Ndue Ukaj: Shungullima poetike e Ndre Miedies
Poezia e Ndre Miedia të përvëlon. Ajo është ‘Àndra e jetës’, që shtrihet në art me shije të hollë dhe gjuhë muzikore. Ashtu siç janë vargjet e tij, si gurgullima e ujërave të qeta të natyrës apo shungullima e një ujëvare magjike. Në vargjet e tij, tingujt e gjuhës shqipe, shungullojnë si jehu i një flladi pranveror. Vargjet e tij janë të shkruara me kulturë letrare klasike dhe me shije të hollë artistike.
Ndre Miedia, siç thoshte Ernest Koliqi, ishte “nji poet i thellë ndër ndjesina dhe i përsosun në trajtë që çeli nji krue të ri lirizmi në letërsinë t’onë, nji atdhetar qi punoi tanë jetën e vet për sqimin e fuqisimin e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet arsimit dhe kulturës”.
Miedia është njëri njëri nga stilistët më të përkryer të poezisë shqipe, mjeshtër i pashoq i vargëzimit, që i ka lanë letërsisë shqipe vargje të paharrueshme, plot ambëlsi e shkëlqim artistik.
Mund të jenë të paktë ata shqiptarë që të mos kenë dëgjuar për ‘Vájin e bylbylit’ dhe për ‘Àndrën e jetës’, ku ndihet dhimbja dhe bukuria e jetës, e përshkruar me nota herë të ambla e herë tragjike.
Shumë lexues janë rritur me poezinë e tij kumbuese dhe me gjamën e tij për lirinë, të shpalosur me mjeshtëri te libri poetik, ‘Juvenilia’. Ky libër u botua më 1917, një shekull më parë, në Vjenë dhe është ribotuar vjet, si botim anastatik, nga Botimet Fishta, me drejtues Frano Kullin dhe është përgatitur nga Dom Dom-Nike Ukgjini, udhëheqës i Qendrès Muzeale “Ndre Mjeda”.
Ky botim që po e prezantoi, më erdhi sot dhe më gëzoi.
Pas një kohë e rilexova poezinë e Miedies, i mbërthyer nga ai gëzimi dhe mallëngjimi i ‘Vájit të bylbylit’, që dikur gufonte në zemrën time të robëruara. Dikur – jo shumë moti- shqiptarët ishin në kafaz. Dhe unë, si i ri, e lexoja Miedien dhe besoja se murrlani pushon, dhe një ditë, gjithë fushat dhe malet e vendit tonë do t’ i mbulojë blerimi, siç këndonte poeti. Atëkohë, simbolika e bylbylit jetonte në ne dhe ishte burim frymëzimi.
Shqiptarët e autorit gjimonin dhe rrinin shkret. Por, me kohë ata kanë fituar lirinë, por gjamat shqiptare nuk pushuan kurrë:
“Si te Miedia edhe sot, dëgjon këto vargje:
Por njaj váj qi jé tui lëshue,
Bylbyl zêmren m’a copton;
Dit’ e natä tui prigiue,
Váj per mue! kush mund t’ ngushllon?”
Vargjet e kësaj përmbledhje poetike të përvëlojnë shpirtin. Sepse, pas 100 vitesh, poezia e tij e ruan freskinë dhe fuqinë e vet artistike, por edhe aktualitetin tematik. Kjo bëhet dyfish tragjike për lexuesit shqiptarë. Dhe, ndonëse bora u shkri, bylbyli ndër ne ende gjimon.
Sot, kur e lexoj poezinë e tij, më gufon ai dufi i fuqisë dashnuese të poetit, që e deshi dhe e shkroi gjuhën shqipe për mrekulli; poeti që këndoi vajin e bylbylit dhe që e shkriu në vargje antolgjike tragjiken e andrrës së jetës.
Në kohë krizash, si kjo e jona, kur ngarendia pas marrive nuk ka të ndalur, të lexohet Miedia, është si të marrësh ilaç për shërim kombëtar.
Autori vizionar qëmoti tërhiqte vërejtjen përmes vargut:
“Bashkë n’ at vorr â mbëlue Shqipnija”,
“Vorri o Skanderbegut”.