Albspirit

Media/News/Publishing

MATURA SHTETËRORE/Zbardhen datat për sesionin e dytë të provimeve

Janë shpallur datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2018-të të sesionit të dytë për të gjithë maturantët që do të rezultojnë mbetës sezonin e parë. Udhëzimi është miratuar nga ministrja e Arsimit, Sportit e Rinisë Lindita Nikolla në të cilin specifikohen lëndët dhe datat përkatëse të testimeve.

“Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 26, të ligjit ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, udhëzoj: Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë: a) Gjuhë e huaj (D3) 27 gusht 2018; b) Gjuhë shqipe dhe letërsi (D1) 30 gusht 2018; c) Matematikë (D2) 3 shtator 2018; d) Provime me zgjedhje (Z1/Z2) 7 shtator 2018”, -theksohet në udhëzimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Në këtë të fundit më tej bëhet me dije se provimet e Maturës Shtetërore 2018 për sesionin e dytë do të fillojnë në orën 10:00 e provimet e lëndëve me detyrim do të zgjasin 2 orë e 30 minuta ndërsa provimet e lëndëve me zgjedhje do të zgjasin 3 orë.

Maturantët e sesionit të dytë
Në provimet e Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, do të marrin pjesë të gjithë maturantët apo kandidatët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore 2018 në sesionin e parë. Gjithashtu, këtyre provimeve do t’i nënshtrohen edhe maturantët që rezultuan mbetës në një ose dy lëndë në vitin shkollor 2017 – 2018 dhe i shlyejnë provimet shkollore brenda datës 22 gusht 2018 si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2017, por që nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore.

Ndërkohë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë të njësuar dokumentet shkollore nga MASR do të testohen.

“Maturantët/kandidatët e përcaktuar në pikën 7, germa “a” dhe “b”, të plotësojnë formularin A1Z për dhënien e provimeve të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore. 9. Kandidatët/kandidatët e përcaktuar në pikën 7, germa “c” dhe “d”, të regjistrohen në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm ose në shkollën që u cakton DAR/ZA-ja e vendbanimit të tyre. Këta kandidatë të plotësojnë formularin A1Z në datat 21-23 gusht 2018″, theksohet në udhëzimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Testimi
Administrimi dhe procedurat për shpërndarjen dhe grumbullimin e materialeve të provimeve të Maturës Shtetërore 2018, sesioni dytë, bazohen në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2018, miratuar me urdhrin nr. 672, datë 29.12.2017, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Sipas udhëzimit testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 13 pikë, ndërsa 12 pyetje të jenë me zgjidhje dhe të vlerësohen me 37 pikë.

Ndërkohë testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 10 pikë, ndërsa 10 pyetje të jenë me zgjidhje dhe të vlerësohen me 30 pikë.

Maturantët që kanë vetëm një provim me zgjedhje, duhet të hyjnë në provim në orën 11:00 dhe ta përfundojnë atë në orën 13:00.

Rregullorja
Sipas udhëzimit, drejtori i shkollës do të dërgojë zyrtarisht në DAR/ZA listën e kandidatëve që do të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, deri më 23 gusht 2018. Drejtori i DAR/ZA-së do ta dërgojë këtë listë në QSHA në datën 24 gusht 2018.

“Provimet të zhvillohen të përqendruara në drejtoritë arsimore rajonale. ZA Tropojë, ZA Lushnjë dhe ZA Sarandë t’i zhvillojnë provimet në qytetet e tyre. ZA Delvinë t’i zhvillojë provimet në qytetin e Sarandës. Drejtoritë arsimore rajonale dhe drejtoritë e shkollave të marrin masa për njoftimin e maturantëve/kandidatëve për datat, mjedisin dhe orën kur do të zhvillohet secili nga provimet e Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë. Drejtori i DAR/ZA-së, brenda datës 20 gusht 2018, të njoftojë zyrtarisht QSHA-në për mjedisin ku do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë”, thuhet më tej në udhëzim.

Në DAR ku numri i maturantëve/i kandidatëve është më i madh se 500, do të përdoren 2 mjedise në një kohë që monitorimi dhe administrimi i procesit të Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, do të kryhet nga përfaqësuesit e MASR-së dhe të institucioneve të varësisë. Shpenzimet e përfaqësuesve të MASR-së, në monitorimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, të përballohen nga institucionet përkatëse, sipas dispozitave në fuqi.

Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë

a) Gjuhë e huaj (D3) 27 gusht 2018;
b) Gjuhë shqipe dhe letërsi (D1) 30 gusht 2018;
c) Matematikë (D2) 3 shtator 2018;
d) Provime me zgjedhje (Z1/Z2) 7 shtator 2018.
Provimet e Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, të fillojnë në orën 10:00.
a) Provimet e lëndëve me detyrim të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
b) Provimet e lëndëve me zgjedhje të zgjasin 3 orë.
Kush mund të testohet
a) Maturantët/kandidatët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore 2018, sesioni i parë.
b) Maturantët që rezultuan mbetës në një ose dy lëndë në vitin shkollor 2017-2018 dhe i shlyejnë provimet shkollore brenda datës 22 gusht 2018.
c) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2017, por që nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore.
d) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë të njësuar dokumentet shkollore nga MASR-ja.

Please follow and like us: