Itali, Irma Kurti merr pjesë në festivalin interkulturor në Riva del Garda
“Një sukses” për autoritetet lokale. Me pjesëmarrjen e 16 grupeve dhe 8 këngëtarëve nga vende të ndryshme. E ftuar edhe shkrimtarja Irma Kurti për të prezantuar romanin: “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve).
Në datën 9-10 qershor 2018 hap siparin edicioni i katërt i Festivalit të madh Interkultural në Riva del Garda. Që nga edicioni i parë në vitin 2015, me iniciativën e disa të rinjve nga Trento, ai zhvillohet në harkun e dy ditëve.
Në ditën e parë, pas sfilatës së kostumeve kombëtare shqiptare dhe të kombësive të tjera nëpër rrugë, do të vijojnë disa veprimtari në Piazza Garibaldi. Do të organizohet një konkurs pikture për fëmijë nën kujdesin e Rosita Carbone, do të ekspozohen aktivitetet si dhe projektet për të ardhmen të Organizatës për solidaritet ndërkombëtar “Rinia”. Në mbremje, rreth orës tetë do të fillojë spektakli i madh që do të zgjasë rreth katër orë. Në fund do të vlerësohen interpretimet më të arrira. Këtë vit do të marrin pjesë 16 grupe dhe 8 këngëtarë që vijnë nga vende të ndryshme. Përmendim këtu përfaqësues nga Amrika Latine, Argjentina, Ekuadori, Italia, Shqipëria, Rumania etj.
Në ditën e dytë, në interpretimin e Teatrit ballkanik do të jepet shfaqja “Burrnesha”, me regji të Valbona Xibrit. Më pas, poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti do të prezantojë romanin në gjuhën italiane titulluar: “Në mungesë të fjalëve”.
Presidenti i Organizatës Rinia dhe drejtori i këtij eventi të rëndësishëm, Erio Korini thotë: “Kjo veprimtari po kthehet në një traditë të bukur. Tashmë po bëhen përgatitjet e fundit. Gjatë fundjavës qyteti i Riva del Garda do të mbushet plot e do të gjallërohet nga prania e këngëtarëve dhe grupeve, që do të shpalosin veçanësinë e muzikës, valleve dhe kostumeve popullore. Objektivi është të promovohet kultura e çdo vendi pjesëmarrës”.
Autoritetet lokale e konsiderojnë “një sukses” Festivalin Interkultural në Riva del Garda, brenda Komunitetit të Trentos dhe jashtë, duke patur parasysh praninë e mijra pjesëmarrësve si dhe auditorin e shumtë që e ndjek.