Opozita e bashkuar: Të largohet Fatmir Xhafaj
Pas protestës së 26 Majit, opozita ka vendosur të mos bojkotojë parlamentin ashtu siç u kërkua nga shumë deputete të PD. Në një deklaratë të përbashkët PD dhe LSI thanë se aksioni opozitar do të vazhdojë por pa dhënë shumë detaje për protesta të mëtejshme.
Deklarata e plotë
Opozita e bashkuar shpreh mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë qytetarët që protestuan me dinjitet dhe atdhetari kundër krimit, drogës, korrupsionit dhe qeverisë së kapur prej tyre, si dhe për qindra mijëra të tjerë që mbështetën protestën në çdo anë të Shqipërisë.
Ata dëshmuan vlerat europiane të popullit tonë përballë qeverisë së lidhur me krimin dhe trafikun e drogës, dëshmuan qytetarinë e popullit tonë përballë harbutërisë së qeverisë.
Ata bënë të qartë se shqiptarët nuk pajtohen me krimin dhe drogën dhe, mbi të gjitha, nuk mund të tolerojnë një qeveri të kapur nga krimi.
Qëndrimi i opozitës dhe qytetarëve të bashkuar kundër krimit dhe drogës për një Shqipëri Europiane është i vendosur dhe i pakapërcyeshëm:
Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe t’i hapë rrugën një hetimi të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot.
Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.
Edi Rama po vazhdon në mënyrë kriminale mbrojtjen me mekanizma mafiozë presioni dhe manipulimi të Fatmir Xhafajt.
Largimi dhe hetimi i tij dhe vëllait të tij sipas Ligjit Antimafia, si dhe ndalja e kërcënimeve dhe presioneve kriminale të Edi Ramës ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve në procesin ndaj Saimir Tahirit dhe figurave të larta qeveritare, që janë nën hetim për lidhje me krimin dhe korrupsion, janë kushte të pakalueshme për integrimin Europian të Shqipërisë.
Lufta kundër krimit dhe drogës është kushti kryesor i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Qeveria e Edi Ramës e lidhur me krimin dhe drogën po e mban Shqipërinë peng, të izoluar nga Europa dhe në varfëri e mjerim.
Ne nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë kurrë që e ardhmja e shqiptarëve të sakrifikohet për Fatmir Xhafajn, Saimir Tahirin dhe Edi Ramën.
Edi Rama ka zgjedhur krimin dhe i ka dalë zot krimit. Opozita ka zgjedhur shqiptarët dhe do t’u dalë zot shqiptarëve dhe aspiratës tonë kombëtare për Shqipërinë si gjithë Europa.