Linjë direkte Tiranë-Tel Aviv, mbërritën sot 100 turistët e parë izraelitë
Pas bisedimeve midis ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe homologut të tij izraelit, Yariv Levin mbërrin charteri i parë me turistë nga Izraeli.
Avioni i parë u ul në tokën shqiptare në orën 6.30 të mëngjesit të sotëm. Në dalje të aeroportit, për të pritur rreth 100 turistët e parë, ishte edhe ministri Klosi. Të surprizuar, turistët, ndalën në infopoint ‘Smile Albania’, inaugurimi i së cilës u bë po ditën e sotme.
Ministri Klosi u shpreh se gjatë gjithë sezonit turistik do të ulen në Rinas rreth 300 chartera të cilët do të sjellin turistë jo vetëm nga Izraeli, Skandinavia, Polonia, Çekia, por edhe nga Anglia e Gjermania.
Pranë pikës “Smile Albania” turistëve u jepet informacion dhe buzëqeshje duke shënuar kështu edhe inaugurimin e së parës pikë informacioni në një nga pikat hyrëse të Shqipërisë, aeroporti i Rinasit. Ministri Klosi theksoi se kjo pike, por edhe të tjerat që do të ngrihen në pikat hyrëse do të mirëpresin gjatë gjithë sezonit turistët që do të vijnë në vendin tonë.
“Do të kenë mikpritjen e 1 mijë të rinjve të cilët do t’i informojnë përsa i përket të gjitha pikave turistike të vendit tonë, mundësive që ata kanë për të vizituar Shqipërinë përtej sezonit të plazhit”- tha ministri Klosi. Sot ishte një ditë e veçante pasi kompania “A….” solli grupin e parë të turistëve izraelitë me charter dhe kjo do të vazhdojë përgjatë gjithë sezonit, prandaj ne zgjodhëm që të ishim këtu këtë mëngjes, të mirëprisnim turistët izraelitë dhe po ashtu të inauguronim pikën tonë të informacionit e cila brenda projektit Smile Albania do të jetë një nga pikat më interesante të të gjithë programit, pasi në këtë pikë do të mirëpriten të gjithë turistët që do të vijnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit”, tha ai.
Ndër të tjera, ministri i Turizmit theksoi se të tilla pika infopoint do të ngrihen në të gjithë Shqipërinë dhe të gjithë turistët që do të afrohen në vendin tonë do të kenë mikpritjen e 1 mijë të rinjve të cilët do t’i informojnë përsa i përket të gjitha pikave turistike, mundësive që ata kanë për të vizituar Shqipërinë edhe jashtë asaj që gjendet pranë sezonit turistik të plazhit dhe po ashtu të bëjnë edhe një edukim mjedisor.
Përveç kompanisë që solli sot 100 turistët e parë, javës që vjen një tjetër kompani do të fillojë fluturimet direkte, duke e çuar në 4 numrin e charterave që vijnë drejtpërsëdrejti nga Izraeli në Rinas. Gjatë gjithë sezonit turistik pritet që të vijnë rreth 300 chartera të cilët do të sjellin turistë jo vetëm nga Izraeli, Skandinavia, Polonia, Çekia, Lituania por edhe nga Anglia, Gjermania dhe priten edhe surpriza të reja të cilat ne do t’i shpalosim ditë pas dite gjatë sezonit turistik.