotnisë të ngjitet!
Unë u ndala përpara tyre:
– Në qoftëse s’më gabon kujtesa ju duhet të jeni zonjusha ime e Foshnjores. Zonja Jalldiz?!
Ajo më pa me vërejtje dhe tha:
– Po, nuk gaboheni, fort inderuar zotni! Ajo jam por e kam të vështirë t’ju kujtoj se që atëhere, kur fati e deshi të më shkëpusi nga dashuria ime më e madhe e jetës, shkolla foshnjore, kanë kaluar…në mos gaboj, plot gjashtë dekada!
Tha kështu dhe sytë i përndritën, pastaj u përpëlitën dhe kur, më në fund, qepallat u ngrijtën, unë pashë se ato ishin tejet të përlotura.
Për një çast, pamja e saj më ngjau krejt fëminore dhe unë e ndjeva se kishim këmbyer rolet. S’qe rasti i parë që përballesha me këtë dukuri të trishtë, prandaj më duhej nisma për t’a kthyer në favor të saj gjendjen. Me pak kujdes dhe shumë përplekle, vura buzën në gaz.
– Arbëri i vogël sa vjeç është? – e pyeta unë për të barazpeshuar tronditjen, sidomos të asaj që do të vinte më pas.
– Gjashtë.
– Kaq isha edhe unë kur ju putha dorën si PRINCI JUAJ I KALTËR QË VINTE ME PAJTON DHE JU…
– A po. Më kujtohesh. Kaq keni qënë, zotni i nderuar: sa nipi im, – tha kështu dhe e zgjati krahun. Unë u përkula dhe ia putha dorën. Përpara se të deklamoja e ndjeva të domosdoshme t’i merrja leje:
– Lejomëni T’u drejtohem si dikur në moshën e Arbëri Tuaj?
Ajo buzëqeshi dhe tundi kryet.
(O Zot i madh, më duket se nuk e kishte harruar).
(Qe noima karakteristike e saj kur donte të ngjyroste një gjest loicak).
– A e mbani mend vërtet?
– Po provoj, – thashë dhe nisa të deklamoja si dikur:
– Princesha jonë, Dizi!
TË DUA PËR JETË. SIDOQË TË VIJË PUNA. T’A DISH.
Ajo u shkri së qeshuri.
– Tani më kujtoheni tërësisht. Keni qënë i veçantë dhe me një trill për të cilin premtonit shumë. Me miqt e mi e kam kujtuar sidomos atë deklaratë fëminore si të një…PRINCI VËRTETË TË KALTËRT.
Ajo zbriti edhe shkallaret e mbetura dhe unë e ftova në trapezën tonë.
LUFTA E KLASAVE edhe te kjo zonjë kishte lënë gjurmë të thella. Jetonte vërtet në Londër, por qe kthyer për të provuar nëse do të mund të ngryste vitet e mbetura të jetës në Atdheun tonë post diktature.
* *
Shtysa kryesore për këtë shkrim, ishte:
“Kuadri i nomeklaturës” dhe Diagnoza e vendosur në kartelën e klinikës Hungareze, që nëpërkëmbte një popull të tërë:
TRUPI I KËTIJ NJERIU KËRKON ORIGJINËN ALIMENTARE*)
Prandaj u ula të shkruaj këtë tregim, i cili nuk qe e mundur të mënjanonte, ato që lexuat. Ndihmesën e kolegut tim shkrimtar e ngrë në bazament.
Le të hyjë edhe ky shkrim në galerinë e kontrasteve të sistemit të gremisur një herë e përgjithmonë.
———————————
*) PARAMNEZI = Përzierje e realitetit me trillin artistik.
**) ALIMENTARE = Ushqimore.
***) RUBIKONI = Rrëke e vogël në Italinë verilindore, afër San Marinos, që rrjedh për në Adriatik, e cila shënonte kufirin e lashtë ndërmjet Italisë dhe Galisë Cisalpine. Duke e hedhur ushtrinë e vet matanë tij ( d.m.th. jashtë provincës së vet më 49-tën p.er., Jul Çezarit dhe Pompeit.