Vrasja e Marvi Mihalit, gjykata rikthen në burg tre të rinjtë
Gjykata ka rikthyer në burg tre të rinjtë e akuzuar për përfshirje në vrasjen e 22-vjeçarit Marvi Mihali, ngjarje e ndodhur rreth një vit më parë pranë stadiumit “Dinamo” në Tiranë. Eugen Bitraj, Kridens Alla dhe Marsel Alla u liruan në datën 11 Maj pasi ata u akuzuan vetëm për “moskallëzim krimi”. Por, prindërit e viktimës reaguan ashpër dhe depozituan padi kundër këtij vendimi. Lidhur me çështjen u caktua një prokuroror i ri. Ndër veprimet e para të prokurorit Gjergji Tako, ishte klasifikim i veprës së tyre nga “moskallëzim krimi”, në “vrasje në bashkëpunim”. Në këto kushte, prokurori kërkoi masën e “arrestit me burg” ndaj tre të rinjve, kërkesë e cila u pranua nga gjykata. Babai i viktimës, ish-sportisti Pavlo Mihali depozitoi padi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ndaj prokurorit të parë të çështjes Artan Lulaj dhe gjyqtarëve Bedri Qorri e Sokol Pasho, si dhe oficerin e Policisë Gjyqësore Kliton Zharri. Mihali i akuzon ata se morën ryshfet për lirimin e tre prej katër autorëve të krimit, pasi në qeli mbeti vetëm shtetasi Dejvi Bitraj.