Ndërtuesi në Tiranë i vendos rrugës mbiemrin e tij
Paralel me Unazën e Madhe të Tiranës, poshtë Kodrës së Diellit ndodhet një segment rrugor afërsisht 500 m, që bart emrin e zotit Shkëlqim Fusha, i cili është pronari i shoqërisë “Fusha sh.p.k.”, shoqëri kjo e cila ka bërë edhe ndërtimin e këtij segmenti rrugor para disa vitesh.
Rruga figuron me këtë emër edhe në “Google Maps”. Banorët e zonës, të pyetur për emrin e rrugës pohojnë se ajo quhet rruga “Shkëlqim Fusha”.
Për të qenë më të saktë, gazetarët e “Fiksit” iu drejtuan edhe një punonjësi të postës, i cili e pohon faktin që rruga mban emrin e ndërtuesit, por që nuk i kujtohet se kur saktësisht i është vënë ky emërtim.
Paradoksi ndodh pasi, sipas ligjit të Sistemit të Adresarit dhe Rregullores së Bashkisë së Tiranës, rrugëve u vendosen emra të personave që nuk jetojnë më.
Ndërkohë, Shkëlqim Fusha gëzon shëndet të plotë. Këshilltarja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Andreola Kambo, e pyetur nga gazetarët e “Fiksit” sesi mund të marrë një vendim të tillë një këshill komunal në kundërshtim me ligjin, pohon se Bashkia e Tiranës ka ngritur dy komisione me rol këshillues dhe po merren me rishikimin e të gjithë emrave të rrugëve të Bashkisë së Tiranës.
“Ky vendim është marrë nga Komuna e Farkës në kundërshtim të plotë me ligjin, sepse nuk mund të jetë emër rruge, emri i një personi të gjallë”, shprehet ajo.