Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasadori i Zvicrës: Shqiptarët kanë talent për improvizim në zgjidhjen e çdo problemi!

Një intervistë në Dita me ambasadorin e Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, disa ditë përpara se ai të përfundojë mandatin. Në 1 qershor ambasadori dorëzon çelësat dhe largohet për një tjetër sfidë në karrierën e tij. Si kanë qenë katër vitet e Graf në Shqipëri. Një zbulim nëpërmjet tij mbi Shqipërinë, natyrën, njerëzit dhe politikën…

 

Bisedoi: Entela Resuli

Me mbylljen e muajit maj, ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf, përfundon mandatin e tij 4-vjeçar në Tiranë.

Këto janë ditët e fundit që ai po kalon në rezidencën e tij në ish- Bllok.

Ai ngjit lehtë shkallët për në katin e dytë ku ka zyrën, në të cilën ka kaluar katër vite, por edhe ka njohur më tepër Shqipërinë. Duket një tip sportiv dhe këtë e tregon fiziku i tij.

Biseda me të fillon me një keqardhje për largimin nga vendi për të cilin thotë se do të ruaj kujtime shumë të bukura.

“Më vjen keq që po largohem nga një vend kaq interesant sa Shqipëria, por nga ana tjetër, jam i bindur që më pret një tjetër punë dhe eksperiencë interesante”, na thotë ambasadori.

Mesa duket z. Graf e ka shijuar shumë këtë eksperiencë pune në Tiranë, por gjithashtu nuk mund të qëndrojë “peng” i një shijeje të mirë që i ka lënë ky vend, sipas tij, jeta ka shumë për të zbuluar dhe Shqipëria ka qenë një surprizë e bukur për të dhe familjen e tij.

Ajo që kuptojmë nga biseda me z. Graf është se ai e ka parë me një sy pozitiv Shqipërinë.

Vlerëson çdo ndryshim dhe përpjekje për përmirësim gjatë këtyre kohëve, por edhe dëshirën e njerëzve për të mësuar dhe për t’u zhvilluar shpejt.

Pothuajse e ka prekur të gjithë hartën e Shqipërisë me këmbë. Ka provuar detin dhe malin në vendin tonë. Ka shijuar ushqim shumë të mirë, pije interesante, por ka njohur edhe njerëz të cilët i janë dukur më mikpritësit në botë.

“Në përvojën time shqiptarët janë një nga popujt më mikpritës që kam njohur. Kudo ku kemi shkuar na kanë bërë një pritje të ngrohtë, qoftë në kontaktet formale apo në ato jo formale”, tregon ambasadori zviceran Christoph Graf në një intervistë për Dita-n.

Ai dhe bashkëshortja e tij janë ndjerë si në shtëpi, sidomos në kontaktet që kanë patur me natyrën dhe gjatë ngjitjeve që kanë bërë në malet e veriut të vendit të cilat shpesh të ngjajnë me ato të Zvicrës.

Gjatë kësaj bisede, kërkova më shumë të kuptoja se me çfarë ndjesish do të ikte z. Graf nga Shqipëria, si e ka parë dhe njohur ai këtë vend dhe mbi të gjithë si është ndjerë në një vend të huaj që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Në këtë intervistë me ambasadorin nuk mund të mos prekja temën e Reformës në Drejtësi, politikën si pengesë apo shtysë, dhe mbi të gjitha çfarë duhet bërë që ky vend t’i çojë deri në fund reformat që ka ndërmarrë, ku në një pjesë të tyre, vendi që ai përfaqëson, ka dhënë një ndihmës të madhe.

Ambasadori na u përgjigj edhe për këto çështje… edhe pse me diplomaci. Në fund të fundit është profesioni i tij!

Në fund të kësaj bisede një gjë është e sigurt; Shqipëria ka një vend të veçantë në zemrën e tij dhe ai do të kthehet sa herë do të dëshirojë pak energji apo të shohë se si kanë ecur reformat e ndërmarra tashmë nga Shqipëria, vendi ku ai ka shërbyer 4 vite si ambasador…

 

-Ambasador Graf, ju jeni tani afër mbylljes së mandatit tuaj në Tiranë, si ndiheni?

Jam i lumtur që kam shërbyer për forcimin e lidhjeve midis dy vendeve tona; jam i trishtuar që po lë një vend dhe popull interesant dhe dinamik; dhe jam plot me shpresë se Shqipëria është në rrugën e duhur.

-Thonë që ambasadorët e huaj shpesh e kanë të vështirë të pranojnë emërimin në Shqipëri, por kur vijnë këtu, ata e kanë të vështirë të largohen. Po për ju si ka qenë?

Shqipëria gradualisht po e përmirëson imazhin e saj në botën e jashtme. Për shumë diplomatë ky vend shihet si ekzotik, por jo si një vend i rrezikshëm. Pasi kam shërbyer më parë në vende më të largëta dhe të rrezikshme unë u ndjeva i gëzuar me emërimin si kreu i Ambasadës në Tiranë. Dhe në fund të fundit këtu është Europë, dhe afër vendit tim.

-Ne në Shqipëri dëgjojmë me kuriozitet kur të huajt rendisin karakteristikat tona, qofshin pozitive, negative apo të çuditshme. Pas gati katër vitesh çfarë ju ka mbetur në mendje nga ky vend?

Ky është një vend dinamik, që gumëzhin dhe është gjithnjë në ndryshim. Njerëzit janë sanguinë, vitalë dhe shpesh edhe me tepri. Nga ana pozitive, Shqipëria ka shumë energji, lëviz shpejt, dhe sheh përpara- si nga aspekti njerëzor dhe aspekte të tjera. Nga ana negative kjo energji nganjëherë nuk kanalizohet siç duhet dhe situata është pak kaotike dhe jo-produktive, me një kulturë të polarizuar të debatit, e cila pengon gjetjen e zgjidhjeve të mira. Njerëzit janë plotësisht në favor të demokracisë dhe integrimit në BE dhe gjithnjë e më shumë po ngrihen për të drejtat dhe interesat e tyre.

-Z. Ambasador, shumë njerëz e kanë krahasuar Shqipërinë e veriut me Zvicrën për nga bukuria natyrore. Ju duhet të keni udhëtuar shumë nëpër Shqipëri. Si ju duket ky vend?

Shqipëria ka disa gjëra të përbashkëta me Zvicrën, bukuria natyrore është njëra prej tyre.

Zvicra dhe Shqipëria ndajnë gjithashtu faktin që janë vendet me burimet më të shumta ujore në Europë. Shumë pjesë të Shqipërisë së veriut ngjajnë me Alpet zvicerane, për shembull, kur bëja ecje në male, në Kelmend, u ndjeva si në shtëpi.

Shqiptarët janë me shumë fat sepse ata kanë gjithashtu edhe detin dhe plazhet me një bregdet të bukur, gjë që nuk e kemi në Zvicër.

-Gjatë qëndrimit këtu duhet të keni takuar shumë njerëz, të njohur dhe të panjohur, me pushtet ose jo… si do t’i përkufizonit shqiptarët?

Njerëzit në Shqipëri janë kuriozë, kërkues, gjithashtu edhe ambiciozë dhe që mësojnë shpejt. Ata janë gjithashtu krenarë si popull, krenarë për vendin dhe flamurin e tyre, shqiponjën me dy krerë. Lidhjet familjare dhe klanet janë shumë të rëndësishme, dhe të moshuarit respektohen dhe për ta tregohet kujdes.

-A mendoni edhe ju se ne jemi një popull mikpritës?

Në përvojën time shqiptarët janë një nga popujt më mikpritës që kam njohur. Kudo që kemi vizituar kemi gjetur një hapje dhe një pritje të ngrohtë, qoftë në kontaktet formale apo në ato jo formale.

-A ndryshojnë njerëzit që kanë një post politik nga njerëzit e zakonshëm në Shqipëri?

Politikanët zgjidhen nga populli dhe janë qenie njerëzore si të gjithë – me anët e forta, dobësitë, të mirat dhe të këqijat e tyre. Në demokraci është populli që drejton politikanët dhe jo e kundërta.

Nëse populli vazhdon të kërkojë më shumë transparencë dhe llogari, Shqipëria do të shohë më shumë përmirësim në cilësinë e politikanëve në kohërat e ardhshme.

-Ju lutemi na tregoni një ngjarje interesante nga Shqipëria, një bisedë, apo mesazh nga dikush që ju ka lënë përshtypje?

Kur njëherë harrova kuletën në dyqan, e zonja e dyqanit vrapoi menjëherë për të më dhënë kuletën. Ose kur një ekspert i huaj pas një trajnimi mbi emergjencat mjekësore më tha se të rinjtë shqiptarë janë studentët më të mirë, më të zellshëm dhe më të angazhuar të cilët ai ka trajnuar ndonjëherë.

-Çfarë mendoni për Tiranën, a ka ndryshuar gjatë kohës që keni shërbyer këtu si ambasador?

Tirana është një qytet vibrant dhe gjatë katër viteve kam parë shumë ndryshime. Shoh një përmirësim të infrastrukturës publike, dhe më pëlqen sheshi “Skenderbej”, një vend ku po ndodhin shumë aktivitete për publikun. Më pëlqejnë përpjekjet e bashkisë për të promovuar përdorimin e biçikletave dhe për të bërë qytetin më të gjelbër – Tirana ka nevojë për më shumë mushkëri për të marrë frymë. Gjithashtu, gjysmë-maratona e parë e qytetit ishte një sukses – jam i gëzuar që mora pjesë!

– A ka qenë gruaja juaj me ju në Tiranë gjatë shërbimit tuaj si ambasador? Si është ndjerë në Shqipëri?

Ajo është ndjerë si në shtëpi në Shqipëri dhe është pritur me përzemërsi. E ka shijuar zbulimin e vendit dhe të njerëzve. Ecja e saj e preferuar është shtegu përreth Liqenit Artificial të Tiranës. Ajo ka patur kënaqësinë të takohet me artistë dhe të vizitojë galeri arti, si dhe është angazhuar si vullnetare në një jetimore.

– Në çfarë niveli janë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Zvicrës? Dhe si i vlerësoni marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve?

Zvicra dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Unë jam i gëzuar që në vitet e fundit shumë përfaqësues të nivelit të lartë nga të dy vendet kanë shkëmbyer vizita dhe ka një ndërgjegjësim më të madh mbi Zvicrën në Shqipëri, dhe mbi Shqipërinë në Zvicër. Vitin që shkoi ne festuam 25-vjetorin e hapjes së Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, dhe vumë re se marrëdhëniet dypalëshe janë rritur e forcuar. Në fushën ekonomike jemi ende nw një nivel modest, por ka shumë potencial për përmirësim. Shumë më tepër investitorë dhe turistë zviceranë mund të vijnë këtu, një volum më i madh tregtie mund të shkëmbehet, dhe lidhjet e biznesit mund të rriten. Për këtë gjithashtu duhet të përmirësohet klima e biznesit dhe investimeve.

– Pse është Zvicra e interesuar në përparimin e Shqipërisë?

Në sytë e Zvicrës, Shqipëria i përket Europës. Ne e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor si një rajon fqinj. Qeveria zvicerane është shumë e përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim dhe Shqipëria është një nga pesë vendet parësore për marrjen e asistencës për zhvillim në këtë pjesë të botës. Një Shqipëri më me prosperitet, dhe në sensin më të gjerë edhe Ballkani Perëndimor, do të thotë më shumë paqe, prosperitet dhe mundësi edhe për Zvicrën.

– Cilat janë projektet më të rëndësishme që kanë ecur përpara përmes mbështetjes tuaj dhe që ju bëjnë më shumë krenar, dhe si e shihni ecurinë e vendit përkundrejt investimeve zvicerane?

Unë do të veçoja TAP – Gazsjellësin Trans Adriatik. Aty Zvicra është e përfshirë si qeveri ashtu edhe si sektor privat. Projekti për të forcuar kapacitetet e Shqipërisë për gazin ka shumë rëndësi për sektorin e energjisë. Gjithashtu, në sektorin e arsimit profesional, jam i kënaqur që ka patur ndryshime në nivel sistemi, një rritje të ndërgjegjësimit që shkollimi profesional është i mirë, dhe përmirësime në shkollat profesionale dhe ofertat e tyre. Ndërsa në fushën e qeverisjes demokratike, jam i kënaqur që mbështetja dhe ekspertiza zvicerane ka asistuar në reformën administrative dhe territoriale dhe në përgjithësi që po forcon funksionimin e qeverisjes vendore.

– Z. ambasador, Zvicra jep shumë mbështetje për Shqipërinë përmes projekteve, granteve dhe fondeve për organizata dhe individë që kanë ide apo projekte. Si siguroheni që këto fonde nuk abuzohen?

Ne i zgjedhim me kujdes ato agjenci që zbatojnë projektet. Dhe ndërtojmë mbi partneritete afat-gjata. Ne bëjmë vlerësime të rregullta jemi vazhdimisht në dialog, kërkojmë rezultatet dhe i monitorojmë ato.

– Sipas jush pse është e vështirë për Shqipërinë që të ecë përpara me reformat e rëndësishme si kjo e drejtësisë?

Në fakt unë shoh që Shqipëria si shoqëri po ecën shpejt dhe që vendi po ndërmerr shumë reforma. Por zbatimi dhe pronësia më e gjerë e reformave janë sfidë. Një demokraci e shëndoshë, drejtësia dhe prosperiteti kërkojnë dialog dhe pjesëmarrje. Reforma e drejtësisë kërkon vullnet nga politikanët dhe nga profesionistët e drejtësisë që të zbatohet. Por gjithashtu kërkon edhe një qëndrim më të fortë nga qytetarët për të patur një sistem drejtësia që funksionon si duhet. Lëvizjet aktive të shoqërisë civile janë të rëndësishme në këtë kontekst.

– A janë politikanët shqiptarë një pengesë për një hap më të shpejtë në progresin e vendit?

E përsëris: politikanët zgjidhen nga populli. Kur ka kontrolle dhe ekuilibra, politikanët kujdesen më mirë për të mirën publike, dhe veprojnë në interes të vendit dhe të popullit, dhe bëhen më të përgjegjshëm dhe më të përgjigjshëm. Përmes programit tonë të mbështetjes për qeverisjen demokratike ne përpiqemi të kontribuojmë me modesti për një kulturë më demokratike në Shqipëri.

– Shumë kanë deklaruar se integrimi në BE është çelësi për rritje ekonomike dhe mirëqenie në vend. A nuk do të ishte më mirë të merrnim shembullin e Zvicrës dhe t’i kryenim reformat për veten tonë, dhe jo sepse kërkohen nga zyrtarët e BE-së?

Unë e kam deklaruar qartë edhe më parë: Shqipëria nevojitet të kryejë reformat në radhë të parë për hir të popullit të saj. Integrimi në BE ende mbetet një gur kilometrik që udhëheq, por që nuk mund të jetë motivimi kryesor. Arsyeja e vërtetë për të përmirësuar standardet e vendit në çdo aspekt është interesi i qytetarëve shqiptarë. Ata meritojnë qeverisje të mirë, drejtësi që funksionon, dhe një ekonomi në prosperitet. Kjo përputhet edhe me rrugën për në BE.

– Dhe në fund, Z. Graf, a mund të renditni tre ose më shumë gjëra që keni pëlqyer më shumë në Shqipëri dhe që ndoshta do t’ju mungojnë?

Njerëzit mikpritës dhe miqësorë; pamja fantastike në Qafën e Llogarasë mbi detin Jon, dhe talentin për improvizim në zgjidhjen e çdo problemi të shqiptarëve!

DITA

Please follow and like us: