Sadik Bejko: Një kafe me Rustem Dobin
Një njeri u flak atje në fundomat e Pondit”¦ Hë, më thoshte Rustem Dobi, çfarë të kujton kjo? Një njeri i flakur në vdekje, ose i flakur dhe më përtej se sa në vdekje, cili është? Një qytetar I Romës së Oktavianit, po të ishte shpallur i zbuar përjetë prej Romës, ishe më shumë sesa i flakur dhe më përtej sesa i zhdukur në kufijtë e ndonjë ishulli të rrethuar me mbi tre mijë vjet vdekje dhe natë. Më thoshte Rustemi: kë të kujton kjo flakje në terrin dhe nëndheun e Pondit? Poetin, përjetësisht Poetin, atë Ovidin e Metamorfozave, i thosha. Jo keq, profesor. Por kjo që të them, është shkruar nga një poet rus i tanishëm, një poet i ditës në vitet 70, 80. Pasternaku, e ka shkruar, Sollzhenicini, apo J. Brodski? Secili prej tyre mund ta kishte shkruar. Më shumë i shkonte Pasternakut. Ky ishte dhe rus dhe poet, dhe bir i një perandorie që i skuq duart deri në bërryl, vret e vret edhe një njeri me krahë shpendi, edhe një poet.
Dikur kisha shkruar e botuar një poezi për Hamletin. Kisha lexuar edhe variantin e Hamletit të tij, një poezi të Pasternakut. “Më ndjekin si egërsirë, përse? Për ty, o atë, u përgjërova.., për kauzën tënde dhe u therorizova”. Ishte ankesa e Pasternakut, që po ndëshkohej, nga që po e përndiqnin se mori çmimin Nobel. Rusia sovjetike e ndëshkoi u ngrit e tëra e komanduar politikisht. Pelin, vrer e zi derdhi ajo mbi Pasternakun që kishte shkruar e botuar në Perëndim “Doktor Zhivagon”. Dhe krijuesin në kësi rastesh, kur e gjuajnë si viktimë, e llincojne si pre¨, e kap sindromi i Hamletit. Ç’do me thënë? Ju po më përndiqni se unë pjesën më të mirë të vetes ua kam dhënë juve? Për këtë më përndiqni si egërsirë? Atëherë si Hamleti po shkoj drejt vetëhelmimit. Po më helmoni me mosbesim dhe me mosvlerësim? Mos kini keq? Po ia fus vetes e po shkoj në dreq. Qetësohuni e rehatohuni.
Kjo bisedë bëhej në Gjirokastër. Kur? Kur ndëshkonin Pasternakun, kur zbonin nga Rusia Solxhenicinin, apo J. Brodskin? Jo, në asnjë ditë nga këto. Kjo ngjarje kishte ndodhur në ditët e lashta kur Oktavian Augustit dha urdhër dhe e mërgoi përjetë prej Rome Ovidin. Elegjinë e Ovidit, vajin e largimit të tij nga Roma e ndieja në detaje, sikur edhe sot të më marrin prej shtëpisë sime, prej familjes e të më çojnë në një vend ku përjetësisht vetëm mortja mund të më shoqërojë se asgjë tjetër nuk më kthen te të gjallët, te ata që janë mbi dhe, dje e sot.
Rustem Dobi ishte i aftë për të të dhënë ndjesi të tilla. Ka një përjetësi me mort që rrëshqet përsipër atyre që i janë dorëzuar mbretërisë së kyçur në vdekje e izolim, kyçur e kurrë të kthyeshme në gjallje. Ka një ndjesi morti që diktaturat e bëjnë të pranishme gati të prekshme fizikisht në jetën e secilit.
Rustemi ishte i tillë që të thoshte se kishte qenë në Ballsh menjëherë pas universitetit për zootekni. Dhe atje në hotelin zgëq të asaj qyteze me dy tre mijë banorë kishte fjetur ngjitur me zotin Sejfulla. Se zoti Sejfulla Malëshova, nuk ishte një dokudo, por ish-sekretari i kryeministrit Fan Noli, ish-shefi i katedrës së filozofisë në universitetin Lomonosov në Moskë, tani i internuar nga Enver Hoxha në Ballsh. Sejfullau që luante shumë mirë tenis, që të thante trutë edhe në shah, që pasditeve ulej e përkthente Hajnen dhe Njekrasovin, ky Sejfulla çdo mëngjes e fuste kokën në ujin e ftohtë të çezmës së Ballshit dhe pasi e shkumonte me sapunin që atëherë prodhohej në uzinën e Rrogozhinës, e rruante, po e rruante kokën esëll, mëngjes për mëngjes.
Sa ishin të vërteta këto? Unë nuk mbaj përgjegjësi. Por them se edhe zoti Rustem nuk i thoshte nën atë përgjegjësi që ti të kërkoje vërtetimin e tyre pikë për pikë. Asgjë nuk ekziston pikë për pikë, gjithçka është në logjikën: unë e kam parë, unë e dëshmoj, por mos kërko që unë të vë dorën në zjarr e ta provoj. Se atëherë dorën time ose e lënë në zjarr të digjet, ose ma marrin me gjithë sup a shpatull ma presin dhe flakin, që si mish për qen të mos dijë se nga, se ku do të vërvitet.
Por unë e besoja zotin Rustem. Pse? Se ku të gjeje në kohën e komunizmit ndër gjitha ata njerëz me mendje e zemër të kyçur në vogëlsi e ligësi, njerëz që papritur të ngrinin e të çonin në thellësi e lartësi, në fantazi që kjo botë pa to më mirë të mos ekzistonte.
Një herë tjetër zoti Rustem, për të vrarë mërzinë a monotoninë e zyrave të kohës, do të kishte nevojë të të fliste për gjyqin e Nurembergut. E kishte në shtëpi në gjuhën ruse, në dy vëllime. Pa do të t’i përmendte me emra kriminelët nazistë që u varën. Po këtu, duke bërë një lëvizje pak anash, do të thosha se zoti Rustem, nuk e di pse, mbase nga që komunizmi ishte aq i gozhduar e i kyçur me ganxha, me kapanxha hekuri në idiotësinë e ideologjisë së tij, linte të vërshonte në tregimet e tij pak simpati për hitlerianët. Kjo ishte mos o zot. Nuk ishte e vërtetë. Po ishte në shijen e rebelimit. Ju na i diktoni dmth ju na i deformoni idetë e shijet. Atëherë lernani të superdeformohemi.
Zotin Rustem e kishte zili daja i gruas sime, Sotir Duda. Po, thoshte ai, nuk ia gjen dot shokun Rustemit. Kemi pirë në Libohovë, kemi ngrënë me duar mish të pjekur, pastaj Rustemi ka marrë një racion të mirë mishi e ka futur në xhep. E kam për Paqon, u ka thënë. Pra për të shoqen. Dhe i ka hipur motorit. Ka marrë dhe një shok pas. Ia ka ngjitur gazin në dërrasë. Me 90 a 100 në orë, dhe duke kënduar këngë, dhe duke kthyer grykën e shishes që e kishte në xhepin tjetër, ka ardhur në Gjirokastër shëndoshë e mirë. Ky është modeli i burrit. Pi e bëj qejf dhe gjeje vetë rrugën për në shtëpi, merr edhe një shok, çoje dhe atë në shtëpi.
Jam në Poliçan të Pogonit. Viti 1980. Një bari me dele, burrë i moshuar, por aq i kthjellët e i pastër në atë ngrysje të moshës së tij. Sa ishte? 70, 80 vjeç, nuk e di, po ai burrë, sa mori vesh që vija nga Gjirokastra, më pyeti: e njeh Rustem Dobin? Do t’i bësh të fala nga unë? Është një burrë që më ka shpëtuar jetën. Rustemi i kishte shpëtuar jetën? Si kishte ndodhur?
Aty nga vitet 1955-60 në Shqipëri vijnë desh race Merinos dhe nga Dagestani. Desh race nga mikja jonë e atëhershme Rusia. Këta desh do të ndërzenin dhentë tona dhe do të përmirësohej raca e deleve tona, dele pa qumësht, pa mish, dele mali të varfërisë. Këta deshtë mysafirë trajtoheshin me sheqer, me vezë, me shumë kujdese të tjera. Po të ngordhte një nga këta, quheshe sabotator nuk doje përparimin, socializmin, komunizmin, ndihmën e së madhes Rusi etj, etj. Sado që u përpoq, këtij minoritarit nga Poliçani i ngordhi dashi i racës merinos. Në raste të tilla burgu ishte pak, kishte dhe ekzekutime. Sabotimi në ekonomi ishte baraz me pushkatim. Rustemi, si zooteknik, erdhi në Poliçan dhe i tha: Mos ki dert. Vdes njeriu, e jo më që na paska ngordhur dashi. Pa bërë analiza fare, Rustemi e gjeti diagnozën pse kish ngordhur në rrugë natyrale dashi dhe ky Poliçansi shpëtoi nga burgu. Dhe këtë ai me jetë nuk e harronte.
Zoti Rustem, brenda larushisë dhe kontradiksionit si pasuri e jetës në Gjirokastër, pra si shije e asaj që qytetet e lejojnë edhe të kundërtën të ketë zë dhe dukje, se kjo është në dobi dhe në mbushulli të ngjyrave të jetës, ka pasur në Gjirokastër antipodin e tij. Ky ishte Nuri Kokalari. Nuriu ishte një njeri strikt, një tip njeriu që në Giirokastër përbën shumicën: njeriu që e sheshon me majën e këmbës, e teston vendin, pastaj e hedh hapin për më tej. Por siç e thamë, Gjirokastra e ka dhe atë njeriun që do një gjë që nuk është e që mbase nuk do të jetë. Gjirokastra e ka pasur dhe Dino Çiçon që do aeroplanët që kurrë nuk do të ngrihen në qiell. Ajo prandaj është me magjinë e qytetit Gjirokastër se nuk është vetëm e qartë, e drejtpërdrejtë. Dhe Nuriu, si antipod i Rustemit, bënte vjersha për Rustemin: “Ai, more shokë,/ nga dertet e hallit,/ rakinë e pi jo vetëm brenda,/ por edhe jashtë orarit”. Ose: “Çështë një rrotë mbi dy rrota,/ pyet mësuesja: kush e gjen?/ Ngrihet Beni dhe e thotë:/ Ai është xhaxhi Rustem”. Unë i kam njohur të dy, Nuriun dhe Rustemin. Dhe them se këto poezi janë të mrekullueshme. Ato janë shprehje e shumëformësisë së jetës së atij qyteti , faqe e shfaqje të ndryshme të së njëjtës, të qytetarisë që kurrë nuk është uniformitet.
Dhe së fundi. Rustemi kishte miq në gjithë Shqipërinë. Ai do të vinte në Tiranë dhe me lehtësinë e atij që takon të barabartët pa asnjë ndjenjë ndrojtjeje do të takojë gjithë gjirokastritët me emër të Tiranës. Ai takon Kadarenë dhe, pasi i flet për veprën e tij të fundit, e pyet, se çka në dorë? Kadareja pikë e vrer, ia kthen: Ç’të duhet ty ç’ do të shkruaj unë? Ik , o Rustem, e na prodhoni qumësht se po ngrihemi në mesnatë e nuk po marrim një shishe qumësht. Lëre mishin E merr vesh? Shko e bëj detyrën tënde, se unë timen di si e bëj. Rustemi nuk mban inat. Ka të drejtë, ka të drejtë… na thotë kur kthehet në Gjirokastër.
Një herë, kur dimri ia la lopët kockë e lëkurë, gati të ngordhin, Rustemi gënjeu ata të fabrikës së Panxharit në Maliq dhe u mori bërsi panxhari, si ushqim për lopët. Ato ishin planifikuar për një rreth tjetër, po Rustemi u tha se ka urdhëruar Shefqet Peçi, nënkryetari i Kuvendit, dhe i mori. Gënjeu. E thërrasin te Sh. Peçi. Këtë na e gjen në zyrë duke lexuar në revistën “Ylli” poezinë “Komisari” të D. Agollit. Rustemi, që me gjithë zullumet, gjente kohë të shfletonte shtypin, thotë: “Ai djalë shkruan shumë mirë. Këtë poezi e ka tharë.” Poezia mburrte Shefqet Peçin “komandanti ynë lab”. Po, shumë mirë, përgjigjet Peçi. Kur e sheh, i thotë: kush je ti.. Ah, ti ke gënjyer, mashtrues etj etj, etj. Rustemi priti sa u zbraz, dhe i tha: Nuk i mora për lopët e plakut tim, por për lopët e Gjirokastrës. Po të më ngordhin lopët, më fusin në burg, tani që gënjeva dhe i shpëtova, më bëni çtë doni.
Më lejoni të kthehem, aty ku e nisa. Unë kam qenë në atë qytet një i huaj, i vajtur nga një qytet tjetër. Nuk kam pasur miqësi interesi, krushqi dhe as ndonjë lloj lidhje tjetër miqësie me Rustemin. Por e kam pirë kafen, kam gjetur fjalën e mençur dhe muhabetin e ngritur me atë njeri. Kam ndier se ai njeri e kuptonte në ajër se çfarë i duhet njeriut për të mos qenë vetëm kalë karroce i lidhur në hurin e interesit të ngushtë. Njeriu vetëm për veten, është shumë pak. Ai e dinte se çdo të thotë ta largosh, ta degdisësh dikë në Pond, që do të thotë ta largosh nga mjedisi i tij, ta poshtërosh me emigrim të detyruar nga vendlindja e tij, ta poshtërosh duke e flakur në një profesion që nuk është i tij, në fund të fundit, mund ta çosh dhe në një vend të mirë, shumë të mirë, por, ama, ti e degdis aty, nuk e çon me dëshirën e tij. Ai ishte një njeri që e kishte dorën të shtrirë, mendjen të hapur. I gatshëm për ti bërë vend në tavolinë dhe për ta pirë një kafe bashkë me atë që është tjetër, është nga tjetër qytet, nga tjetër mendësi, një jabanxhi, një që e kanë detyruar të shkojë në Pond, të shkojë e të varroset në Pond, pa pasur asnjë rrugë kthimi në vendin e tij.
Unë nuk kam qenë në Pond. Nuk e di pse ai ma përmendte Ovidin, Solxhenicinin dhe Brodskin e zbuar.. ma përmendte sa e sa herë në Gjirokastër në vitet 70-80 të shekullit që shkoi. Tani që ai është në një botë tjetër, nuk është ndër të gjallët, e kujtoj shpesh…. Nuk mund ta harroj Unë gjithmonë do të ndalja e do ta pija një kafe, nëse në rrugën time për në Gjirokastër do t’më shfaqej jo ai njeri, por qoftë edhe hija e atij. Gjithmonë do t’më shijonte një kafe me Rustem Dobin.