Protesta për largimin e Xhafës, opozita teston mbështetjen
Opozita doli sot sërish në shesh për të protestuar kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, që ajo e cilëson të lidhur me krimin e drogën. Kjo ishte një tjetër provë për të testuar mbështetjen e kauzave të saj nga qytetarët. Nëse ndalemi në një prej pikave më të diskutuara, sa hërë zhvillohen protesta në vend, pikërisht numri i pjesëmarrësve, mund të thuhet me siguri se kjo nuk qe një nga protestat më të mira të opozitës. Nëse e krahason me protestën e shkurtit 2017, e cila më pas ‘prodhoi’ cadrën në bulevard, kjo e sotmja ishte dukshëm shumë larg. Të vetmin fjalim e mbajti kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai tha se ka vetëm një rrugë; largimi i Edi Ramës!
“Përpjekja jonë nuk është luftë për pushtet, është betejë mes të mirës dhe të keqes, mes njerëzve që duan drejtësi dhe atyre që e kanë kapur drejtësinë. Problemi që ka sot Shqipëria është mungesa e demokracisë, rënia e shtetit të së drejtës, është shteti i kapur nga krimi e korrupsioni. Sot nga ky shesh i mbushur si kurrë më parë, ne dëshmojmë se ne nuk e pranojmë autokracinë, korrupsion e nuk mbyllim sytë para krimit dhe korrupsionit. Rilindja nuk degradoi rrugës, por ishte një projekt kriminal i një individi. Që ditën e parë ajo e grabiti vendit. Ka krijuar një sistem kriminal. Ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie nga populli i bashkuar”, u shpreh Basha.
Mes thirrjeve për bashkim rreth opozitës, Basha e mbylli fjalimin dhe orientoi turmën drejt Sheshit ‘Skënderbej’, ndonëse vetë bëri një lëvizje të cuditshme, duke ikur fillimisht drejt sheshit ‘Nënë Tereza’.
“Ne kemi nevojë që ne mund të bëjmë Shqipërinë. Sa herë që njerëzit bëhen bashkë, ia kanë dalë. Nëse bëhemi me qindramijëra, pushteti do të bëhet i njerëzve”, tha Basha.
Turma ndërkohë nisi të krijonte incidentet e para, duke hedhur tymuese me ngjyrë drejt Kryeministrisë dhe tentoi të përplasej me policët, por gjendja u qetësua shpejt. Tensionet kulmuan te Ministria e Brendshme. Protestuesit bënin thirrje për dorëheqjen e Fatmir Xhafës, për të cilin kishte raportime kontradiktore. Disa thonin që ishte larguar nga zyra, por Ministria e Brendshme nuk e konfirmonte këtë lajm.
Më tej duke përdorur edhe mbrojtëset metalike të rrethimit te sheshi ku po bëhen punimet, turma tentoi te kalonte kordonin e policisë që mbronte Ministrinë e Brendshme. Aty u shënua edhe një incident; mbeti i plagosur lehtë kryeredaktori i Rilindjes Demokratike, Bledi Kasmi. PD thotë se ai u qëllua nga policia. Kur u duk se situata po agravohej, nga selia blu u njoftua që Lulzim Basha po shkonte të tërhiqte protestuesit.
Dhe kështu ndodhi. Basha u shfaqe befas para Ministrisë së Brendshme duke bërë me shenjë që protestuesit ta ndiqnin pas. Në selinë e PD-së ai mbajti një fjalë të shkurtër para tyre dhe e deklaroi të mbyllur protestën. Kishte mes protestuesve që ishin kundër vendimit të Bashës. Disa prej tyre debatuan me deputetët e tij, duke i akuzuar ata se i kishin sjellë kot në protestë për kaq pak gjë. Nuk vonoi më pas reagimi i kryeministrit Rama, i cili në mënyrë cinike falenderonte demokratët që sipas tij nuk iu bashkuan asaj që ai e quan ‘babaleprotestë’.
Praktikisht gjithcka përfundoi këtu dhe fati i audiopërgjimit ‘Xhafaj’ është në dorë të Prokurorisë, e cila e ka dërguar për ekspertim në Itali. Ndonëse duhet thënë që nuk priten surpriza. Nxitimi i Ramës për ta shpallur si fabrikim materialin, gjoja duke iu referuar ekspertimit të një agjencie të huaj, ka ndikim të madh në rezultatin e prokurorisë.