SHBA sanksionon 5 iranianë që i ndihmuan rebelët Huthi
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër pesë iranianëve, të cilët, siç thuhet, u kanë siguruar rebelëve Huthi në Jemen ekspertizë dhe armatim për hedhjen e raketave në Arabinë Saudite.
Departamenti amerikan i Thesarit tha përmes një deklarate se Mehdi Zarpisheh, Mohammad Jafari, Mahmud Kazemabad, Javad Shir Amin dhe Sayyed Mohammad Tehrani janë njerëzit që do të sanksionohen.
Katër të parët kanë punuar me rebelët Huthi përmes Gardës Revolucionare të Iranit, duke iu ofruar atyre ekspertizë për raketat balistike dhe duke transferuar në Jemen armë që nuk janë parë më herët atje, tha Departamenti amerikan i Thesarit.
I pesti, ndërkaq, u sanksionua për ofrimin e dyshuar të ndihmës në financimin e Gardës Revolucionare.
Ndëshkimet vijnë pas zotimeve të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për sanksione të reja ekonomike kundër Iranit.
Njoftimi i Departamentit të Thesarit vjen një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se SHBA-ja do të ndëshkojë Iranin për mbështetjen e rebelëve Huthi.
Qeveria në Jemen është duke i luftuar këta rebelë qysh në vitin 2015.
Lufta ka lënë mijëra njerëz të vrarë dhe e ka çuar Jemenin në prag të urisë.