Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Babalja dhe babalistët e lumtur

Ka një lajm sot, që, duket si i bujshëm…, policia e Kosovës ka arrestuar këtë Babalen për llogari të krimeve të rënda në Shqipëri. Bravo policisë së Kosovës, gjithmonë e ndjeshme. Kësaj tonës këtej në rastin e Sajmir Tahirit përshembull, iu desh gjashtë muaj e ca t’i siguronte një ngujim të këndshëm ish shefit. Iu desh dy minuta t’i hapte rrugën përshembull vëllait të ministrit aktual që ”lufton” krimin dhe grupet kriminale, madje me ceremoni. E ta akomodonte diku në Itali, edhe pse është ai shkaku i gjithë kësaj zallamahie shqiptare. Një mish me plot hori sociale, ca mbi dështimin e protestës, ku dallon pjesa më e madhe e shoqërisë sonë. E cila i gëzohet arritjeve nën Edi Ramën. Pse jo?! Hapje e gjerë e frontit të punës. Kudo ka punë, punë plot. Aq sa njerëzia ia bëri në kokë Llotarisë Amerike, madje janë amerikanët ata që po aplikojnë për të ardhur në Shqipëri. Dhe në zonat rurale, sidomos nga lumi i Vlorës, u kthye rishtas qetësia e punës, jemi në kohë vjelje, për kanabisin dhe të tjera droga që të bëjnë të pasur për një ditë. Pa diskutim që ka edhe ngritje rroge…., punë plot. Të na rrojë sa malet Edi Rama. Përse pra duhet të protestojmë? Por jemi tek Babalja…, një nga ata shqiptarë që janë me pikatore në Shqipërinë tonë. Një denoncues, që shtypit rozë të qeverisë, inatçorëve të Berishës, atyre që kanë harruar edhe kutitë bosh të hapeve të skaduara të tensionit, mjaft që Berisha me Lulin të mos kthehet, u duket një zhelan i pabesueshëm. Janë gati ta shqyejnë, mjaft që të mos kthehen pëdëistët. Ndofta forca më liberale dhe më sociale se çdo parti e majtë e kohërave të pas luftës në Shqipëri. Eshtë karakteristikë e jona që një denoncues ne ta përçmojmë. Një karakteristikë ”patriotësh” që tashmë është kalçifikuar deri në kockë të çdo qytetari. Të cilëve edhe pse po u shëmbet çatia mbi kokë. Kurrë nuk kanë për të besuar. Do nxjerrin kokën midis tjegullave, e, ashtu me shtëpinë e shembur rreth, si fund putanash, do bërtasin poshtë Berisha. Babalja është i gjithi një top për të kënaqur epshet e gojës. Një duf që të bën ta kthesh birrën me fund, e të fshish buzët me kënaqësi me të praptën e dorës. Kësisoj si ta linte menjanë policia e vëllezërve tanë në Kosovë? Nuk ndryshon shumë nga kjo e jona. Dha një shembull të përkryer me gylenistët. Po ju prek qimja e mjekrës këtij erdohanit tonë, nuk të falin. Sidomos me shef Batonin që në vend ta pyeste, i kërkonte llogari një tjetër denononcuesi të papunë, me meritat e ish prokurorit të Enver Hoxhës. Duhet ta dinë mirë shqiptarët se, rraca e shtypistave është po aq pa fytyrtë sa shefat e tyre të dhunshëm. Megjithatë krejt njerëzish dua t’u kujtoj se të arrestosh një Babale, që nuk i beson më askujt, qoftë dhe opozitës. Sepse e di mirë se kundër kujt ka dalë. E paranjeh atë botë valixhesh kartëmonedhash e qeskash me miell të bardhë…, a pistoleta. E di se çfarë të bëjnë në dhomat e paraburgimit a në ato gjoja apartamente me mbikqyrje etj., ka të drejtë të iki, të marri malet, për mijëra arsye. Ne, shoqëria e grupeve dhe e tritolit, i dimë mirë, i njohim. Sidomos kur me vete ke edhe djalin… Pra të arrestosh një Babale, nuk është sukses, por regres. Ndaj lumturohuni me betejat boshe, me mullinjtë e erës, me përparimin tuaj anti opozitar.

Please follow and like us: