Albspirit

Media/News/Publishing

Vrasja e Marvinit/A duhet pritur vettingu për prokurorin Lulja?

Mentor Kikia

Prokurori Artan Lulja është vënë në shënjestër të sharjeve dhe akuzave publike këto ditë. Ai kishte nën hetim çështjen e vrasjes së një të riu, Marvi Mihali. Tre nga bashkëpunëtorët në vrasjen, që tronditi Tiranën një vit më parë, ai i liroi, pasi ndryshoi akuzën nga “bashkëpunim në vrasje” në “moskallzim krimi”.

Por, familja e djalit të vrarë ngriti zërin. Media ngriti zërin. Njerëzia bërtiti nëpër rrjetet sociale. Drejtuesi i prokurorisë ia hoqi çështjen këtij dhe ia kaloi një tjetër prokurori. Ai e ndryshoi sërish akuzën dhe gjykata e ndryshoi sërish vendimin, duke i kthyer të tre bashkëpunëtorët në burg.

Pa marrë përsipër të bëjmë gjykatësin e prokurorit, jemi përballë faktit se një prokuror i liroi ata nga akuzat e një i vuri sërish nën akuzë. Kush ka të drejtë? Njerëzit kanë të drejtë të jenë të revoltuar nga ajo që ndodhi.

Një video e kamerave të sigurisë, e bërë publike, tregon se të rinjtë e arrestuar kanë qenë pjesë aktive e grupit që kreu krimin. Padyshim që thikën vetëm njëri e përdori, por të tjerët ishin pjesë e sulmit. A ishin ata vetëm “moskallëzues”? Moskallëzues do të thotë të kesh dijeni për një krim e të mos denoncosh. Ata nuk u ndodhën aty rastësisht. Ata ishin nisur të gjithë bashkë për të sulmuar viktimën.

Sërish unë mendoj se nuk duhet të bëjmë gjykatësin e prokurorit, pavarësisht interpretimit të ngjarjes. Por ajo që duhet bërë me urgjencë është sqarimi i pozicionit të këtij prokurori. Nëse qëllimisht ka ndryshuar akuzën, ai nuk mund të qëndrojë më aty, asnjë ditë. Më e pakta duhet të pezullohet. Nëse ai ka të drejtë, atëherë përse u mor vendimi i kundër nga kolegu i tij? Ndaj kryeprokurorja Marku, duhet të ndërhyjë sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën.

Nuk duhet të presim vetëm vetingun.

Please follow and like us: