Ambasadori i Italisë: Shqipëria meriton hapjne e negociatave me BE
Italia renditet mes vendeve që do votojnë pro çeljes së negociatave për Shqipërinë. Mbështetja nga ky vend konfirmohet nga ambasadori Alberto Cutillo. Ai madje ka kërkuar edhe nga vendet e tjera që Shqipërisë t’i njihet progresi i arritur. Cutillo ka deklaruar se Qershori është momenti i duhur që të çelen negociatat për Shqipërinë. “Ne kemi besim. E dimë që jo të gjitha vendet europiane janë të bindura. Për ne është e rëndësishme që Europa të dallojë progresin që ka bërë Shqipëria. Të bësh progres nuk do të thotë të arrish synimin dhe sigurisht të hapesh negociatat do të thotë të fillosh një rrugëtim që do të jetë i gjatë dhe i lodhshëm, por duhet t’i njihet Shqipërisë progresi që ka bërë. Ne mendojmë se ky është çasti i duhuri”, u shpreh ambasadori Cutillo. Ai tha më tej se Shqipëria duhet të punojë fort këtë një muaj kohë që ka mbetur për të bindur vendet skeptike. Ai tha se vendi ka bërë progres, por duhet punuar për marrjen e rezultatit. “Komisioni Europian në Prill e tha qartë se progreset janë realizuar, kështu që është e drejtë që Këshilli Europian tani të mbështesë këtë rekomandim dhe të hapë negociatat. Keni ende një muaj kohë për të punuar, Shqipëria mund të bëjë në këtë muaj përpjekje për të bindur vendet që nuk janë bindur akoma për hapjen e negociatave”, tha ai.