Reshat Kripa: Një poezi në kampin e Vlashukut
Maj 1953. Kampi i Vlashukut. Një të dielë, ndërsa po rrinim duke biseduar, afrohet Gjon Shllaku, përkthyes dhe dramaturg i disa veprave klasike, njeri nga mësuesit e mi që formuan karakterin tim dhe na thotë:
– Djelmosha, sot do organizojmë nji konkurs letrar në prozë dhe poezi. Me këterast do të shpërndajmë edhe dy çmime për fituesit. Prandaj letër dhe laps dhe filloni.
Në shkollë kam qenë i shkëlqyer në hartime. Ato i zhvilloja gjithmonë në formë tregimi. Kurse atë ditë më shkrepi ideja që të bëja një poezi. Sidoqoftë, u ula dhe shkruajta poezinë e mëposhtme:
Pas një jave u mblodhëm përsëri për të bërë ndarjen e çmimeve. Gjoni shpalli si fitues në prozë Vangjelin, një djalosh nga Korça. Ai kishte shkruar një prozë poetike shumë të bukur për lirinë. Në poezi u shpall fitues një djalë nga Dibra, Hektori. Premiot ishin dy kuti duhani të bëra prej një mjeshtri nga gaveta italiane. Në kapakun e secilës ishte gdhëndur një shqiponjë dhe poshtë saj shkruhej: RROFTË SHQIPËRIA!
Pas disa ditësh Gjoni u afrua dhe na tha:
– Djelmosha, ngulitini mirë në mendje ato qi keni shkrue, në mënyrë qi të mos i harroni dhe mandej shkyeni letrat. Ato mund të paraqesin rrezik.
Ashtu bëmë. Poezia u ngulit në trurin tim dhe mbeti e tillë edhe pas gjashtëdhjetë e pesë vitesh.
ROBËRIA
Në çdo anë e në çdo cep,
Moj e dashur Shqipëri!
Që nga Korça në bregdet
Ndodhesh ti në robëri.
Nëpër burgje të tmerruar,
Njerëzit vuajnë pa mëshirë.
Janë shtypur, robëruar,
Pse kërkojnë jetën e lirë.
Nëpër kampet gjakatare,
Ndihet huri dhe dajaku.
Vuajnë zemrat shqiptare,
Porsi lum u vete gjaku.
Bujku atje tej punon,
Është këputur lodhur shumë
Arën me mundim lëron,
Edhe natën rri pa gjumë.
Nëpër male shkon bariu,
Bashkë me dhentë e tij,
Vuan shumë gjithmonë i ziu,
Pasi është në robëri.
Shqipëri o moj e mjerë!
Pse nuk ngrihesh përsëri?
Të tregosh se kësaj herë,
Liria shpejt do tëvijë!