Shqipëria në prozën letrare nordike të vjetër
Rolf KÖDDERITZSCH – Torsten MEISSNER
(Bonn) 1
(Marrë nga libri “Skënderbeu në vendet nordike” me autorë Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, botim i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Tiranë 2018).
Burime të shumta të vjetra nordike na njoftojnë për udhëtimet e nordikëve drejt Perëndimit dhe në Mesdhe drejt Lindjes. Për në Konstantinopol shkonin tregtarët skandinavë nëpër rrjetin e lumenjve rusë ose nga Perëndimi nëpër Mesdhe. Sipas E. Ebelit2 që nga koha e perandorit Vasili II (976-1025), ndoshta edhe më përpara, ka pasur nordikë në shërbim të perandorëve bizantinë. Qysh nga viti 1066, kur Anglia u pushtua prej normanëve, ka pasur edhe anglezë në këmbësorinë bizantine. Tashmë që më 795 sipas burimeve arabe, vikingët do ta kenë ndihmuar Alfonsin II të Spanjës kundër arabëve.
Ka tri burime të vjetra nordike, në të cilat përmenden Shqipëria, përkatësisht vendet në Shqipërinë e sotme. Burimi i parë është Orkneyingasaga3 e fundit të shek. XII. Ajo na njofton për një udhëtim të Jarl Rọgnvaldr-it drejt Jerusalemit. Udhëtimi i kthimit e çoi nëpër Konstantinopol, Durrës dhe Apulie drejt Norvegjisë.
Burimi i dytë është Sigurður saga þőgla,4 që i përket Riddarasőgur-it5 nga fillimi i shek. XIV. Në të rrëfehet për një udhëtim të Sigurður-it të Heshtur përgjatë Alpeve, udhëtim i cili kinse është shtrirë nëpër Kampaninë italiane ndërmjet Galicisë dhe Shqipërisë.
Burimi i tretë është po njësoj me zanafillë nga Riddarasőgur e Mágus saga jarls,6 varianti më i vjetër i së cilës i përket shek. XIII. Varianti që citohet këtu mund të datohet si i gjysmës së dytë të shek. XIV.7 Mágus saga jarls është një ritregim i lirë i poemës së vjetër frënge “Quatre fils Aymon”, ose “Renaud de Montauban” të fundit të shek. XII.8 Në sagë rrëfehet për takimin e një grupi bizantinësh, ka shumë të ngjarë që u përkisnin njerëzve nordikë, me një grup shqiptarësh dhe me prijësin e tyre në Venedik.
Në Orkneyingasaga (Kreu 89) thuhet:
Rọgnwaldr jarl byrjaði ferð sina of vetrinn ór Miklagarði ok fór fyrst vestr til Bolgaralands til Dyrakksborgar; þaðan sigldi hann vestr yfir hafit á Púl.
Princi Rọgnwaldr e nisi udhëtimin e tij në dimër nga Konstantinopoli dhe udhëtoi së pari drejt perëndimit nga Bullgaria për Durrës, prej ku lundroi drejt perëndimit nëpër det për në Apuli.
Këtu për herë të parë në literaturën e vjetër nordike ndeshet emri islandez për “Dyrracchium/Durrës”, në trajtën Dyrakksborg. Në dorëshkrimin 702 (Univ. Ups. Isl. R: 702 4to.)9 ndeshet me një trajtë pjesërisht të etimologjizuar i shkruar Durakrsborg, ndoshta në ngjashmëri me Akrsborg (fjalë për fjalë “Qyteti i vendit’), që ka qenë emri i vjetër nordik për ‘Akka/Akra/Accon’ në Palestinë.
Në të dy burimet e tjera përmendet drejtpërdrejt emri i Shqipërisë në trajtën Albania. Te Sigurður saga þőgla (Kreu 17) del kështu:
Um morguninn, sem sólin tók að skina, klæðir Sigurður sig og fer síðan til matar og býr sig til ferðar fram með fjöllunum, þottu honum seint þrjóta fjöllin, þvi að á þessum degi komst hann eigi fyrir enda fjallanna, þessi fjöll heita Alpes og standa út í Campanja þar út í millum þeirra landa, er annað heitir Galatía, en annað Albania, og ganga þessi fjöll um þvert landið, og eru þau viða með stórum hellum og holum, og í þeim hellum og holum var þann tíma víða byggt af ýmsum illkvikindum eða jötnum þeinim, er eigi áttu eðli við veraldarmenn.
Në mëngjes, ndërsa dielli nisi të shkëlqente, u vesh, hëngri dhe u bë gati për udhë përgjatë Maleve. I dukej se malet nuk kishin fund, meqë ai atë ditë nuk mbërriti në fund të maleve. Ky vargmal quhet Alpet dhe shtrihet në Kampani ndërmjet vendeve, të cilat nga njëra anë quhen Galicia dhe nga tjetra Albanie, dhe ky vargmal kalon përmes vendit dhe më tej shihen lartësi dhe ultësira, dhe në këto lartësi në kohëra banonin përbindësha që përmenden shpesh dhe gjigantë, që nuk kishin aspak natyrë njerëzore.
Karakteri si i sagave i këtij rrëfimi është i dukshëm vetvetiu. Nuk ka mundësi nga ana kronologjike, që mbreti gjerman Ludvigu, i ati i Sigurdhurit të Heshtur, të ishte një shok i kohës së Arturit të Britanisë.10 Rrëfimtari duket qartë se nuk ka udhëtuar me kalë në viset për të cilat flet. Me Galici (Galitia/Galizuland) është e sigurt se quhet hapësira në Gadishullin Iberik, pasi Galicia polake në atë literaturë nuk përmendet. Me Albania me sigurinë më të madhe nuk është fjala për Αλβανια antike në Kaukazin lindor, por për vendin në brigjet e deteve Adriatik dhe Jonian, ndërsa Kaukazi në literaturën e vjetër nordike është përmendur vetëm një herë në një rast anësor,11 që nuk është pranuar si dëshmues, sepse është fjala vetëm për një argument ex silentio.
Rastet që kanë të bëjnë me Shqipërinë te Mágus saga jarls (Kreu 7 vij.) janë këto:
Og er þeir koma þar, var eftir spurt, hver foringi væri liðs þessa, þeir sögðu að hann hêt Hirtingur og var jarl einn útan úr Albania.
Dhe kur ata erdhën atje, u pyetën se cili ishte prijësi i këtij grupi. Ata thanë se quhej Hirtingur dhe ishte një princ nga Albania.
En eg heiti Hirtingur og held eitt jarldæmi af Grikkjakonungi, þar sem Albania heitir.
“Por unë quhem Hirtingur dhe kam një principatë nga mbreti grek, e cila quhet Shqipëri.”
Frúin mælti: Eg em ein komungsdóttir útan af Fryggía af borg þeirri, er Sobríe hetir, komin hér sem hertekin af þeim jarli, er Hirtingur heitir, hans ríki er Albania.
“Gruaja tha: Unë jam një motër e mbretit nga Frigia prej qytetit që quhet Sobrie, dhe këtu më grabiti një princ, që quhet Hirtingur, mbretëria e të cilit është Albania.”
Konunger tók þvi vel og spurði: Ertu þann sami jarl útan af Albania, er heldur strið oss í móti?
“Mbreti e priti me dashamirësi dhe e pyeti: A je ti po ai princ nga Albania, i cili ka luftuar kundër nesh?”
Në këto saga është fjala për një princ Hirtingur, i cili Shqipërinë e ka marrë si feud nga mbreti grek. Emri Hirtingur mund të merret vetëm si gjermanik, sepse shqipja nuk jep asnjë etimologji të dobishme. Kjo nuk do të thotë, se ky emër e përjashton që të përfaqësojë një kalkim të një emri shqip në zanafillë. Ka mundësi madje që të jetë një etimologji popullore në nordishten e vjetër sipas kuptimit të një emri shqip.12 Në gjermaniken ka dy mundësi, te të cilat mund të çohet emri Hirtingur, e përkatësisht të shihet etimologjia. Së pari, mund të lidhet me nordishten e vjetër hitra ‘ndëshkoj’ dhe të ketë kuptimin ‘Ndëshkuesi’. Ndërtime analoge janë për Sprettinger (emri i një kreshniku) nga spretta ‘ngrihem’, ose Gillingr (PN) nga gjalla ‘ulurij’. Nga ana tjetër, mund të shihet aty një huazim nga gjermanishtja e vjetër e lartë Herting “Trim” (angl. e vj. Hearding po me atë kuptim), ndërsa përndryshe duhet të pranojmë që rrëfimi për Hirtungurin nëpërmjet gjermanishtes së vjetër të lartë ka ardhur në nordishten e vjetër dhe atëherë tingulli i i parë te Hirtingur ka qenë një paraprirës jo sipas rregullave fonetike i zanores pasuese.
Për fat të keq tekstet në nordishten e vjetër për Shqipërinë janë shumë të pakta. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nordikët nuk kanë pasur njohuri të mira për këto vende të Ballkanit. Natyrisht Shqipëria me Durrësin, Vlorën dhe Sarandën ka pasur limane të mira natyrore dhe veç këtyre, nëpër të kalonte Via Egnatia, rruga më e shkurtër ndërmjet Romës e Bizantit, përmes Shqipërisë. Mjafton të tregojmë, se edhe njoftimet për Amerikën, të cilën vikingët e kishin zbuluar shumë kohë përpara Kolombit, janë shumë të kursyera në literaturë.
Shënimet:
- Autorët falënderojnë zotin prof. dr. H. Beck (Bon) për njoftimet e vlefshme të literaturës dhe për indikacionet e gjera të literaturës.
- E. Ebel, Die Waräger. (Tübingen 1978), 3.
- Sipas Finnbogi Guðmundsson-it (Bot.), Islenzk fornrit, 34, Bd. (Reykjavik 1965).
- Khs. Bjarni Vilhjálmson (Bot.), Riddarasőgur, vol. 3. (Reykjavik 1954, ribot. 1962). Për fat të keq nuk ka asnjë botim kritik të Sigurður saga þőgla. Ka në të vërtetë një botim më të mirë dhe më të ri sesa të Vilhjálmson-it, e konkretisht: Editiones Arnamagnænæ, vol. 21. Copenhague 1963, Late Medieval Romances, bot. nga Agnete Loth. Për fat të keq këtë botim autori nuk e ka pasur në duar.
- Kundrejt sagave islandeze tradicionale Riddarasőgur-et janë dytësore dhe “kanë lindur “ jo më heret sesa shek XIV <nëpërmjet një përzierjeje të motiveve të marra me fondin e sagave tradicionale islandeze>”; khs. për më tepër A. van Nahl, Originale Riddarasőgur als Teil isländischer Sagaliteratur. (Frankfurt a. M./Bern 1981), 89 vij. Por lidhur me këtë duhet vënë në dukje, se varianti më i vjetër i Mágus saga jarls tashmë vjen që nga fundi i shek. 13; khs. Bjarni Vilhjálmsson (bot.), Riddarasőgur, vol. 2 (Reykjavik 1953. Ribot. 1961), X.
- Khs. më sipër shën. 4.
- Khs. Bjarni Vilhjálmsson (shih shën. 4.)
- Khs. Renaus de Montauban oder die Haimonskiner, botuar ngal Heinrich Michelant (Stuttgart 1862, ribot. Amsterdam, 1966).
- Për vijën e prejardhjes së dorëshkrimeve khs. Finnbogi Guðmundsson (shih shën. 3), CVIII vij., veç. CXXVI.
- Khs. Bjarni Vilhjálmsson (shih shën. 5), 99: Á dögum Arturii konungs hins fræga, er réo fyrir Bretlandi, sem sîoan hefir England verio kallao, réo sá konungur fyrir Saxland, er Lúdóvikus hét . . . Son hans elzti hét Hálfdán, annar Vilhjálmur og prioji Sigurour … “Në ditët e mbretit Artur të Famshëm, i cili mbretëronte mbi Britaninë, që gjithashtu quhej Angli, mbretëronte një mbret mbi Gjermaninë (Sakslandin), që quhej Ludvig . . . Djali i tij më i madh quhej Hálfdán, i dyti Vilhjálmur dhe i treti Sigurour . . .”
- Khs. Bjarni Vilhjálmsson (Bot.), Riddarasőgur, vol. 5. (Reykjavik 1954) 312: Rémundar saga.
- Kështu për shembull, del emri frëng Renaud/Renaus në sagën isl. si Rọgnvaldrs, si dhe emri Aymon si Âmundi (shih më sipër në shën. 8).
- Khs. Alexander Jóhannesson: Die Suffixe im Isländischen. (Separat nga Ârbók Háskóla Islands, 1927, Halle/Saale 1927) 44.
“Studia Albanica”, nr. 1, 1990, f. 175-178.