Skandali/Si u thyen dyert e prokurorisë, ditën kur drejtuesit e lartë ikën jashtë shtetit?
Zyrat e Prokurorisë së Durrësit, janë thyer, janë bastisur, ditën kur asnjë zyrtar i lartë i organeve ligjzbatuese nuk ndodhej në Shqipëri. Lajmi për ngjarjen e paprecedent në Durrës u mësua në orët e para të mëngjesit. Ndërsa, në mesditë zyrat e shtypit na informuan se në Kryeprokurorja Arta Marku, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj po zhvillojnë vizita jashtë vendit. Kështu, gjithnjë referuar njoftimit zyrtar, mësojmë se znj.Arta Marku ndodhet në Zagreb dhe merr pjesë në një takim të rëndësishëm rajonal në kryeqendrën e Kroacisë, Zagreb.
“Në takim merr pjesë Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Sessions, Prokurorët e Përgjithshëm si dhe Drejtorët e Policive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi rajonal zhvillohet në Akademinë e Policisë në Zagreb në datat 23-25 maj 2018 për luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar”, njofton zyra për mediat e Kryeprokurores së Përkohshme.
Ndërkohë, ministrat Gjonaj dhe Xhafaj ndodhen në Holandë, ku sot kanë takuar ministrin për Migracionin Mark Harbers. Çështja kryesore e diskutimit, tha zyra e shtypit, ishte fenomeni i migracionit të paligjshëm. Ministri holandez ka kërkuar të goditen ato individë apo grupe që e favorizojnë këtë fenomen. Aktualisht, problemi i kalimit të paligjshëm të kufirit në drejtim të Mbretësrisë së Bashkuar, mbetet një problem shqetësues për palën holandeze.
Grabitja e prokurorisë
Persona ende të paidentifikuar kanë arritur të thyejnë dyert e prokurorisë së Durrësit. Të marrim prej aty dosje e dokumente hetimore si dhe dëmtojnë serverin (ku ruhen të dhënat digjitale) të organit të akuzës. Ndërkohë mësohet se specifikisht janë marrë dosjet e prokurorit Afrim Shehu, prokuror i task-forces që ndër të tjera ka nën hetim edhe zyrtarë të shtetit.
Policia e Shtetit deri më tani nuk ka dhënë asnjë informacion nëse janë identifikuar autorët, ndërsa vetë Prokuroria e Durrësit deklaroi për mediat:
“Në orën 06:30 nga ana e punonjësve të prokurorise se rrethit Gjyqesor Durres është konstatuar se ne ambientet e prokurorise, persona te paidentifikuar, me sende te forta kane hapur deren e Zyres se Serverit ku kanë demtuar dhe marre pajisje elektronike qe regjistrojne kamerat e sigurise, etj. Po keshtu eshte konstatuar se keta persona kane hapur me force edhe zyren e nje prokurori dhe nje zyre te ofocereve te policise gjyqesore. Ngjarja ka ndodhur gjate oreve te vona te nates kur Godina e Prokurorise ruhej nga punonjesit e Policise Private”.