Ministri Majko, takim me shqiptarët e komunës Piana degli Albanesi
Ministri i Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko dhe homologu i tij në Kosovë, Z. Dardan Gashi, zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në komunën Piana degli Albanesi si edhe autoritetet lokale italiane. Kryetari i Bashkisë, Ing. Rosario Petta u shpreh komunitetet arbëreshe në këtë provincë, por edhe më gjerë, janë të njohur për vlerat e tyre të spikatura si edhe ruajtjen e traditave shqiptare. Ai njoftoi pjesëmarrësit se autoritetet vendore kanë përgatitur dy dokumete për qeverinë e Shqiperisë dhe të Kosovës, në të cilën parashtrojnë një program konkret bashkëpunimi midis autorieteve rajonale me të dy qeveritë. Letra propozon krijimin e një agjencie arbëreshe për koordinimin e bashkëpunimit të komuniteteve arbëreshe dhe autoriteteve rajonale siciliane me qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës. Piana degli Albanesi, si komune perfaqësuese e komunitetit Arbëresh në Sicili, do të bëhet promotori i nxitjes së shkembimeve kulturore, arsimore dhe shkëmbimeve të tjera midis arbëreshëve, institucioneve rajonale e lokale dhe qeverive shqiptare e kosovare. Kjo do të ndihmonte jo vetëm zgjidhjen e problematikave të komuniteteve arbëreshe në institucionet rajonale në Itali, por edhe perfaqësimin e tyre në institucionet shqiptare e kosovare. Kjo do të ndihmonte edhe projektet e qeverisë së Shqipërisë për të mundësuar votimin dhe përfaqësimin e emigrantëve në vendet pritëse. Ministri Dardan Gashi nënvizoi se në tetor Kosova dhe Shqiperia presin në Prishtine kryetarët e komunave të Arbëreshëve në Sicili për të nënshkruar një marreveshjeje bashkëpunimi. Ministri Gashi kërkoi gjithashtu që kultura arbëreshe të jetë e ruajtur si pasuri e UNESCO-s. Ministri Majko u shpreh se si ministri pare i Diasporës në historinë e Shqiperisë, e konsideron një përparësi bashkëpunimin me arbëreshët. “Miq të huaj më pyesin si merreni vesh me arbëreshët. U them që flasim shqip dhe kur ndjehemi në vështirësi, vazhdojme në italisht. Marrëdhëniet e shkelyqera italo-shqiptare kalojnë nga arbëreshët”. Ministri Majko u shpreh se qeveria shqiptare i konsideron shumë të rëndësishme marrëdheniet e vecanta me Italinë. Shqipëria dhe Kosova janë duke iu afrur Bashkimit Europian dhe arbëreshët janë një përshpejtues i proceseve integruese. Por edhe arbëreshët kanë mbështetjen e vëllezërve të tyre binjak, Shqipërisë dhe Kosovës. Ministri u shpreh se “Jemi pak vonë në këtë bashkëpunim, por sic themi ne shqiptarët, më mirë vonë se kurrë”. Shqipëria dhe Kosova janë krenare për arberëshet, të cilët kanë treguar se edhe pas 600 vjetesh shqiptarët mbeten shqiptarë. Propozimet e kryetarit të bashkisë, përfundoi Ministri Majko, i pranojmë me kenaqësi dhe i konsiderojmë hapin e parë te rëndësishëm të bashkëpunimit tonë.