‘Kukulla’ e Kadaresë nën përkthimin e Papavramit
Sadik Bejko
Mora shkas për këtë status nga shënimi i sapo botuar në gazetën ‘Panorama’. Alma Mile sillte lajmin se në Francë, nën përkthimin e Tedi Papavramit nga ‘Fajard’ u botua “Kukulla”, një rrëfim i I. Kadaresë për nënën e tij, botuar te ne në librin ‘Mëngjeset në kafe Rostand’.
Kjo prozë e fundit e Kadaresë ka rëndësi për disa aspekte.
- Sjell edhe një kryevepër tjetër të rrëfimit në gjuhën shqipe.
- E sjell në një moshë që po u afron të tetëdhjetave. Pra, është prozator ende në formën më të lartë të tij. Me armën e ustait në dorë. Si prej diamanti ende.
- Sjell për herë të parë në letrat tona një raport të fëmijës, të të riut, të të burrëruarit me prindërit, në veçanti me nënën. Raportin e një shkrimtari të madh me të ëmën, lidhje që nga lindja e deri sa i vdes e ëma. Kadareja i mbajti, i pleqëroi dhe i përcolli në atë botë prindërit duke jetuar nën një çati me ta. Ky raport i gjatë dhe i vështirë vjen si letërsi dhe si dëshmi shkruar veç me talentin e penës së tij. Kjo marrëdhënie me prindërit zbulohet dhe te libri i Helena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme”.
- Në këtë prozë vjen portreti i nënës, i prindit. Jemi në një kohë kur prindërit braktisen. Ai jeton edhe sot, në vitet gati tetëdhjetë të moshës së tij me nënën. E rikrijon, e ngjall atë. Është i biri i saj. Edhe tani kur vitet janë shtyrë. Edhe tani kur ajo nuk është më.
- Zbulon pala e cepa të panjohura të biografisë së tij. I jep me sinqeritetin e një gjeniu. Troç fare. Frojdistët, ata që rrëmojnë në jetën personale të shkrimtarëve të mëdhenj, ai u ka dhënë një lëndë krejt të tijën. Falas. Merreni. Zhbirojeni…
- Kadareja e zbulon pa lustër marrëdhënien me të afërmit (libri ‘Çështje të marrëzisë’) e portretizon nënën pa zbukurime. Në traditën shqiptare të të shprehurtit me gojë e me shkrim ka veç lavdërime për parardhësit: babai im i madhi, i miri, i jashtëzakonshmi, familja ime bujare, fisnike, patriotike… nëna ime e mrekullueshme e kushedi sa mburrkëla, shtrirje, profka e broçkulla të tilla që i gjen me shumicë jo vetëm në biografi, por dhe në pasditet e VIP-ave tanë të shpifur në TV. Në ‘Pasdite’ në tv ‘Klan’… a në tv ‘Top Channel’…
- Raporti me mëmën ka si nën shtresë, atë me shoqërinë, kohën, me mëmëdheun të njeriut, të shkrimtarit në tërësi, të shkrimtarit Kadare në veçanti.
Kaq po them. Duhet lexuar…