Danimarka ndalon veshjen e burkas dhe nikabit në publik
Danimarka është bërë shteti i fundit evropian që ka ndaluar veshjet që mbulojnë fytyrën në publik.
Parlamenti danez në Kopenhagë ka votuar në të mirë të ndalimit, i cili kufizon personat që të veshin burka dhe nikab, e të cilat kryesisht përdoren nga gratë myslimane.
Ata që nuk i përmbahen ndalesës në tri herët e para do të dënohen me 160 dollarë, ndërsa pas herës së katërt do të ndëshkohen me 1,600 dollarë gjobë.
Zbatimi i këtij ndalimi fillon nga 1 gushti.
Ministri danez i Drejtësisë, Pape Poulsen, pati thënë në muajin shkurt, kur është propozuar projektligji për herë të parë se mbulimi i fytyrës “është në kundërshtim me vlerat e shoqërisë daneze”.
Vëzhguesi për të drejtat e njeriut, Amnesty International ka thënë se ligji i ri është “diskriminues për të drejtat e grave”.
“Të gjitha gratë duhet të jenë të lira për të veshur çfarë duan dhe të shprehin identitetin dhe besimet e tyre”, është thënë në deklaratë.
Belgjika, Bullgaria, Franca, Holanda dhe rajoni i Bavarisë në Gjermani kanë vënë kufizime për këto lloj veshjesh në publik.