Albspirit

Media/News/Publishing

Shehi–Mazhorancës: Keni 4 javë kohë, prokuroritë e Evropës do hapin dosjet

Opozita ka vijuar edhe sot të bllokojë punën e Komisioneve në Kuvend, duke i kujtuar qeverisë dy çështjet e njohura të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe paraardhësit të tij Saimir Tahiri.

Por në debatin mes palëve ka spikatur fjala e aleatit të PD, Dashamir Shehi, i cili në Komisionin e Ekonomisë duke kërkuar nga mazhoranca largimin e dy njerëzve të saj që i bëjnë me turp edhe vetë socialistët, ka theksuar se ka edhe 4 javë kohë pasi nga prokuroritë evropiane të dalë zullumi i aktivitetit kriminal të qeverisë.

“Bëni çfarë të doni, por mos ngatërroni Shqipërinë me BE me disa grupe banditësh këtu se ky do jetë krim i madh e mos kujtoni se nuk do dalë. Letrat janë të gjitha nëpër prokuroritë e Evropës dhe do shihni se sa t’i hapet kapaku se çfarë erë e poshtër do të dali. Kështu që ne po ju afrojmë një detant për këtë muaj, s’kemi për ta bërë përherë se po ta vësh tjetrin me shpatulla për muri, edhe kafsha reagon, mos e shpërdoroni këto 4 javë. Ça po ju kërkojmë? Hiqni dy njerëz që ju bëjnë me turp edhe juve, edhe ju keni sakëlldi po të pish kafe veç e veç me ju flisni të gjithë kështu si unë. Por për çfarë e bëni këtë? Për unitetin e Partisë? Për frikën që keni nga zoti Rama, se ky i bën bashkë të majtë e të djathtë se s’ka mundësi”, u shpreh Shehi.

Shehi theksoi se mazhorancën nuk e pengon opozita të kryejë reforma për mirëqenien e qytetarëve dhe të vendos rend e siguri, pasi ka 80 deputetë, 5-6 prej të cilëve sipas kreut të LZHK janë blerë nga opozita.

“Nuk ka pasur Shqipëria ndonjëherë mazhorancë më të madhe se sa e juaja. Ju ngjani me përrallën e atij delja me ujkun që ti më turbullon ujin poshtë. Çfarë ju turbullojmë neve ju? Ju jeni 75 deputetë, edhe nja 5 a 6 që i keni marrë i keni blerë këtej brenda, jeni 80 deputetë. Në cilin ligj ju pengojmë ne juve? Ju doni të na mbyllni edhe gojën? Mos të denoncojmë asgjë? Absolutisht keni pasur mazhorancën më arrogante e më absolute që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. E megjithatë vazhdoni të ankoheni se po ju pengojmë ne. 4 vjetët e para ju penguan borxhet, dy vjetët e tjera ju pengoi drejtësia. Përmbytet Shkodra e ka fajin drejtësia. Kur vjen puna edhe drejtësinë e keni këtu. Vitin e parë jua ka pas fajin LSI”, tha Shehi.

Please follow and like us: