Gjyqtarët që do vendosin “fatin” e Saimir Tahirit!
Mesditën e sotme ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të dalë para Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Ai do kërkojë heqjen e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë. Seanca do të mbahet sonte në ora 13:00. Ndërsa janë zbardhur edhe emrat e gjyqtarëve që do vendosin për fatin e tij. Kryesuese është Saida Dollani, ndërsa anëtarë janë Sokol Binaj e Fehmi Petku. Ky i fundit zëvendëson anëtaren e mëparshme, Nertina Kosova, ka dhënë dorëheqjen. Tahiri akuzohet për trafik ndërkombëtar droge të kryer në bashkëpunim dhe shpërdorim detyre. Ditën e djeshme erdhi dhe një reagim i fortë nga ambasadori amerikan Lu në lidhje me këtë temë, u shpreh se po jepen ryshfete ndaj gjyqtarëve në favor të Tahirit. “Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, theksoi Lu.