CIA: Spiunët jugosllavë që u vranë nga Sigurimi i Shtetit më 1951, prapaskenat e dorëheqjes së Hoxhës nga posti i kryeministrit
CIA zbardh emrat e 33 agjentëve të saj dhe jugosllavë të vrarë më 1951 nga regjimi komunist shqiptar. Amerikanët nisën tentativat për rrëzimin e Enver Hoxhës duke rekrutuar agjentë dhe më pas i rikthenin në Shqipëri me qëllim nxitjen e mosbindjes civile. Por në tetor 1951 u vranë 33 prej tyre.
29 tetor 1951, Shtypi identifikon 33 spiunë të kapur
Më 27 tetor shtypi shqiptar botoi komunikatën e mëposhtme nga Ministria e Brendshme: Forcat e sigurisë shtetërore në bashkëpunim të ngushtë me popullatën kanë eliminuar 33 spiunë jugosllavë, agjentë subversivë. Inteligjenca jugosllave ka rekrutuar, përgatitur, armatosur, financuar dhe dërguar brenda territorit të Shqipërisë agjentët e mëposhtëm, me qëllim spiunazhin dhe kryerjen e aktiviteteve subversive:
- Zenel Xhuta i vrarë, nga fshati i Shtikës në Kukës, i arratisur në Jugosllavi, kriminel lufte dhe bashkëpunëtor i Muharrem Bajraktarit.
- Rahim Iliaz Shehu i vrarë, nga i njëjti fshat, i arratisur në Jugosllavi dhe armik i popullit.
- Preng Keqani i vrarë, nga Kokdodaj, zona e Pukës, kriminel ordiner i arratisur në Jugosllavi.
- Shpeno Sadiku i vrarë, nga fshati i Nikaj i Tropojës, ish-xhandar i milicisë së mbretit Zog, i arratisur drejt Jugosllavisë dhe ish-bashkëpunëtor i kriminelit të luftës Nik Sokoli.
- Nik Deli … Lekaj, i vrarë, nga Tropoja, i arratisur drejt Jugosllavisë si bashkëpunëtor i kriminelit të luftës Nik Sokoli.
- Demir Shahini i vrarë, ballist nga Cerava e Pogradecit, i arratisur në Jugosllavi, armik i popullit.
- Mark Ndue Pali i vrarë, nga Beran i Lezhës, i arratisur në Jugosllavi si mbështetës i regjimit të mbretit Zog.
- Kurt Ademi i vrarë, me nënshtetësi jugosllave.
- Sinan Teami nga Shkodra, i vrarë, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit.
- Gjok Nikolla i vrarë, nga ishulli i Lezhës, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit.
- Ibrahim Kanjozi, i vrarë, nga Gryka e Nokës, Peshkopi, oficer gjatë regjimit fashist, i aratiosur në Jugosllavi si armik i popullit.
- Zef Dodë Lekë Gega, i vrarë, nga Perlati i Rrëshenit, i arratisur në Jugosllavi si kriminel ordiner.
- Nikol Gjin Kola, i kapur i gjallë, nga Grykë Lumi në Lezhë, i aratisur në Jugosllavi si armik i popullit.
- Razmi Shapovski, i kapur i gjallë, nga Rade, Jugosllavi.
- Hysen Voka i kapur i gjallë, i arratisur në Jugosllavi dhe vëlla i kriminelit të njohur Ramadan Voka që është në Jugosllavi.
- Pjetër Gjin Kola nga Perlati, i kapur i gjallë, i larguar në Jugosllavi si armik i popullit.
- Rexhep Shaban Leka, i kapur i gjallë, nga Blicaj e Peshkopisë, ish-xhandar i aratisur në Jugosllavi si armik i popullit.
- Zhivko Cabrilovski, i kapur i gjallë, nga Dragocaj në Jugosllavi, ish-kryetar komiteti i Gragocaj.
- Ndue Bardhok Lekë Gega, i kapur i gjallë, nga Perlati, i arratisur në Jugosllavi.
- Xheto Rasani nga Tush i Shkodrës, i kapur i gjallë, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit.
- Islam Gafurri nga Luime e kukësit, i kapur i gjallë, i arratisur në Jugoslavi si kriminel ordiner.
- Hajredin Rama nga Shumat i Peshkopisë, i dorëzuar pas presionit të forcave të Sigurimit, ish-xhandar i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit.
- Elaim Azizi nga Ruraj i Kukësit, i dorëzuar të Sigurimi, i arratisur në Jugosllavi.
- Gjin Arapi nga Perlati, i dorëzuar, i arratisur në Jugosllavi.
- Elmaz Islami nga Shtika e Kolonjës, i dorëzuar, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit.
- Berdo Berdaj nga Brataj e Vlorës, i dorëzuar, i arratisur në Jugosllavi si armik i popullit.
- Gjashtë spiunë dhe agjentë të tjerë subversivë që janë vrarë, nuk janë identifikuar ende. Dokumentet e gjetura te ta tregonin se ishin dërguar nga agjencia jugosllave UDB. Të gjitha armët dhe sendet e agjentëve të sipërpërmendur, i kemi ne në zotërim.
27 tetor 1951
Zëri i Popullit botoi një artikull nga ministri i Industrisë Adil Çarçani me titull “Nën udhëheqjen e partive vendi marshon drejt industrializimit” ku thuhet se si rezultat i punës së partisë prodhimi industrial ishte rritur vitin e kaluar në 142.7 për qind në tekstilet, 192 për qind në prodhimin e makaronave, 177 për qind në çimento, 113.4 për qind në cigaret dhe 213 për qind në prodhimin e këpucëve. “Gjatë kësaj periudhe janë krijuar objekte të rëndësishme industriale falë ndihmës sovjetike deh të vedeve të tjera demokratike. Plani për vitin aktual parashikon rritje të konsiderueshme të prodhimit në të gjitha degët”, thuhej aty.
25 tetor 1951
Njoftim i Radio-Tiranës në lidhje me rregullat e përfitimin e aparateve radio: “Këshilli i ministrave të Shqipërisë me propozimin e ministrisë së komunikacioneve ka miratuar ndryshimet në nenin 10 të dekreti12 mbi aparatet darko dhe licencat. Neni 10 ndryshon si më poshtë: Cilido që zbulohet në zotërim të një aparati radio të padeklaruar do të gjobitet me 10 000 lekë. Kur deklarimi bëhet pas skadimit të licencës gjoba do të jetë nga 500 deri në 2000 lekë. Ata që lejojnë të kalojnë dy data të skadimit të licencës do të gjobiten rëndë dhe radiot e tyre do të konfiskohen. Ky dekret hyn në fuqi më 31 maj 1951.”
28 tetor 1951
Fjala e Hysni Kapo në konferencën bujqësore në prezencë të delegacionit sovjetik. Ministri Kapo tha se konferenca po mbahet në një kohë kur e gjithë popullata po punon shumë për të realizuar e bëra ndaj partisë dhe shokut Enver, dhe për të realizuar planin para afatit. “Në 5 vjetët e regjimit demokratik të popullit ne kemi shumëfishuar numrin e kooperativave dhe fshatarët tanë punëtorë janë mobilizuar në realizimin e planit dy-vjeçar bujqësor”, tha Kapo, duke vënë theksin te kulturat e grurit e misrit. Më tek ai vlerësoi miqësinë e popullit shqiptar me popullin sovjetik dhe theksoi se me ndihmën e BRSS, Shqipëria do të thyejë çdo tentativë të armiqve të vendit, qofshin ata titistët, monarko-fashistët, spiunëve, tradhtarëve, kulakëve apo imperialistëve anglo-amerikanë.
21 shtator 1951, progres-raport BGFIEND
Kemi marrë përkthimin e parë të letrës me bojë sekrete nga grupi “Pine Tree”. Letra është shkruar më 5 gusht, dhe është e dyta nga ky grup, por e para që arrin në Athinë. Në letër konfirmohet lëshimi i suksesshëm i furnizimeve (lëshimi i tretë për këtë grup) dhe raportohet se grupi është aktiv dhe i padëmtuar. Përmenden ndjenjat anti-komuniste të përhapura gjerë në veri të Shqipërisë, si dhe ekzistenca e një organizate njohur si “Liria e Shqipërisë dhe përmbysja e Komunizmit”. Për të nuk jepen detaje përveçse thuhet se është e përbërë si nga ushtarakë dhe civilë. Letra mbyllet me shprehjen se popullata kërkon të krijojë në këtë një zonë ndarëse me regjimin komunist. Kreu ynë në terren beson se kjo letër është një arritje domethënëse në zhvillimin e rrjetit të agjentëve të projektit BGFIEND. Vendosja e sigurt e këtij grupi krijon një korridor për kalimin e furnizimeve dhe njerëzve të tjerë në veri të Shqipërisë. Tani pritet që operatori radio të lëshohet pranë këtij grupi në mesin e tetorit. Është inkurajues fakti që grupi ka ndjekur saktësisht instruksionet dhe vazhdon të jetë besnik ndaj vendit të tyre, më shumë sesa ndaj partisë. Kemi marrë gjithashtu një tjetër raport të gjerë mbi grumbullimin e grupit Cypress Team, i cili është infiltruar në Shqipëri më 15 gusht. Letra po studiohet dhe shumë komente interesante janë bërë nga … Ai thekson se anëtarët e grupit kanë treguar mungesë besimi ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë, pasi ata nuk janë shoqëruar nga zyrtarët e komitetit. Anëtarët e grupit thonë se megjithëse janë pritur mirë nga shqiptarët me të cilët kanë hyrë në kontakt, ata nuk janë në gjendje të realizojnë objektivat e tyre pa praninë e një zyrtari të arsimuar dhe të respektuar të Komitetit. Përveç kësaj, ata shkruajnë se drejtuesit e Komitetit të shqiptarëve të emigracionit kanë shkelur marrëveshjen për qasjen ndaj operacionit. Dyshimet e tyre kanë të bëjunë me faktin se familjet e njerëzve të përfshirë në operacion janë marrë në pyetje nga Sigurimi para mbërritjes së tyre në zonë, dhe gjithashtu zona e lëshimit duket se dihej nga autoritetet shqiptare. Grupi i shpëtoi eliminimit pasi ishte lëshuar disa kilometra larg zonës së parashikuar. Më 13 shtator Komiteti Shqipëria e Lirë i dërgoi Enver Hoxhës një telegram për të ofruar ushqime dhe ndihma mjekësore, me kusht që shpërndarja të bëhej nga një grup i paanshëm. Meqenëse asnjë përgjigje nuk është ofruar deri tani, mesazhi është publikuar në shtyp dhe në radio nga organet e Komitetit Shqipëria e Lirë, për të evidentuar refuzimin e ndihmave nga regjimi i varfëruar i Hoxhës. Kly telegram do të jetë gjithashtu baza e tekstit të broshurës së propagandës që do të hapë fushatën e lëshimeve të materialeve të shkruara dhe mallrave në Shqipëri.
18 prill 1952, rinisja e operacioneve ajrore të propagandës në Ballkan
Si pjesë e operacioneve të luftës psikologjike të projektit në Shqipëri, BGFiend, CIA ka nisur një program lëshimesh ajrore fletushkash dhe furnizimesh mbi Shqipëri, me rezultate shumë të mira. Lëshimet po kryhen nga avionë klandestinë, të cilët përveç fletushkave të propagandës hedhin dhe disa artikuj shtëpiake apo ushqimore në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë. Lesimet janë konfirmuar nga brenda vendit dhe janë evidentuar gjithashtu nga sulmet verbale të udhëheqësit Enver Hoxha në kongresin e fundit të partisë komuniste, ku ai foli për “kriminelë lufte dhe reaksionarë që duke përdorur mjetet e vëna në dispozicion nga imperialistët anglo-amerikanë lëshojnë fletushka të ndyra dhe ushqim të helmuar”. Megjithëse referenca ndaj “ushqimit të helmuar” ka si qëllim të dekurajojë shqiptarët të marrim artikujt e lëshuar në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, koha e bërjes së akuzave nga Hoxha koinçidon me fushatën e sponsorizuar nga sovjetikët të luftës bakteriologjike, prandaj ne besojmë se do të ishte mirë që fushata e lëshimeve të propagandës të pezullohej për dy apo tre javë, në mënyrë që bëhet vlerësimi i situatës dhe të përcaktohet se kujt i leverdisin më shumë këto operacione. Vendimi për pezullimin e operacioneve ka qarkulluar vetëm gojarisht. Më shumë se dy javë kanë kaluar nga pezullimi i operacioneve ajrore të propagandës në Shqipëri. Meqenëse planet operacionale të projektit për Shqipërinë janë të lidhura ngushtë me projektin britanik, lëshimet e broshurave bëhen në intervale prej 6-8 javësh dhe tashmë nevojiten instruksione nëse programi do të rifillojë apo do të vazhdojë sipas programit fillestar. Ne besojmë se lëshimi i sendeve si gjilpërat nuk mund t’i japë argument udhëheqjes komuniste shqiptare të ngreja akuza kundër nesh në kuadër të propagandës së luftës bakteriologjike. Çdo vendim nga ana jonë për të shtyrë më shumë operacionet do t’i jepte atyre mundësinë për të na detyruar të ndalojmë një veprim nga i cili ata tmerrohen dhe sikletosen shumë. Prandaj propozohet rinisja e operacioneve të lëshimit të broshurave të propagandës dhe artikujve jo-ushqimore në zonën e Ballkanit, sipas planeve aktuale. Për këtë kërkojmë miratimin tuaj. Presim që mundësia e lëshimeve të sendeve ushqimore të qartësohet brenda dy ose tre javësh. Do të komunikojmë me ju për rekomandime për të ardhmen. Një gjë është e qartë, kjo është fakti se duke ngritur çështjen e ushqimit të helmuar dhe fushatës në vazhdim të luftës bakteriologjike, komunistët ia arritën të ndalonin operacionin klandestin i cili po kthehej në nj problem shqetësues për ta.
Shtator 1954, komunikatë e ministrisë së Italisë, efektet e brendshme të ndryshimeve në qeverinë e Shqipërisë.
Më 20 gusht radio-Tirana përsëriti fjalimet e Hoxhës e Shehut në sesionin hapës të legjislaturës së tretë të parlamentit komunist. Enver Hoxha paraqiti dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit dhe i kërkoi Asamblesë të pranonte propozimin e komitetit qendror për emërimin e kryeministrit të ri Mehmet Shehu. Ndryshim i papritur e eksponentëve shtetërorë është në realitet rezultat i rivalitetit dhe i mosmarrëveshjeve të vjetra mes dy udhëheqësve komunistë. Moska, duke qenë e informuar për çështjen dhe duke iu trembur faktit se pushteti i Hoxhës mund të dobësonte regjimin komunist, prej qershorit kishte dërguar në portet shqiptare njësi të forcave detare, të komanduara nga admirali Gorkov, me direktiva specifike për udhëheqësit shqiptarë. Parashikohet që Mehmet Shehu do të kërkojë të fitojë simpatinë e popullit me premtime boshe dhe do të përpiqet të fshehë polemikat e tjera që e ndajnë me Enver Hoxhën. Por në të njëjtën kohë ai do të luftojë fshehtësisht me çdo mënyrë rivalin e tij, për të gjetur mënyrën për ta eliminuar krejtësisht në momentin e duhur. Rivaliteti mes këtyre dy personazheve komunistë ishte manifestuar që prej ardhjes në pushtet të regjimit aktual në nëntor 1944. Që me themelimin e qeverisë së atëhershme me në krye Enver Hoxhën, ky i fundit zgjodhi si bashkëpunëtorë besnikët e tij. Një prej tyre ishte Koçi Xoxe që u bë ministër i Brendshëm, ndërsa Mehmet Shehu u dërgua për të studiuar në Moskë në akademinë ushtarake Voroshilov, ku qëndroi deri në 1946. Pak pas shkarkimit të Koçi Xoxe, Shehu u emërua ministër i Komunikimeve dhe mbështetësit e tij ishin spastruar nga postet e rëndësishme. Kjo po ndodhte në një kohë kur në Shqipëri gjendeshin organizatorët jugosllavë e rusë, por më shumë rëndësi kishin të parët. Pas prishjes mes Rusisë e Jugosllavisë, Kremlini ishte në dijeni të luftës së Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxe ndaj besnikut të tij Shehu, dhe mori masa për mbrojtjen e mundshme të Shqipërisë. Sipas programit të tij, i mbështetur nga ambasadori rus në Tiranë, Çuvakin, Shehu mbajti një mbledhje partie në Pallatin e Brigadave ku tha se parlamenti duhet të bëjë ndryshimet e nevojshme në vendimet e plenumit të VIII të partisë, të cilat kishin karakter anti-sovjetik. Por papritur dy ditë më vonë shtypi i Tiranës njofton se Shehu ishte emëruar ministër i brendshëm, dhe Koçi Xoxe ministër i drejtësisë. Ky i fundit pak më vonë u arrestua dhe u dënua me vdekje si tradhtar i popullit, ndërsa u ndërprenë marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe u dëbuan teknikët dhe diplomatët e saj. Këto ngjarje tregojnë për rivalitetin e thellë mes dy krerëve të shtetit dhe sistemin e luftës së intrigave që ata përdorin kundër njëri-tjetrit. Një fakt i rëndësishëm është se të dyja palët përpiqen të evitojnë luftën e hapur që mund të sillte një krizë të rëndë të regjimit komunist në Shqipëri, i cili ishte aktualisht i ndarë mes dy rrymave filo-sovjetike dhe filo-jugosllave. Çështja kryesore është nëse populli shqiptar nën udhëheqjen e krerëve të rinj dhe me mbështetjen e fuqive perëndimore, do të dijë apo jo të përfitojë nga armiqësia mes këtyre dy të shiturve, për të dalë nga gjendja e tij e nënshtrimit.