Andi Bushati: Prova se Rama e gënjeu Muç Nanon
Ishte një nga ato intervista që mbahen mend lehtë. Një nga ato që kanë vemendjen e të gjithë publikut sepse zhvillohen ditën e fundit të fushatës elektorale. Top Story, që atëhere zhvillohej ende në Top Channel, ishte zhvendosur në Vlorë, ku Edi Rama do të mbante mitingun përmbyllës. Ndoshta shumë kush e ka harruar sekuencën që do të kujtoj më poshtë, i përnndezur pas debateve për tepsinë, LSI-në dhe marrëveshjen okulte Rama – Basha.
Por, mua më ka mbetur i skalitur në mendje një debat mes kryeministrit që kërkonte një mandat të dytë dhe kolegut tim Mustafa Nano. Pas e etiketoi si qeverisjen më të korruptuar të çerek shekullit të fundit dhe pasi debatoi me Ramën për këtë, Muçi i bëri një kërkesë: pse administrata e Rilindjes nuk jepte përgjigje për qytetarët apo gazetarët kur ata kanë pikpyetje dhe dyshime për afera korruptive.
Unë e mbaj mend, por shiheni edhe ju në videon që lapsi.al e ka nxjerrë nga arkivat qeshjen triumfuese dhe shpotitëse të kryeministrit. “është i madh fare” thoshte për Nanon, “e kam sfiduar t’a bëjë, por nuk e ka bërë asnjëherë, sepse është më e vështirë të bësh investigime sesa të japësh opinione”.
Unë nuk e di nëse Nano e pranoi ndonjëherë dorashkën e sfidës së hedhur live.
Por, tani kam provën se dikush tjetër e ka bërë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.
Dje, Zëri i Amerikës botoi një investigim në bashkëpunim me BIRN që merrte në shqyrtim koncesionet plot hije dhe dyshime të inceneratorëve të Elbasanit, Tiranës dhe Fierit që janë dhënë plot shkelje, në një dorë të vetme.
Me skrupolozitetin dhe këmbënguljen që ua imponojnë media me standarte të larta, që shpesh, për shkak të pamundësive dhe shpërfilljes zyrtare, reporterët shqiptarë i neglizhojnë, investiguesit kishin pyetur dy ministritë kryesore dhe bashkinë e Tiranës për këtë aferë që opozita e ka etiketuar si skandali i vjedhjes së 180 milionë eurove.
Natyrisht Zëri i Amerikës dhe BIRN nuk kishin marrë asnjë përgjigje nga asnjëra prej tyre.
Pra për një çështje, ku qeveria ka firmosur 9 dokumenta brenda një dite, ku ka dhënë 8 milionë euro ende pa filluar punën (në Fier), ku 30% e aksioneve janë shitur me 16 fish menjëherë pasi qeveria e ka miratuar, ku nuk ka pasur garë dhe tender të hapur ndërkombëtar si e kërkon ligji, ku nuk ka kontroll për dëmet mjedisore, pra për këtë çështje korruptive për të cilën ka shprehur shqetësim edhe progres raporti i BE-së, asnjë nga zyrtarët e lartë nuk ka denjuar të japë përgjigje..
Pasi ky investigim ku mungon pala e Rilindjes u transmetua nga Zëri i Amerikës dhe u botua nga BIRN, vete Edi Rama u mjaftua të bëjë batutat e zakonshme për kënetën mediatike
Pa kaluar as një vit, ai e humbi sfidën imagjinare me Mustafa Nanon. Kolegët e BIRN dhe të VOA tentuan të bëjnë atë që nuk e bëri dot Muçi dhe dështuan me sukses. Të gjithë yjet e rilindjes rrefuzuan të japin përgjigje për publikun.
Dhe përseja kuptohet shumë thjeshtë.
Sepse nganjëherë kur nisesh për të vjedhur është më mirë të mos hapësh gojën.