SHBA parandaloi një sulm të madh kibernetik rus
Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se ka kapur një domen interneti, të kontrolluar nga një grup hakerësh i lidhur me inteligjencën ushtarake ruse, i cili ka planifikuar një sulm të madh kibernetik, me gjasë në Ukrainë.
Autoritetet amerikane thanë se ky domen do t’iu mundësonte hakerëve të marrin kontrollin e kompjuterëve dhe të vidhnin informacione të vlefshme.
Më herët, Agjencia për Siguri e Ukrainës ka paralajmëruar për sulme të mundshme kibernetike nga Rusia gjatë ngjarjeve të mëdha, të tilla si ndeshja finale e Ligës së Kampioneve në futboll, e planifikuar për 26 maj në Kiev.
Ndihmësi i drejtorit të FBI-së, Scott Smith, tha se kjo agjenci amerikane “ka marrë një hap kritik në minimizimin e sulmit kibernetik”.
FBI tha se domeni është krijuar nga një grup hakerësh që e quan veten Fancy Bear.
Ky grup fajësohet për një varg sulmesh në disa qeveri dhe caqe të ndjeshme, si rrjetet e energjisë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Agjencia Botërore Anti-Doping./REL/