Ambasadori amerikan Bernstein në Shqipëri, i survejuar nga Italia fashiste: Është shqiptarizuar
Herman Bernstein, ambasadori i tretë amerikan në Shqipëri, gjatë periudhës 17 shkurt 1930 – 24 shtator 1933, “nën shënjestrën” e qarqeve italiane, për afrinë dhe dashurinë që tregonte ndaj vendit tonë. Legata Italiane e Tiranës dërgoi rreth tij kabllograme deri në Uashington…
Herman Bernstein, një figurë diplomatike e dashur për shqiptarët, i cili erdhi nga Amerika e largët në vitet ’30 të shekullit të kaluar dhe u lidh aq fort me ta. E do të ishte pikërisht afeksioni i madh që ai krijoi për popullin shqiptar, e cila do ta vinte në vështirësi përballë Italisë fashiste, që synonte në atë periudhë ta gllabëronte Shqipërinë.
Ajo nisi një survejim të vërtetë ndaj tij, duke dashur të zbulonte fijet që e lidhnin ambasadorin e tretë amerikan që ka shërbyer në tokën shqiptare, aq fort me të. Për më tepër, që në atë kohë, sipas Italisë fashiste ai cenonte interesat e saj sepse ajo priste nga mbreti Zog rikonfirmimin e Paktit Pesëvjeçar të Miqësisë dhe Sigurisë.
“Roma është e shqetësuar për ndikimin e Bernsteinit te qeveria shqiptare, ndërkohë që ndikimi i Italisë në Shqipëri është në rënie. Musolini i druhet ndërhyrjes së Amerikës në “oborrin” e vet dhe mundohet të mbrojë interesat e tij në Shqipëri, jo më vetëm në Tiranë, por direkt në Uashington”, thuhet në një nga letrat e dërguara prej Ministrisë së Jashtme Italiane, ambasadorit italian në Uashington…
Nga Mal Berisha
Gjatë studimit të jetës së Herman Bernsteinit, nuk mund të mos studiosh edhe një seri kabllogramesh që Legata Italiane në Tiranë kishte dërguar, jo vetëm në Ministrinë e Jashtme të Italisë Fashiste, por edhe në Legatën Italiane në Uashington. Për të sjellë nga origjinali tekstet më të rëndësishme dhe komentuar ato, ndihmoi dr. Xhoana Papakostandini, e cila shkruan:“Gjatë viteve të misionit të Herman Bernsteinit në Shqipëri, duket se Përfaqësia Diplomatike e Italisë fashiste ngarkohet me një detyrë të dyfishtë.
Përveç ndjekjes së realitetit dhe politikës së vendit pritës, ky mision identifikon një rrezik konkret që po cënonte interesat e Italisë në Shqipëri, në këtë fazë delikate të marrëdhënieve dypalëshe, kur Italia priste nga mbreti Zog rikonfirmimin e Paktit Pesëvjeçar të Miqësisë dhe Sigurisë. Ky rrezik është pikërisht ministri amerikan, Herman Bernstein dhe vëzhgimi i aktivitetit të tij në Shqipëri ka prioritet të veçantë për Legatën Italiane.
Në arkivat e Ministrisë së Jashtme Italiane ekzistojnë një seri kabllogramesh të dërguara nga Legata e saj në Tiranë, që kanë për objekt raportimin e veprimtarive të ndryshme të Herman Bernsteinit, takimet e tij me kolegë të tjerë diplomatë, vizitat e tij turistike nëpër Shqipëri, botime artikujsh në shtypin vendas, ose ngjarjesh të tjera, prapa të cilave Legata Italiane mendon se është gjithmonë shefi i misionit diplomatik amerikan. Është me tepër interes raporti i mëposhtëm dërguar.
Ministrisë së Jashtme (Ministër ishte vetë Musolini), i cili i transmetohet nga Roma më 28 korrik 1933, Ambasadës Italiane në SHBA për vëmendje të menjëhershme: Pas referencave ndaj telegrameve të mëparshme me të njëjtën lëndë, thuhet se: “Aktiviteti i këtij Ministri (Herman Bernstein) vazhdon me intensitet. Mund të thuhet tashmë se ky është i vetmi aktivitet i dyshimtë që zhvillohet në Tiranë. Kontaktet e tij me kolegët francezë dhe sidomos ministrin jugosllav vazhdojnë, me ritme më të ngadalta; por janë intensifikuar ato me personalitete shqiptare, sidomos me anëtarë të qeverisë dhe deputetë dhe njëkohësisht me shefashërbimesh nëpër ministri, e në veçanti ato me eksponentin e njohur të grupit jugosllav, Mehmet Konica.
Pardje, pasi dola nga një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Financës Xhaferr Vila, ky i fundit shkoi për një bisedë të gjatë te zoti Bernstein. Kam arsye të besoj se ky aktivitet nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret që duhet të na shqetësojë. Shqiptarët synojnë mbi të gjitha që të krijojnë te ne pikërisht këtë lloj shqetësimi. E përdorin këtë aktivitet (të Bernsteinit) si “manovër”, sipas sistemeve të tyre të zakonshme. Përsa i përket zotit Bernstein, ai ndoshta kërkon të sigurojë një platformë këtu, meqenëse së shpejti mund të shkarkohet nga detyra nga qeveria e re demokrate. Megjithatë, këto kontakte, duke krijuar iluzione te funksionarët shqiptarë, na pengojnë në punën tonë të qartësimit të marrëdhënieve dypalëshe, në të cilën po hasim shumë vështirësi. Ju lutem Sh. J. të na vini në dijeni për hapat që, sipas udhëzimeve tuaja, po merr Ambasadori ynë në Uashington për këtë çështje”.
Udhëzime të MPJ-së italiane për ambasadorin italian në Uashington
“Është e qartë se Departamenti i Shtetit nuk i ka tërhequr akoma vëmendjen Ministrit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë për interesat që Italia ndjek në Shqipëri e për politikën e saj paqësore e konstruktive edhe në atë vend. Prandaj, Shkëlqesia Juaj, duhet të tërheqë përsëri vëmendjen e qeverisë (amerikane) mbi aktivitetet e paqarta të zotit Bernstein, duke nënvizuar sidomos, kur ministrave tanë në Kubë, ose në vendet e Amerikës qendrore nuk do t’i vinte ndërmend të angazhoheshin në një politikë të ngjashme me atë të diplomatit tuaj në fjalë. Në rast se Departamenti i Shtetit tregohet i gatshëm për një transferim të z. Bernstein, ju mund t’i sugjeroni mundësinë e zëvendësimit me një të ngarkuar me punë, pasi kjo do të thoshte një ndërprerje e menjëhershme e një rrjeti keqkuptimesh që kanë rrethuar Legatën Amerikane në Tiranë, e që në fund të fundit nuk sjellin asnjë avantazh praktik as për Amerikën, as për vetë Shqipërinë, që kultivon vetëm iluzione 139 kimerash.
Pra, Roma është e shqetësuar për ndikimin e Bernsteinit te qeveria shqiptare, ndërkohë që ndikimi i Italisë në Shqipëri është në rënie. Musolini i druhet ndërhyrjes së Amerikës në “oborrin” e vet dhe mundohet të mbrojë interesat e tij në Shqipëri, jo më vetëm në Tiranë, por direkt në Uashington. Duhet thënë se sikurse vihet re nga korrespondenca, diplomatët italianë në dy anët e oqeanit janë tepër të aftë në dedektimin e situatës dhe manipulimin e saj me mjete diplomatike. Në përgjigje të këtij telegrami, reagimi i ambasadorit italian në Uashington, Augusto Rosso, i cili është njoftuar si më lart nga qendra për aktivitetin e Ministrit Amerikan Bernstein në Shqipëri, me sa duket nuk vonon. Ai i raporton Romës si më poshtë: “Kohët e fundit kam pasur takime të shpeshta jashtë Departamentit me z. Uallace
Z. Murray, Shef i Divizionit për Lindjen e Afërt [në Departamentin Amerikan të Shtetit] dhe kam përfituar nga relatat e përzemërta personale për të biseduar me të për çështjen shqiptare. Pretekstin për ta hapur këtë bisedë ma dha vetë Murray, duke përmendur me shaka një telegram që Ambasadori i ri amerikan në Romë, z. Breeknridge Long, kishte dërguar në Uashington pas vizitës së tij të parë në Palazzo Chigi.
Gjatë kësaj vizite, Sh.T. Aloisi142 duhet të jetë shprehur rreth z. Bernstein në terma të tilla, që e kanë lënë Ambasadorin kaq të habitur, sa i ka shkruar një telegram të gjatë alarmi Ëashingtonit. Departamenti,- tha Murray- nuk e kishte marrë çështjen si tragjike, por kishte nxituar të qetësonte ambasadorin Long, duke e siguruar se kolegu i tij në Tiranë, nuk ndiqte një politikë anti-italiane në Shqipëri, as me iniciativën e tij, as i udhëzuar nga qendra. I thashë menjëherë z. Murray se edhe unë nuk besoja se qeveria ime kishte dyshime, apo shqetësime të tilla, por se kisha frikë se z. Bernstein, pa dashur mund të krijonte përshtypjen te qeveria shqiptare që aktiviteti i tij frymëzohej nga Qeveria Amerikane e se mund ta interpretonte rrjedhimisht këtë aktivitet si inkurajim, për t’u mbështetur tek Uashingtoni për t’i rezistuar ndikimit italian. Në mjedisin e ngushtë të Tiranës, veprimet dhe fjalët e Ministrit të Amerikës kishin pasoja, të cilat ndoshta Uashingtoni nuk mund t’i kuptonte me saktësi, por që në disa rrethana dëmtonin përpjekjet e qeverisë fashiste për qartësimin e raporteve italo-shqiptare. Murray më tha se e kuptonte situatën e më siguroi për qëllimet e mira dhe ndjenjat miqësore të z. Bernstein për Italinë dhe përfaqësuesit e saj në Shqipëri.
“Bernsteini, – shtoi ai, – nuk është diplomat karriere, ai është gazetar si profesion dhe shkrimtar i shkëlqyer. Ai është sinqerisht dashamirës i popullit shqiptar dhe i Mbretit Zog. Duke qenë inteligjent dhe me ambicie, ai i dërgon Departamentit përshkrime të gjata për njerëzit dhe ngjarjet shqiptare. Unë i lexoj, sepse janë interesante e të shkruara bukur, por sigurisht për ne janë thjesht punë akademike. I thashë në këtë pikë zotit Murray se sikur zoti Bernstein të mjaftohej me informimin e qeverisë së tij për ngjarjet në Shqipëri, kjo sigurisht nuk do t’i kishte prishur punë askujt.
Por më dukej se veprimtaria e Ministrit Amerikan i tejkalonte kufijtë e detyrës së vëzhguesit, për të hyrë në atë të këshilltarit politik e promovuesit, edhe në fusha, ku Shtetet e Bashkuara nuk kishin ndonjë interes për të mbrojtur. Çfarë do të mendonte Washingtoni sikur një Ministri Italian, në vende si Kuba ose Nikaragua të fillonte të bënte “politikë aktive?. […] Nuk m’u duk e përshtatshme t’i kërkoja z. Murray që të ndërhynte direkt për të frenuar aktivitetin e Bernsteinit, por jam i bindur se biseda në Romë e Aloisit me Ambasadorin Long dhe e imja me zotin Murray do të japin rezultate. Murray pastaj më tha se, meqenëse Bernsteini është emëruar në postin e Tiranës nga administrata republikane, nuk përjashtohet mundësia që ai të zëvendësohet sa më shpejt. Kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot, pasi deri tani nuk ka dalë ndonjë kandidat demokrat për të shërbyer në Tiranë.”
Është e rëndësishme të përmendet se ky telegram mban datën 7 gusht 1933 e se më pak se një muaj më vonë Bernsteini lirohet nga detyra e Ministrit. Më 11 shtator 1933 Ministria e Punëve të Jashtme Italiane i përcjell Ambasadës së vet në Uashington një telegram të Legatës Italiane në Shqipëri, ku njoftohet se Ministri Amerikan në Shqipëri, Bernstein është liruar nga detyra. Roma, në bazë të informacioneve të marra nga Tirana, shpreh qartë se Italia ka lobuar prej kohësh në Uashington kundër Bernsteinit dhe analizon si më poshtë arsyet e përfundimit të misionit të Bernsteinit:
Zyrtarisht, largimi [i Bernsteinit] është justifikuar me faktin se ai është militant i partisë kundërshtare të Presidentit aktual Roosvelt, se ai ka marrë pjesë aktivisht në zgjedhjet presidenciale verën e kaluar, e se në fund, meqenëse Departamenti i Shtetit në Uashington duhet të procedojë me zëvendësimin e krerëve të misioneve jashtë, që janë kundërshtarë të fituesit të zgjedhjeve presidenciale, atëherë edhe Bernsteini është përfshirë në këto lëvizje të përgjithshme. Në fakt ne jemi njoftuar dhe lajmi na duket i besueshëm, se shkaku kryesor për largimin e papritur të Bernsteinit ka të bëjë me aktivitetin e tij, i cili jepte shenja të dukshme “shqiptarizimi” në mënyrën e tij të të vepruarit.
Ikja e Bernsteinit do të jetë një humbje për mbretin Zog, i cili e përdorte atë jo vetëm për këshillat e tij (Bernsteini është padyshim një burrë shumë i zgjuar, i kulturuar, gazetar i shkëlqyer, tërheqës, cilësi këto që i duhen politikës shqiptare), por edhe sepse [Zogut] i leverdiste që të linte të kuptonte se prapa emrit të Bernsteinit fshihet e gjithë Amerika, me dollarët e saj. Pata rastin ta takoj z. Bernstein, i cili më tha se ka në plan të largohet nga Shqipëria në mesin e muajit shtator, për të udhëtuar në Washington e më pas në qytetin e tij, Sheffield, Massachussets, ku do t’i kthehet profesionit të tij si gazetar. Dyshoj për sinqeritetin e fjalëve të tij: Bernsteinit i kanë krijuar një ndjenjë vetëkënaqje politikanët e zotë shqiptarë, të cilët i kanë lënë të nënkuptojë se ka mundësi që ai të bëhet “këshilltar” i mbretit, “shpëtimtar” i Shqipërisë; pra, nuk e besoj se tani ai papritur do ta harrojë krejtësisht politikën shqiptare. Nuk duhet gjithashtu të harrojmë karakterin intrigant të Bernsteinit, origjinën e tij hebraike, dëshirën e zjarrtë për t’u bërë i famshëm, defekt ky i shumë amerikanëve. Të gjitha rrethanat do të bëjnë ta kemi z. Bernstein edhe për shumë kohë akoma në ingranazhet e politikës shqiptare, me botime librash, artikujsh, novelash, që ai do të shkruajë për Shqipërinë dhe politikën shqiptare, por edhe nëpërmjet tentativave për të sjellë kapitale të huaja në këtë vend. Do të ishte e dobishme për ne që të ndiqet aktiviteti i Bernsteinit në Amerikë, e po ashtu të merret ndonjë informatë për zotin Uheeler.
MPJ italiane mbi vendosjen e hebrejve në Shqipëri
Që Italia vazhdonte të mbante nën vëzhgim veprimtarinë e Herman Bernsteinit dhe lidhjet e tij me Shqipërinë, del qartë edhe nga ky telegram i datës 13 gusht 1935, dy vjet pas ikjes së Bernsteinit nga Shqipëria, dërguar nga Konsullata e Përgjithshme e Selanikut, Legatës Italiane në Athinë, Ministrisë së Jashtme në Romë dhe Legatës Italiane në Shqipëri. Në telegramin me lëndë “Vendosja e hebrejve në Shqipëri”, shkruhet: “Gazeta në gjuhën frënge e Selanikut, me titull “Le Progres” ka botuar nga mesi i qershorit një lajm nga Neu York (mesa duket e ka marrë nga gazeta e Neë Yorkut), sipas së cilit, z. Herman Bernstein, ish-Ministri i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka deklaruar se ftesa e qeverisë shqiptare, hebrejve të huaj për t’u vendosur në Shqipëri ju hap horizonte të reja mbi çështjen e rëndësishme të kolonizimit izraelit.
Z. Bernstein ka shtuar më pas se, kur ishte Ministër në Tiranë ka përgatitur një projekt mbi emigracionin e izraelitëve në Shqipëri dhe se vitin e kaluar ia ka paraqitur këtë raport Komitetit të Përbashkët për Shpërndarjen (organizata e madhe që ndihmon hebrejtë amerikanë), si dhe Komisarit të Lartë të Lidhjes së Kombeve për Refugjatët Gjermanë.
Po kjo gazetë (Le Progres) muajin e kaluar ka botuar një artikull, ku thuhej se Ministri Shqiptar në Londër, z. Fuad Asllani, i ka konfirmuar një gazetari hebre udhëzimet e Qeverisë Shqiptare në favor të hebrejve e se qeveria është gati të lehtësojë vendosjen e tyre në Shqipëri, sidomos të zanatçinjve dhe bujqve dhe t’i garantojë në atë rast edhe shtetësinë shqiptare imigrantëve të rinj. Duket gjithashtu, se tani në muajin e gushtit do të zhvillohet në Londër një konferencë e hebrejve nga vende të ndryshme, ku thuhet se do të diskutohen edhe propozimet e mësipërme shqiptare.
Në Selanik, siç dihet, ekziston një bashkësi e madhe hebrejsh, më i rëndësishmi i Mesdheut, dhe kjo bashkësi vazhdon të largohet për shkak të luftës së heshtur që i bën popullata vendase dhe emigrantët e Azisë së Vogël. Tregtarët e mëdhenj, profesionistët e të pasurit po ikin sa në Milano, sa në Paris. Shtresa e mesme e sidomos ajo më e varfër, kur ka mundur, ka marrë rrugën e Palestinës. Asnjë largim drejt Shqipërisë nuk është verifikuar akoma, as pas kufizimeve të autoriteteve britanike për të shmangur emigrimin në masë drejt Palestinës. Firmosur nga Konsulli, Pietro Santucci”.
VLERËSIMI
“Mësova ta doja popullin shqiptar …”
“Tirana, gjatë këtyre tre viteve e gjysmë, ishte për mua vendi vëzhgues më magjepsës. Aty mësova se përkundër asaj që Shqipërisë i referohen si njëra prej zonave më të rrezikshme të Europës, shqiptarët vetë janë njerëz paqedashës, ndërsa politika e qeverisë së tyre është pa diskutim një politikë paqësore në Ballkan. Kam vizituar praktikisht çdo pjesë të Shqipërisë, prej nga mësova ta njihja dhe ta doja popullin shqiptar, thjeshtësia, vërtetësia në veprime, mikpritja dhe shpirtmirësia e të cilit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek unë…”- HERMAN BERNSTEIN
HISTORI
Cilët kanë qenë ambasadorët e SHBA-ve në Shqipëri?
I pari ministër ose ambasador amerikan në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili u emërua më 22 shtator 1922 dhe shërbeu deri më 8 shkurt 1925. Ai paraqiti letrat kredenciale më datën 4 dhjetor 1922 dhe shërbeu nën administratën e Presidentit Charles Harding. Pas tij vjen Charles Hart, që ushtroi këtë funksion nga 1 gushti 1925 deri më 13 dhjetor 1928. Pas një pauze përfaqësimi të lartë, atë e zëvendëson Herman Bernstein, i cili e mori detyrën më 17 shkurt 1930. Ky i fundit i paraqiti letrat kredenciale te Mbreti Zog më 28 prill 1930 dhe u largua nga posti më 24 shtator 1933. Ai u pasua nga Post Uheeler, i cili u emërua më datën 26 gusht të vitit 1933, paraqiti kredencialet më 28 nëntor të po atij viti dhe u largua nga posti më 1 nëntor të vitit 1934./albanianfreepress/