Albspirit

Media/News/Publishing

Lavrov takon Kim Jong Un

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është takuar me liderin verikorean, Kim Jong Un dhe homologun e tij nga Koreja Veriore, pak kohë para takimit të planifikuar në mes të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Kimit në muajin e ardhshëm në Singapor.

Vizita e Lavrovit më 31 maj, shënon vizitën e tij të parë në Korenë Veriore nga viti 2009 dhe e njëjta është parë si tentim nga Moska për t’u siguruar që të dëgjohet edhe zëri i saj në marrëdhëniet diplomatike të Phenjanit me SHBA-në dhe Korenë Jugore.

Ministria e Jashtëm ruse ka njoftuar se Lavrov është takuar me Kimin në Phenjan dhe e ka ftuar liderin verikorean për vizitë në Moskë.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se është shumë herët për të ditur nëse do të ndodhë takimi Putin-Kim në Rusi.

Lavrov ka nisur takimin e tij në Korenë Veriore duke u takuar me homologun e tij nga ky shtet, Ri Yong Ho.

“Ne mirëpresim kontaktet në mes të dy Koreve si dhe ato në mes të Koresë Veriore dhe Shteteve të Bashkuara”, është cituar të ketë thënë Lavrov, ka raportuar agjencia e lajmeve TASS.

Ministri i Jashtëm u ka bërë thirrje “të gjitha palëve të përfshira që të përmbushin detyrat e tyre në parandalimin e dështimit të një procesi kaq të rëndësishëm ndonëse shumë të ndjeshëm”.

“Jam i sigurt se Koreja Veriore e di historinë e ditëve tona dhe do të rikujtojë të gjithë faktorët para se të vendosë për qëndrimin e saj”, ka thënë Lavrov.

Rusia dhe Koreja Veriore ndajnë një kufi prej vetëm disa kilometrash, mirëpo vazhdimisht kanë pasur marrëdhënie të mira me njëra-tjetrën nga periudha sovjetike.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka anuluar samitin e planifikuar më 12 qershor në Singapor, mirëpo të dyja palët janë duke bërë përpjekje të reja për realizimin e takimit.

Uashingtoni është duke kërkuar denuklerizimin e plotë të Gadishullit Korean në këmbim të disa përfitimeve ekonomike dhe atyre të sigurisë për Phenjanin.

Please follow and like us: