Ilir Levonja: Rroga qyl e Mirush Kabashit
Eshtë ndofta një nga ata aktorë që Shqipërisë do i duhen dekada ta rinxjerri. Ose edhe mund të mos e nxjerrë më një të tillë. Një nga ato personazhe që në një hark kohor mbi gjysëm shekulli ka vulosur gangsterin e socializmit, kopracin e satirës, shoferin, a oficerin mëmarak, kiu fiun e administratës apo klasikun e rilindjes europiane etj. Një tip që i përket brezave dhe memories plot trëndafila të artit tonë. Mirëpo sipas një zbulimi, të një kapteri administrate, i bie që ky gjenerali i skenës shqiotare këto vitet e fundit na qenka paguar qyl duke firmosur ca rroga në borderonë e teatrit kombëtar. Dhe po sipas këtij kapteri që nuk është asgjë tjetër, po pluhuri në xhiboksin e Mirush Kabashit, kjo përbën një akt të pa precedentë në ndërgjegjen e një artisti a gjenerali të skenës së teatrit shqiptar. Një lloj informalizmi administrativ që po shteron buxhetin e vendin e për më tepër një papërgjegjësi intelektuale që pranon të marri rroga pa punuar.
Ndofta kjo u ka mbushur mendjen sërës së tij që me kënaqësinë perverse të vulës që mbajnë me vete, të përshpejtojnë orën e varjes në litar të një institucioni me histori të madhe kombëtare. Unë nuk do t’i hy kësaj pune me paga qyl. Më vjen ndohtë të mendoj se një institucion shqiptar ka paguar qyl një ikonë a korife të skenës. Kemi paguar me dy duar dhe qyl plot rrugeçër duke i bërë edhe kryetarë bashkish. E që…, asgjë tjetër nuk kanë bërë, veçse na kanë nxirë faqjen. Nuk do ndalem sepse edhe për momentin po të hapësh letrat ekonomia jonë paguan rreth 85% të administratës për merita politike se sa profesionale. Dhe për mbi të gjitha, i paguan pa punuar, pa shkuar në punë. Rrezik edhe brenda kryeministrisë. Por ky kapteri harron se populli shqiptar paguajti Edi Ramën për plot 3 vjetë bojkot pa shkuar asnjë ditë në punë. Ai dhe shpura e tij prej gjashtëdhjetë e kusur deputetësh. Një krim i pa proceduar asnjëherë dhe sot e kësaj dite. Nuk do ndalem se ne e kemi uri aderimin në parti vetëm e vetëm për të shënuar emrin diku, mjafton që krye të pesëmbëdhjetëditëshit të firmos e të çoj ca lekë në shtëpi. Por në kontekst me këtë kapterin e administratës shqiptare, më shumë për lexuesit, këto ankesa gilivili, kapterash partie, janë për kokë të tyre. Janë pjesë e atyre allishverisheve të projekteve artistike që kush i fiton, kë fton si regjisor dhe se me kë të pëlqen të bësh punën. Dhe në këto pesë a gjashtë vitet e fundit ky kapteri ka bërë si i do qejfi, ai është kampioni i informalizmit dhe i dhunës administrative. Pjesë dërrmuese e atij dështimi kultural të njëzetë e tetë viteve demokraci të qeverive tona në lidhje me teatrin kombëtar. Nuk është për tu fshehur por ne e kemi gjykuar teatrin njësoj si metalurgjikun a vepra të tjera nga prodhimi dhe grumbullimi i ekonomisë së centralizuar. Dhe për më tepër me urrejtje, kjo edhe për faktin e asaj lufte të brendshme, shkaktuar nga inati i sojit tonë, u bë ky apo ai…, tani është radha ime etj. Kur them se janë për kokë të tyre kam parasysh së pari paaftësinë e drejtuesve për të menaxhuar aktorët dhe buxhetet. Së dyti kjo ndodh qëllimisht, për të vetmin synim, rrënimin e historisë dhe shëmbjen institucionale të vlerave. Një lloj haraçi që duhet ta paguajmë si shoqëri për shkak të votës që japim.