Whashington Post: Mijëra protestues kërkojnë dorëheqjen e Ramës
Mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje zhvillimit të protestës së sotme të opozitës të mbajtur pranë Kryeministrisë.
Whashington Post shkruan se mijëra përkrahës të opozitës shqiptare protestuan kundër qeverisë duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për lidhje me krimin e organizuar.
“Protestuesit e udhëhequr nga lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, marshuan në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë me thirrje “Rama ik”.
Ata mbajtën parulla anti-qeveritare, flamuj shqiptarë e të Bashkimit Evropian dhe hodhën gurë e sende të forta drejt godinës së qeverisë e Ministrisë së Brendshme.
Demokratët akuzojnë edhe Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj për përkrahje të aktiviteteve të lidhura me drogën të vëllait të tij. Para disa ditësh, vëllai i tij, Agroni, u vetëdorëzua te autoritetet italiane për të vuajtur dënimin e vitit 2012 për çështje droge.
Shqipëria, anëtare e NATO-s që më 2009, pret nisjen e negociatave muajin e ardhshëm për anëtarësim në BE”, shkruhet në shkrimin e ëhashington Post.