Andrea Rama: Balerinët shqiptarë janë ndër më të mirët në botë
INTERVISTA/ Flet koreografi dhe balerini me famë botërore, Andrea Dorian Rama:
“Besoj se talenti ekziston në masën 10%, ndërsa 90%-shi tjetër është puna e përditshme në studio, por dhe jashtë saj. Si ai punimi i hekurit, që duhet ta nxehësh mirë dhe ta punosh përditë për t’i dhënë çdo herë format e duhura”.
Balerinët shqiptarë janë ndër më të mirët në botë dhe kudo që ata kanë shkuar, kanë treguar talent dhe nivel të lartë artistik. Kjo pohohet gjatë një interviste nga koreografi dhe balerini shqiptar, i njohur në skenat botërore, Andrea Dorian Rama. Sipas tij, është fakt se Shqipëria qëndron më lart se mjaft vende evropiane, sa i përket vlerësimit të baletit klasik. Por shton se ajo që i duhet asaj është se i duhet më shumë punë “që të prodhojë më tepër për një publik, i cili është “i stërvitur” goxha mirë me artet dhe është tepër i uritur për to”….
Albert Zholi
Lindur në Shqipëri dhe rritur në Athinë. Si lindi tek ju dëshira për t’u bërë balerin dhe kush ju zbuloi si talent? Ku e vazhduar më pas shkollimin tuaj si balerin?
Qëkur e mbaj mend veten, kujtoj momente që kam patur shumë qejf thjesht të kërcej dhe sidomos ato momentet kur mblidheshim nëpër ditëlindje e kishim edhe pak ndrojtje. Momente këto, të cilat ishin më emocionueset dhe kanë ngelur thellë, të freskëta në kujtesën time. Në fakt, nuk më zbuloi njëri si talent, thjesht isha i bindur dhe kërkoja gjithë mundësitë e duhura. Personalisht, besoj se talenti ekziston në masën 10%, ndërsa 90%-shi tjetër është puna e përditshme në studio, por dhe jashtë saj. Si ai punimi i hekurit, që duhet ta nxehësh mirë dhe ta punosh përditë për t’i dhënë çdo herë format e duhura. Kam patur fatin të shkollohem në Athinë dhe aty kam marrë baza shumë të forta. Punë që e vlerësoj shumë deri sot.
Me cilën pjesë jeni ngjitur për herë të parë në skenë?
Pjesa e parë në skenë ishte për një komedi në teatër. Pavarësisht se ishte komedi, mua më dridheshin këmbët si për herë të parë.
Kush janë mësuesit tuaj në këtë profesion?
Mësuesit e mi në këtë profesion janë shumë në radhë, por disa emra që kanë lënë gjurmë si artistë dhe për karakterin e tyre janë Seoljin Kim, Tamas Morritz, Jozef Frucek.
Sa role baleti në grup keni në repertorin tuaj dhe cili njihet si më i miri?
Unë nuk kam kërcyer asnjëherë balet klasik dhe baleti modern kontemporan që unë interpretoj i jep rëndësi skuadrës, grupit, pa lënë shumë shenja kush është roli më i mirë, ose më i keq. Të gjitha rolet janë me interes dhe luajnë rol të rëndësishëm.
A jeni ndjerë ndonjëherë keq në skenë? Po dita më e bukur që keni patur në të?
Po, skena nuk ndryshon shumë nga jeta e vërtetë. Domethënë, është pak a shumë si koha, me shi ose me diell dhe çdo moment është i mirëpritur, por sigurisht momentet kur lulëzon në skenë janë ato që të mbeten përherë në kujtesë.
Në sa vende të botës keni interpretuar si grup balerin dhe cili ka qenë suksesi juaj më i madh jashtë?
Si balerin kam interpretuar në Gjermani, Francë, Luksemburg, Belgjikë, Finlandë, Itali, Greqi, Estoni, Letoni, Qipro, Poloni, Spanjë, Shqipëri dhe Kinë. Me koreografit, suksesi më i madh ka qenë ai duke performuar koreografitë e mia në “Théâtres de la Ville de Luxembourg”, “Maison des Arts Créteil” -Paris, “The Athens Concert Hall”, “Megaro Mousikis Athinon” dhe së shpejti pres edhe datat për në Neu York dhe Londrër në një teatër tepër magjik. Pavarësisht se jemi shumë entuziastë duke performuar në gjithë botën, pikat më kryesore janë kryeqytetet ku valon ekonomia, sepse vizibiliteti është më i madh duke lënë shpresa vazhdimësie.
Keni një model si referencë, apo keni modelin tuaj të të kërcyerit?
Gazetarët ose shtypi botëror më trajton si një koreograf “minimalist”, ose “radikal”. Unë vetë nuk dua t’i vë një emër punës sime. Preferoj më tepër që publiku ta shijojë krijimin pa tabela dhe mund të them vetëm se me gjithë skuadrën punojmë me materiale të thjeshta që frymëzohem nga matematika, sporti dhe lëvizjet natyrore. Ashtu siç në të përditshme, paraqitet nevoja për t’i bërë gjërat më të thjeshta e ashtu i trajtoj edhe koreografët.
Je penduar që keni zgjedhur këtë profesion, pasi kërkon moshë të re dhe elasticitet?
Të them të drejtën, nuk kam pas kohë për pendime ose mendime në këtë drejtim. E shikoj pozitivisht çdo ndryshim që sjell vazhdimisht koha.
Po si koreograf, cila ka qenë pjesa e parë që keni vënë në skenë dhe ku?
Pjesa e parë si koreograf në skenë ka qenë “Haiku”, një koreografi e krijuar bashkë me Matina Kokolakin dhe e prezantuar në “Neu Creators Fest”, Athinë. “Haiku” janë poezi të shkurtra japoneze dhe shumë domethënëse. Pra, “Haiku” ishte një frymëzim për të interpretuar diçka shkurt dhe me domethënien e asaj kohe.
Në sa vende ke përfaqësuar Greqinë dhe me çfarë baletesh?
Greqinë e kemi përfaqësuar dy herë në Kinë për EXPO-n ndërkombëtar në vitin 2010. Koreografia quhej “Mythos” dhe koreografe ishte Sofia Spyratou. Ishim një trup prej 20 balerinësh, ku shtatë prej nesh kishin pasaportë shqiptare.
Pse u larguat nga Greqia dhe si ndiheni në Berlin dhe Luksemburg?
Në Greqi, pavarësisht vështirësive ekonomike të shtetit, unë si profesionist punoja në dy projekte në vazhdimësi dhe organizoja njëkohësisht seminare me balerinë të ftuar nga Franca, Belgjika, Koreja, etj, për të hapur horizontet artistike të skenës moderne. Largimi nga Greqia erdhi pas një vizite në Berlin në maj 2012. Mora vendimin që në janar 2013 do të jem gati për të ndërruar bazë. Isha i bindur që niveli artistik ishte shumë i lartë në Berlin dhe ky ishte interesi kryesor. Luksemburgu erdhi pak më vonë dhe tashmë ndaj bazën në këto dy qytete kaq të ndryshëm me njëri-tjetrin, por edhe interesant.
Cila është pjesa e fundit që keni vënë në skenë si koreograf dhe si është pritur?
Pjesa e fundit si koreograf është “ 3,14 π” dhe ka qenë pjesa kur i madhi José Montalvo kishte funksionin si këshilltar. Për “José Montalvo” më kanë ftuar në Paris për tre shfaqje
Ku ndiheni më mirë si koreograf apo si balerin?
Dy role shumë afër me njëri-tjetrin. Mundohem çdo herë të jem i gatshëm për çdo pozicion. Kohët kanë ndryshuar dhe balerini ka liri opinioni, ose koreografi mirëkuptim ndaj balerinëve për të mirën e çdo pjese.
Në sa shtete të botës keni dhënë shfaqje si balerin?
Më duket diku 22 shtete nëse nuk gaboj.
Cili është çmimi më i madh që keni marrë?
Çmimi më i madh është duartrokitja e publikut.
Po për Shqipërinë, a të merr malli?
Po, më merr malli për çdo vend ku kam kujtime të bukura. Kushtet janë ende një pikë problematike në Shqipëri dhe kjo pikë prek gjithë artet. Shpresoj që në të ardhmen do përmirësohen gjërat.
Cilat janë projektet e së ardhmes suaj?
Projektet e së ardhmes janë “A Line Supreme” që realizon premierën më 4 tetor, duke vazhduar turne ndërkombëtare dhe mbas këtij projekti një instalim trupash dhe objektesh në disa muzeume të botës.
Po në Shqipëri a vlerësohet baleti sa në vendet e tjera europiane?
Pavarësisht se Europa është e vogël, shqiptarët janë në vend të lartë duke vlerësuar baletin klasik ose modern më tepër se shumë shtete të tjera të saj. Thjesht përsëris që duhet shumë punë akoma që të prodhojë më tepër për një publik, që është “i stërvitur” goxha mirë me artet dhe është tepër i uritur për to.