Viron Kona: Shefi “i mirë”
– Gazmore –
-Orari i punës s`ju pëlqen,
jeni “artistë ”, ju kuptojë,
që të ndiheni të veçantë,
orarin po jua ndryshojë.
Jo në 8-të të mëngjesit,
por në 9-të të fillojmë,
ta zbatojmë këtë orar,
punën ta respektojmë.
T`nesërmen në mëngjes,
me padurim orën shihte,
ndonëse 9-ta po kalonte,
asnjëri s`dukej të vinte.
Më në fund erdhi i pari,
dhe të tjerë sipas qejfit,
gojëhapur, t`përgjumur,
duke i bërë lajka shefit:
-Në gjithë botën t`kërkojmë,
s`gjejmë tjetër kaq modern,
me që sharmin1) na kupton,
nisim nesër në orën 10-të?
-Edhe këtë po jua plotësoj,
veç ju lutem më dëgjoni,
ora 10-të t`ju gjej n`punë,
fjal` burrash,m`premtoni?
Përsëri asgjë s`ndryshoi,
fjalën shefit s`ia dëgjuan,
as orarin që vunë vetë,
as atë nuk e zbatuan!
-Eh,-tha shefi,-sa të vështirë,
“unë me bukë, këta me gurë”,
po provojë një formë moderne,
që në botë s`është parë kurrë!
Po jua lë n`dorën tuaj,
që t`shohë ç`dëshironi,
nesër hajdeni në punë,
në orarin që ju doni.
Me orë në dorë shefi priti,
të zbatohej forma moderne,
kaloj dita, askush s`erdhi,
dështoi shefi dhe kësaj here.
Kur përpiqej të gjente shkakun,
një fjalë e urtë i erdh` në kokë:
“Po i dhe miut një gotë qumësht,
ai do të kërkojë dhe një biskotë!”
1).Sharm, këtu përdoret në kuptimin “rendje pas luksit, modës, rehatisë, pa e vrarë mendjen”.